Instituti i Statistikave bëri të ditur se, inflacioni për muajin korrik 2017 pësoi një rënie të lehtë në 2%, nga niveli 2,2% i muajit qershor, por brënda segmentit të parashikuar të Bankës së Shqipërisë.

Krahasuar me një viti më parë, inflacioni ka një tendencë në rritje, krahasuar me muajin korrik 2016 që ishte 1.9%.

Sipas INSTAT, krahasuar me muajin korrik 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,7%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1 %, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” me nga 0,7 % secili, “komunikimi” me 0,6%, “transporti” me 0,4%, etj.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet“ u rritën me 13,7%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 11,2%, “peshk” me 4,3 %, “qumësht, djath e vezë” me 4,1%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 3,1%, etj.

Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 3,0%.
Ulja më e madhe vjetore e çmimeve vërehet në grupin “veshje dhe këpucë” me 1,7 %, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me nga 0,1 % secili.

Banka e Shqipërisë pret që inflacioni për këtë vit të jetë në nivelin 2.3%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 1.3% i regjistruar në vitin e kaluar.

Rritja graduale e inflacionit po mbështetet nga rimëkëmbja e kërkesës së brendshme, por edhe nga përmirësimet në mjedisin e jashtëm ekonomik, që përcillen në çmime më të larta të lëndëve të para dhe rritje të inflacionit të importuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: