ELBASAN-Një incident elektoral është shënuar rreth orës 20:00 të mbrëmjes së enjte në qytetin e Elbasanit. Policia bën me dije se është kanosur me armë zjarri një aktiviste e Partisë Demokratike në lagjen ‘5 maji’ të qytetit.

Menjëherë pas njoftimit në vendngjarje ka mbërritur kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kandidati për kryebashkiak Ardian Turku si dhe kryetari i grupit të Punës, Ridvan Bode.

Lulzim Basha u shpreh se nuk do lejohet në asnjë mënyrë që të grabitet vota e lirë, ndërsa sipas tij bandat e Qazim Sejdinit po përpiqen të terrorizojnë votuesit në një moment kur SHBA, Kongresi Amerikan dhe Helsinki dënojnë klimën e rënduar parazgjedhore dhe premtojnë vëzhgimin e klimës zgjedhore.

‘’Qazim Sejdini, ky oktapod që është kapur gafil para gjithë mediave si kërcënues dhe çensurues i medias së lirë, është provuar edhe si autor i terrorit mbi komunitetin rom. Ai përdor banditët Çela për të terrorizuar aktivistët e Partisë Demokratike. Kemi informacione se Sejdini ka krijuar një rrjet mafioz të blerjes së votës kundrejt 20 mijë lekëve. I bëj thirrje Prokurorosë të nisë menjëherë hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Gjithashtu i bëj thirrje organizatave ndërkombëtare, të vëzhgojnë punën e bandave të Qazim Sejdinit. Ftoj qytetarët të votojnë për Ardian Turkun’- është shprehur Basha nga Elbasani.

Ardian Turku u shpreh nga vendngjarja, se gruaja që është kanosur me armë zjarri ndodhet në spital, ndërsa do shkojë ta vizitojë së bashku me Ridvan Boden dhe kreun e PD-së Basha.

Forcat e policisë kanë marrë në pyetje disa banorë dhe dëshmitarë, ndërsa paraprakisht dyshohet se kanosja me armë ndaj gruas, e cila është aktiviste e PD-së ka ndodhur për shkak të votës.

Taulant Balla: Incidenti është inskenim i PD-së, në Elbasan klimë e qetë politike

Menjëherë pas incidentit ka reaguar drejtuesi politik i fushatës së Qazim Sejdinit në Elbasan, Taulant Balla. Në një prononcim për mediat Balla ka thënë se incidenti është një inskenim nga Partia Demokratike. ‘Nuk ka pasur asnjë sulm politik, por vetëm një zënkë mes dy familjeve që u shit si incident elektoral. Basha dhe Turku po tentojnë të prishin klimën e qetë politike që ekziston në Elbasan. Turku po inskenon video dhe incidente pasi është në panik’- është shprehur Taulant Balla.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb