TIRANE- Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, por kësaj here në një studio të improvizuar në çadrën e protestës, ku opozita po qëndron prej 18 shkurtit. Por në fund të intervistës u shënua një incident, pasi Basha i kërkoi një qytetari të afrohej dhe të tregonte historinë e tij, por kjo nuk u lejua nga Fevziu.

Vetë drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu tregon për “Panorama Online” se përse nuk e lejoi kryedemokratin që t’i jepte fjalën qytetarit.

Pasi i kërkoi Bashës që të mos ia jepte mikrofonin, Fevziu e mbylli emisionin.

Fevziu thotë se nuk është penduar që zgjodhi ta bënte intervistën me Bashën në çadrën e protestës dhe se e kishte marrë parasysh që përreth do kishte militantë të PD­-së.


LEONARDI 2 – MESAZHI PER MEDIAT by opinionklan

Ka ngjallur debat incidenti i mbrëmshëm në fund të emisionit “Opinion”, kur ju nuk pranuat që të fliste një nga protestuesit në çadër gjatë intervistës me Bashën. Pse morët atë vendim, në një kohë kur qytetari mund të kishte një histori interesante për emisionin?
Unë isha duke zhvilluar një intervistë me kreun e PD, sipas një formati të përcaktuar prej 20 vitesh në “Opinion”. Formati është strikt dhe nuk ndryshon. Qytetari mund të kishte një histori interesante, por duhet ta rrëfente atë në vendin që duhej, mbase edhe në “Opinion”, por një ditë tjetër. Ai nuk mund të ndërhynte në formatin e intervistës dhe në asnjë rast nuk do ta lejoja këtë. Do ishte shpërdorim dhe shkelje e një marrëveshje të vendosur më parë. Ne kishim intervistë dhe jo miting.

A jeni penduar për formatin e intervistës që zgjodhët dje me kryetarin e opozitës në çadrën e protestuesve duke pasur parasysh që shpesh herë u ndërpretë nga turma që mbështeste Bashën?
Jo, fare. As gjatë emisionit dhe as sot. Që prej vitit 2005 unë kam ndërtuar emisione të tilla në fushatë elektorale. Kur liderët vijnë të shoqëruar nga mbështetës në studio që gjithë kohën brohorasin apo hedhin parulla. Kjo i bën liderët më agresive, por njëkohësisht edhe gazetarin. Është një format ndryshe, që nuk e bën dot ç’do javë, por që herë-herë është tejet tërheqës. Mjafton mos të ndikohesh nga kori i mbështetësve dhe mos trembesh prej tyre. Dhe të bësh pyetjet që ke vendosur. Nëse ja arrin, është gjithmonë më interesant se sa një format i zakonshëm. Por është padyshim i lodhshëm. Një format i tillë shumë interesant ka qenë më Ilir Metën në zgjedhjet e 2015.

A do ishte edhe Rama pjesë e një formati të tillë?
Nëse flisni për mbështetësit, ka qenë. Edhe ai në 2015 ka ardhur me mbështetës dhe ka qenë pak a shumë kjo situatë. Nëse flisni për një situatë me më shumë mbështetës do isha vërtet i kënaqur nëse ndodhte.

Rama nuk ka pasur një intervistë të tillë në 2010?
Rama nuk vinte në “Opinion” në 2010. Grevën e atëhershme e kemi mbuluar me lidhjet live të Desada Metës, njësoj si edhe këtë grevë. Nëse Rama do jepte intervistë padyshim që do ishte live edhe prej aty. Po atë vit mbaj mend që kemi intervistuar nga kioska promocionale në Sheshin “Skënderbej” arkitektët belgë që Rama kishte zgjedhur për të rindërtuar Sheshin “Skënderbej”. Por besoj se situatat ndryshojnë dhe besoj se të gjithë do kenë mundësi të jenë në ato rrethana.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb