TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri ka komentuar incidentin në mbledhjen e Kryesisë së PD, ku kryetari i Komisionit për Zgjedhjet në PD, Jemin Gjana (i caktuar në këtë detyrë nga Lulzim Basha) ka tentuar të godasë sekretaren për Organizatat Partnere në PD, Valbona Mezini, pasi kjo e fundit e ka ndërprerë.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, Strazimiri tha se në mbledhje pati debat dhe kjo është gjë e mirë sipas tij. Strazimiri u shpreh se incidenti duke iu referuar audioregjistrimeve ishte i parapërgatitur, por sipas tij prioritet i çdo demokrati është shpëtimi i vendit nga Edi Rama.

“Për fat të mirë pati debat dhe ishte një nga mbledhjet më të mira të kryesisë. Mund tju them se gjithçka u zhvillua me sinqeritet. Ishte një mbledhje që zgjati rreth 5 orë dhe gjithkush dha mendimin e tij. Besoj se jemi në rrugën e duhur dhe do kemi edhe rezultatet e para, qoftë edhe emocionale. Prioriteti i çdo demokrati është shpëtimi i vendit nga Edi Rama.

Nuk është aspak thelbësore incidenti dhe po të më pyesnit para pak orësh do ju thoja që emocionet janë një gjë e mirë. Por tashmë ju them që ka dalë një audioregjistrim, çka tregon që ka qenë i përgatitur. Ishte një moment emocioni deri në kufijtë e tensionit, por nuk njolloset mbledhja”- tha Strazimiri.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: