TIRANE-Tasim Meçe, ish-­komandanti i Ishullit të Sazanit, zbulon detaje të tjera për incidentin me anijen italiane në gjirin e Karaburunit, në korrik të vitit ’82, ku mbeti i vrarë kapiteni i saj dhe u arrestua një tjetër.

Përkundër opinioneve të disa ish­zyrtarëve të Sigurimit, që dëshmojnë për përfshirjen në këtë të fundit të ushtarakëve të Flotës Luftarake Detare, komandanti i Sazanit shprehet i sigurt se efektivat e armës së tij, përveç misionit kushtetues për ruajtjen e sovranitetit detar, s’kanë kryer asnjë aktivitet tjetër gjatë ushtrimit të misionit. Çdo insinuatë për t’i penalizuar ata, si në rastin e anijes që bllokuam në korrik të vitit ’82, sqaron Meçe, është përpjekje dashakeqe për të cenuar figurën dhe integritetin e ushtarakut që ka për kredo morale Detyrën, Nderin dhe Atdheun!

Me këtë optikë, sipas tij, duhet shtjelluar edhe incidenti me anijen italiane në gjirin e Karaburunit, që pas inkursioneve disaditore në ujërat shqiptare, më në fund s’mundi t’i shpëtojë shënjestrës së marinarëve të Sazanit. Për asgjësimin e saj, ushtaraku i lartë kujton se ka marrë urdhër të prerë nga Kadri Hazbiu, asokohe ministër i Mbrojtjes, i cili e ka thirrur në zyrë dhe i ka treguar qelinë e burgut, në rast se s’do ta kapnin anijen italiane(!)

Nga ajo çfarë ka ndodhur përtej epilogut të ngjarjes misterioze, Meçe mban mend përkujdesjen e autoriteteve të Tiranës për ta rikthyer mjetin në gjendjen e mëparshme dhe për ta transportuar atë në Pogradec, ku pritej të shkonte për pushime Enver Hoxha.

Zoti Tasim, në 25 korrik të vitit 1982, kur ishit komandant i Ishullit të Sazanit keni urdhëruar sekuestrimin e një skafi italian që lundronte në ujërat tona. Në atë operacion, sipas dokumenteve, njëri nga skafistët është vrarë dhe tjetri është ndaluar. Në çfarë rrethanash ka ndodhur kjo ngjarje?
Ajo ngjarje ka një histori sa interesante, aq dhe intriguese. Skafi që kapëm në 25 korrik, kishte disa ditë që shkelte në ujërat tona dhe sa konstatohej nga rojet bregdetare, largohej me shpejtësi të rrufeshme. Në të gjitha rastet futej te gjiri i Bristanit, gati 150­200 milje afër bregut. Reagimet tona me të gjitha mjetet që posedonim rezultonin të paefektshme. Kjo më së shumti për faktin se skafi që ndiqnim kishte shpejtësi të jashtëzakonshme. Ne në atë kohë nuk kishim mjete me atë shpejtësi. Për praninë e tij raportonim çdo ditë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ngjarja u bë problem deri në udhëheqjen e lartë. Duhej sqaruar një çast e më parë misioni i këtij skafi misterioz. Çfarë sillte nga përtej detit dhe çfarë merrte që këtu. U hodhën dyshime se bëhej fjalë për
zbarkim desantësh. Kishte që hamendë­ sonin për tërheqje nga brigjet tona të elementëve agjenturorë. Dilemat vazhduan deri ditën kur e kapëm…

Cili ishte reagimi i drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, kur komunikonit për praninë e skafit të huaj në ujërat tona?
Kam pasur rastin të komunikoj drejtpërdrejt me Kadri Hazbiun. Ai, pas raporteve të para për shfaqjen e skafit italian në afërsi të Karaburunit, më thirri në zyrën e tij, në Ministri të Mbrojtjes. Nuk jemi ne në gjendje ta kapim këtë skaf, që tallet me rojet tona, më tha i shqetësuar, dhe aty për aty, shprehu mendimet e tij si mund ta bënim të realizueshme detyrën. I thashë se arsyeja kryesore kishte të
bënte me faktin se skafi në fjalë kishte shpejtësi sa dyfishi i mjeteve tona më të shpejta. “Megjithatë duhet ta kapim me çdo kusht!”, shqiptoi urdhërueshëm ai.

“O e kapni, o në burg!”, shtoi para ndarjes Kadriu me ton të vrazhdë. Ika që aty dhe sa mbërrita në Sazan, thirra shtabin e bazës. “Më dëgjoni me vëmendje, u thashë, urdhri i ministrit të Mbrojtjes është i prerë: Ose do të kapim skafin e huaj, ose të gjithë do shkojmë në burg!”. Pastaj u ulëm me grupin e ekspertëve dhe hartuam një plan të detajuar me masa operacionale…

Skafi i sekuestruar nga roja bregdetare shqiptare Nuk e dinte Kadri Hazbiu që skafi përdorej për kontrabandë cigaresh?
Së paku deri në ato çaste, askujt nuk i shkonte në mendje se bëhej fjalë për lëvizje kontrabandistësh të bekuar nga shteti. Të gjithë ishim në një mendje se kishim të bënim me një mjet zbulimi. Ca më shumë
e përforcuam këtë ide pas urdhrit të prerë të Kadri Hazbiut. Lundrimet e mjeteve të kontrabandës, qoftë dhe ato të kontrabandës së cigareve, ndryshonin shumë nga mënyra si shfaqej dhe zhdukej në det skafi në fjalë…
Ju ishit autoriteti më i lartë i ishullit prej nga komandohej i tërë rrjeti i vëzhgimit detar. Kishit dijeni për anijet që ushtronin kontrabandë? Si reagonin forcat tuaja kur përballeshin me to në det?
Unë nuk e njihja mekanizmin dhe mënyrën si operonin strukturat që merreshin me këtë aktivitet. Qëllonte jo rrallë që rojet tona detare konstatonin mjetet e tyre në ujërat detare. Në pjesën më të madhe të rasteve, ekuipazhet e tyre kishin autorizimet përkatëse që u lejonin lundrimin në det. Në rastet e tjera i shoqëronim tek autoritetet e portit. Nuk kishte qenë nevoja deri në atë kohë të përballeshim forcërisht me ndonjërën prej tyre. Shumë herë, nga sa më kujtohet, këto skafe drejtoheshin nga njëfarë dom sinjor Semone, apo dom sinjor Qazimi. Me sa di unë, ka pasur një dokumentacion të plotë për lëvizjet e tyre në det. Se ishte një aktivitet që e drejtonte shteti. Pra, për rastin e skafit që shfaqej në gjirin e Bristanit, nuk dyshonit se u përkiste kontrabandistëve…

Mënyra si shfaqej dhe zhdukej papritur, të krijonte pështypjen se nuk u përkiste mjeteve të kontrabandistëve. Kjo e bënte akoma më kritike situatën…

Gilberto Morreti, skafisti italian i vrarë Si e realizuat operacionin për kapjen e tij?
Për t’i paraprirë shpejtësisë së madhe të skafit që “vizitonte” pasditeve gjirin e Bristanit në zonën e Karaburunit, çuam në afërsi të zonës një katërsh silurues, duke e stacionuar në mënyrë që të mos dallohej. Bashkë me ekuipazhin, akomoduam në të një nënoficer me radio dhe mjekun e repartit për çdo eventualitet. Ai për disa orë qëndroi aty i maskuar në pritje të mysafirëve të paftuar. Me shfaqjen e tyre në afërsi të gjirit, katërshi silurues u vërsul rrufeshëm për t’i ndjekur, këtë radhë nga një distancë shumë e afërt. Të befasuar nga prania e tij, skafistët e huaj u munduan të ndryshojnë kurs e të largohen, siç kishin bërë edhe në rastet e tjera, kur ishin vënë në gjurmimin e forcave tona. Po tashmë lëvizjet e tyre për t’i shpëtuar gjurmimit ishin të pamundura. Sipas rregullave ndërkombëtare, fillimisht u paralajmëruan për të ndaluar. Thirrjet e para rezultuan të paefektshme. Po kështu edhe thirrjet e dyta e të treta. Ata nuk ndaluan as kur u qëlluan me raketa të kuqe, sinjale këto të njohura në të tilla raste për të ndaluar. Atëherë kur sfiduan çdo apel, rojet tona i qëlluan, më parë në ajër e më vonë në motorin e skafit për ta paralizuar. Në aksion e sipër, njëri nga skafistët u vra dhe tjetri u kap i gjallë. I gjithë operacioni nuk shkoi më shumë se një orë. Ishte buzëmbrëmje, me sa kujtoj, ora ka qenë aty te 19:30. Një mbrëmje e nxehtë vere.

Pra, ju e keni ndjekur nga afër operacionin…
Operacioni bëhej në det. Unë e ndiqja me radio nga vendkomanda. Sakaq, e vëzhgoja edhe me mjete optike çast pas çasti. Gjatë tërë kohës kam qenë në tension të jashtëzakonshëm. Veçanërisht përballja fundore kur filluan breshëritë ishte dramatike. Në këtë moment nuk më shqetësonte aq shumë përmbushja e misionit, por jeta e marinarëve. Se ishte një dyluftim shumë i afërt dhe tragjedia mund të ndodhte papritur. Po gjërat shkuan mirë…
A mund të shmangej vrasja e kapitenit të anijes?
Në përballjen me anijen e huaj u konsumuan të gjitha procedurat e parashikuara në legjislacionin tonë, por edhe atë ndërkombëtar. Sulmi me armë ndaj saj, ku mbeti i vdekur kapiteni, erdhi pas sfidës ndaj thirrjeve të përsëritura të rojeve tona për të ndaluar. Madje, kokëfortësia e skafistëve italianë vazhdoi edhe pas tri breshërive paralajmëruese me raketa të kuqe. Në këto kushte, sulmi me armë në drejtim të mjetit lundrues, është i pashmangshëm. Pra, nëse skafistët e huaj do t’u bindeshin thirrjeve të rojeve tona, tragjedia s’do të kishte ndodhur.

Po me skafistin që shpëtoi, si u procedua?
Me të mbërritur në Vlorë, autoritetet tona e dorëzuan në Degën e Brendshme. Pati për të një proces gjyqësor, ku u thirrën me cilësinë e dëshmitarit dhe efektivët tanë që morën pjesë në operacionin për bllokimin e anijes. Nga sa mësova më vonë, skafisti që shpëtoi u dënua një vit dhe më vonë u rikthye në shtëpi.

E rikthyet dhe anijen në Itali, apo e mbajtët peng?
As bëhej fjalë për ta rikthyer. Rregullat e asaj kohe për të tilla raste parashikonin vetëm sekuestrimin. Ajo ishte një anije e bukur në formën e një motoskafi, që të rrëmbente sytë për shkëlqimin që kishte. Bukuritë e saj me sa duket joshën zyrtarët e Sigurimit dhe ata të drejtorisë së pritjes që ndërhynë te institucionet përkatëse dhe e morën për llogari të shtëpisë së pushimit që kishte Enver Hoxha në Pogradec. Specialistët tanë punuan për ditë të tëra për ta rregulluar e për ta rikthyer në gatishmëri. Me sa di unë, ajo ka qëndruar deri vonë në atë zonë.

Së fundi, zoti Meçe, e përjashtoni përfshirjen e ushtarakëve të Forcave Detare në operacionet e kontrabandës së cigareve?
Në mënyrë kategorike e përjashtoj diçka të tillë. Së paku për aq kohë sa unë kam shërbyer në këtë armë, dhe s’janë pak, por 40 vite, nuk di qoftë dhe një rast të vetëm ku oficerët e Ushtrisë të merreshin me të tilla histori në det. Çdo insinuatë për t’i penalizuar ata, si në rastin e anijes që bllokuam në korrik të vitit ’82, është përpjekje dashakeqe për të cenuar figurën dhe integritetin e ushtarakut që ka për kredo morale Detyrën, Nderin dhe Atdheun!

Dëshmia: Si e kapëm motoskafin italian në ujërat shqiptare
Incidenti me anijen e huaj në verën e vitit ’82, ku mbeti i vrarë një skafist italian dhe u prangos një tjetër, përshkruhet me detaje në raportin që kanë mbajtur për ngjarjen komandanti i skuadriljes, Ylli
Meçe, dhe kapiteni i anijes që mori pjesë në operacion, Aleko Kamberi. Dokumenti në fjalë, me siglën “Sekret”, është siguruar nga “Panorama” në Arkivin e Forcave të Armatosura dhe publikohet sot për
herë të parë.

Në të sqarohen rrethanat e panjohura të ngjarjes dhe marrin përgjigje hamendësimet e shtjelluara së fundi në media për përfshirjen e marinarëve të Flotës Luftarake në kontrabandën e cigareve. Meçe dhe Kamberi, dy autorët e raportit për incidentin e 25 korrikut 1982, u shprehën për gazetën të indinjuar që u janë përmendur emrat si pjesë e dosjes së këtij aktiviteti të paligjshëm. Ne bëmë detyrën në roje të sovranitetit detar, shprehen ata, duke kujtuar faktin që ngjarja u ka shkaktuar jo pak andralla në atë kohë…

Procesverbal

Mbi kapjen e një motoskafi me flamurin italian
Sot, në datën 25.07.1982, në orën 19:25, anija e kufirit me nr.512, duke qenë në shërbim roje kufitare në rajonin GramePirg, prej pikës së ndodhjes me koordinata gjerësi gjeografike 40 gradë, 14 min. 7 dhe gjatësi gjeografike 19 gradë, 25 min. 2, diktoi në perëndim të Gramës, në distancën rreth 200 milje nga bregu, një motoskaf që vinte nga juglindja për në veriperëndim me tendencë duke iu afruar bregut. Menjëherë, anija e kufirit iu drejtua motoskafit për ta ndaluar atë, megjithëse ishte brenda zonës kufitare të ndaluar për lundrimin e anijeve të huaja.

Rreth një minutë pasi e diktuam motoskafin, na njoftuan edhe nga pika e Gramës, se në drejtimin tuaj vjen një motoskaf dhe duhet të ndalohet patjetër. Kur anija u afrua në distancën 300­ 400 m me motoskafin, ky i fundit e kthen kursin për t’u larguar në drejtim të perëndimit. Kur ne konstatuam këtë, dhamë sinjalin me një raketë të kuqe për ta ndaluar. Ai nuk ndaloi, por mori kursin nga jugperëndimi. Përsëri hodhën raketë të kuqe dhe bëmë manovrën për ta ndaluar. Ai përsëri nuk ndaloi dhe vazhdoi kursin me drejtim perëndimin. Ne përsëritëm hedhjen e raketës së kuqe dhe vazhduam manovrën për ta ndaluar. Duke parë se ai nuk ndalonte, ne shtimë breshëri në ajër me mitraloz, po përsëri motoskafi nuk ndaloi. Të tilla veprime dhe breshëri armësh i përsëritëm disa herë, por ai nuk ndalonte. Paralajmërimi me të shtime në ajër iu bënë motoskafit edhe dy herë të tjera me automatik. Gjatë kohës së manovrimit, ne konstatuam se ekuipazhi i motoskafit përbëhej prej dy vetash, njëri nga të cilët manovronte, ndërsa tjetri bisedonte me radio. Duke parë se motoskafi nuk pranonte të ndalonte, u detyruam ta paralajmërojmë me një breshëri të shtimesh me automatik në pjesën e pasme të motoskafit, për të mos dëmtuar njerëzit, motoskafi përsëri nuk ndaloi dhe tentonte me çdo kusht për t’u larguar. Të tilla manovra janë bërë deri në distancën 2,6 milje larg bregut. Duke e parë se motoskafi nuk zbatonte urdhrat për të ndaluar, por tentonte me çdo kusht për t’u larguar, atëherë komandanti i anijes, Aleko Kamberi, shtiu në drejtim të postit të komandimit të motoskafit me automatik. Si pasojë, një nga dy anëtarët e ekuipazhit që drejtonte në timon u godit dhe u rrëzua, ora 19:37. Personi tjetër mori drejtimin e motoskafit dhe përsëri tentoi të manovronte për t’u larguar. Kur pa se atij i drejtuam armët për ta paralajmëruar, ai u detyrua të ndalonte motoskafin. Me qëllim që të evitonim ndonjë tentativë tjetër për t’u larguar, personin e dytë e kaluam në anijen e kufirit, zbritëm në motoskaf komandantin e anijes, Aleko Kamberi, dhe sanitarin Pëllumb Joni për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore të dëmtuarit, por u konstatua se ai kishte vdekur. Mbas kësaj, motoskafin e rimorquam dhe e sollëm në portin e Vlorës. (Panorama)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: