Nga Fatmira Nikolli

Janë vitet 1950. Një zonjushë e bukur ruse, mbledh në një valixhe druri vetëm gjërat e domosdoshme dhe udhëton drejt Shqipërisë. Po lë pas vitet në “Pjotr Çajkovski” dhe një rini të shkuar pa prindër. Po lë pas njëherësh suksesin në rritje në teatrot moskovitë. Teksa zbret në portin e Durrësit, parasysh ka një qytezë pothuaj të mjerë krahasuar me Moskën. Është bionde, ka sy të kaltër dhe është tejet elegante. Mban veshur fustan të modës, taka dhe sharmin e një artisteje metropoli. Përkrah saj, qëndron një djalosh shkodran me të cilin është njohur në Moskë në një shfaqje. Në dalje të portit, kjo nuse e re, krejt ndryshe nga një nuse Shkodre, pritet me këngë e me valle. Nis kështu një jetë të re në fundin më jugor të Europës, shumë larg prej veriut të acartë. E vjehrra i flet në dialektin e Shkodrës, ndërsa shtëpia e të shoqit ka veçse një dhomë të stërmadhe për të gjithë familjen e ardhur disa dekada më parë nga Gjakova. Fillimet do të ishin ‘bajagi’ të vështira, por Avni e Nina Mula, do të linin mandej Shkodrën, për t’u zhvendosur në Tiranë, në një dhomë hoteli dhe për të marrë disa role në Opera- në një opera që në atë kohë kishte filluar të merrte jetë.

Sot Nina Mula duhej të ishte 85 vjeçe. Pati lindur në Izhenski të Rusisë më 1931 dhe u nda nga jeta në Tiranë në vitin 2011. Artistja mbahet mend për rolet e interpretuara në operat “Berberi i Seviljes”, “Evgeni Onjegini”, “Madam Buterfly”, “Dasma e Figaros”, “Karmen”, “Traviatta”, por edhe rolin e Mrikës në veprën e Prenk Jakovës dhe atë të Donikës në operën “Skënderbeu”. E jo vetëm! Pesë vite pas mungesës së saj fizike, e bija, sopranoja e njohur Inva Mula ndan me ne kujtimet për të ëmën, duke nisur nga kujtimet e para, te arsyet pse nuk qëndroi në Rusi kur u prishën marrëdhëniet Shqipëri-Rusi, te rolet e shumta, te dashuria për shqipen, për rusen e shqiptaren që ndaheshin e bashkoheshin te Nina, për çfarë u mësoi të bijave, për çfarë bëri për të shoqin, për ‘malësoren shqiptare’ e artisten që bartte në vetvete.
Një koncert me lutje për Nina Mulën e një rrëfim për gjithë ç’mban mend për të. Sopranoja Inva Mula, kujton të ëmën dhe artisten në këtë intervistë për “GSH”.

– Inva, cilat janë kujtimet tuaja të para me nënën?
Nuk di të them se cilat janë kujtimet e para, por është një jetë e bukur e mbushur me emocione e dashuri, e mbushur me bashkëpunim. Rasti im është shumë i bukur, kujtimet janë të ndërthurura si bijë e një nëne të mrekullueshme dhe si studente e një profesoreshe aq të mrekullueshme.
Ka qenë një nënë e devotshme, që rrinte me ne për të bërë mësimet dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet tona ndaj shkollës e më tej.

– A shkonit me të në prova në opera kur ishit e vogël?
Kam kujtime shumë të bukura në këtë drejtim. Jo vetëm që shkoja në opera, po një pjesë e aktivitetit tim jashtëshkollor ishte të shkoja në opera. Unë njihja çdo shfaqje, madje mbaj mend disa opera nga Rigoleto, këndoja arien e Xhildës, mundoja të bëja kadencën dhe t’ua tregoja edhe të gjitha shoqeve e kolegeve të mamasë. Bëja një ‘show ala Inva’ në mënyrën më të natyrshme, ashtu si mund të bëjë çdo fëmijë për atë që sheh, për shembullin që sheh tek e ëma.
Ndaj erdhi natyrshëm dëshira ime për t’u bërë artiste, sepse e kisha nisur natyrshëm këtë gjë.

– Si e mësoi gjuhën Nina, si mësoi ajo të këndonte në shqipe rolet në Opera?
Ishte falë një pune të jashtëzakonshme. Ajo e fliste gjuhën shqipe po aq bukur sa ne, madje kishte edhe një dialekt shkodran, dhe besoj se qe fitore e madhe për të të arrinte të fliste gjuhën e vendit ku jetonte, ku ajo edukonte fëmijët e vet ashtu si e flet çdo shqiptar. Për këtë ka bërë punë të madhe. Në fletoret tona, ku ne i linim faqet bosh, ishin fjalitë e diktimet e perfeksionimit të mamasë. Ajo shkruante shqip pa asnjë gabim falë punës së madhe që bënte me gjuhën. Pikërisht kur duhej të interpretonte Mrikën, një rol i vështirë dhe shumë i bukur i operës së kompozitorit të madh Prenk Jakova. Për të bërë këtë, ajo bëri një punë kolosale dhe u shndërrua në një malësore të vërtetë shqiptare. Siç është kthyer edhe në një Violetta të Traviatës e të tjera, sepse kjo është edhe puna e artistit.

– Si ishte kontakti i parë i saj me Shqipërinë?
Më 1957 kur mamaja zbriti në portin e Durrësit, mund ta imagjinoni si ishte porti i Durrësit. Mamaja ishte një grua shumë elegante, e veshur me taka, një grua shumë e kuruar dhe shumë e bukur e në një moshë fare të re. Besoj se ajo nuk zbriti duke pritur një luks këtu. Besoj se ishte koshiente për vendin ku do vinte. Dëshira për të ardhur në Shqipëri ishte dëshira për të jetuar me burrin që kishte zgjedhur- një djalosh i ri, plot ëndrra.
Takimi i parë me familjen e bashkëshortit ishte në Shkodër, në një familje të ardhur nga Gjakova vite më parë. Mund ta imagjinoni që kushtet ishin të thjeshta e modeste. Mamaja kërkoi vendin ku i takonte të rrinte, edhe pse aty ishte veçse një dhomë e madhe ku flinte e gjithë familja. Ajo hoqi këpucët dhe u përshtat. Atëherë ajo nuk dinte asnjë fjalë shqip dhe madje nuk dinte as çfarë po thuhej për të. Ajo i kujtonte të gjitha këto me shumë dashuri e vërtetësi.

– Në fillim jetuan në hotel në Tiranë. A qe e vështirë për ta?
Fillimet e çiftit Mula ishin të vështira. Jetuan në hotel për disa vite, pasi nuk kishin shtëpi. Mbi të gjitha, për atë kishte rëndësi që të krijonte repertor të mirë të arrinte të perfeksiononte figurën e saj artistike, të arrinte të perfeksiononte gjuhën, sepse i gjithë repertori atëherë këndohej shqip, ndaj gjuha ishte shumë e rëndësishme. Mamaja ime ishte një grua shumë punëtore dhe e disiplinuar, njeri shumë korrekt, dhe këto ishin tamam tiparet e një artisteje të vërtetë.

– Kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, pse nëna juaj zgjodhi të rrinte në Shqipëri?
Kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro-ruse, mamaja nuk ka qenë me babain tim, ka qenë në familjen e saj në Rusi me motrën time, pra me fëmijën e vogël. Sigurisht, ajo i kishte mundësitë që të qëndronte atje. Ishte koshiente që do të ndodhte diçka shumë e madhe ose po ndodhte diçka shumë e madhe, pasi i vëllai e kishte informuar dhe i kishte thënë se ‘duhet të zgjedhësh, o do kthehesh në Shqipëri dhe do rrish përgjithmonë, ose rri këtu, fëmijën e ke me vete dhe ne të krijojmë të gjitha kushtet’. Por, mamaja zgjodhi që të vinte në Shqipëri, mbase sepse do të vija unë në jetë (qesh).

– A u pendua ndonjëherë Nina Mula që la Rusinë për Shqipërinë?
Nuk u pendua kurrë dhe as nuk dyshoi kurrë në vendimin që mori. Madje edhe shumë vite më vonë, sepse njeriu shpesh ka disa pishmane në jetë, ajo asnjëherë nuk tha ‘pse nuk ndenja në Rusi’. Ajo ishte shumë e lumtur që erdhi, pavarësisht gjithë vështirësive që mund të kenë pasur gratë ruse në Shqipërinë e kohës. Mamaja ime qëndroi dhe arriti të jetë në skenë, arriti të jetë një grua që unë besoj se u dyzua në personin e rinisë, fëmijërisë së saj, në origjinën nga ajo vinte dhe një perosn i ri shqiptar. U dyzua dhe mund ta shikoje në një fasetë shqiptare dhe në një fasetë tepër ruse. Unë pyes veten shpesh se si ka mundësi që u bë kaq shqiptare, duke mos e lënë Rusinë, duke mos i kthyer shpinën. Ajo jetonte me gjithë problemet, miqësitë, gjellët e traditat shqiptare dhe, mbi të gjitha, me gjuhën.

– Shumë gra ruse që qëndruan në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-ruse, u përndoqën ose patën probleme me regjimin. A kishte nëna juaj probleme të tilla, a e ndiqnin? A kishte ajo probleme me regjimin?
Mamaja ime ishte një grua shumë diskrete, e cila mbi të gjitha nuk donte të shqetësonte familjen dhe ne vajzat.
Kurrë nuk ka thënë gjëra të tilla. Ajo sigurisht që ka pasur, por kurrë nuk na ka thënë gjëra të tilla, nuk e ka ndarë këtë shqetësim me ne. Na ka mbrojtur çdo moment, që jeta jonë të ishte sa më e mirë. Një fëmijë që rritet me këto shqetësime, është i kompleksuar dhe i vrarë.
Sigurisht me kohën, unë diçka kam kuptuar- ishin koncerte ku kamera shkonte deri te mamaja dhe këputej filmimi për të kaluar te persona të tjerë. Nuk duhej të dilte në televizor, nuk duhej të merrte pjesë në manifestime me rëndësi të veçantë, por besoj se ajo e kuptoi se deri ku mund të mbante si artiste për të mos prishur as një jetë familjare- që nuk mund të cenohej nga këto gjëra, e duke i mbajtur për vete gjithë këto shqetësime, duke mos i komunikuar asnjëherë me ne.

– Si ka qenë marrëdhënia e babait me nënën, a ishte babai mbështetje për të?
Babai dhe nëna ishin dy njerëz që kompletonin njëri-tjetrin. Gjithë krijimtaria e babait u bazua më pas në gjykimin e mamasë sime. Unë mbaj mend që mamaja ime ishte duke gatuar, dhe babi rrinte në piano me orë të tëra, e në momentin që gjente një motiv të bukur a diçka që del papritur siç del krijimtaria, atëherë ne i linim të gjitha dhe shkonim mbi piano për të dëgjuar dhe për të dhënë gjykimin tonë mbi pjesën.

-“Valsi i lumturisë” ishte një prej këtyre. Kujt i drejtohet ky vals? Valsi i lumturisë është një himn i dashurinë. Nuk është valsi që shpesh është keqinterpretuar sikur i këndon lumturisë së atyre viteve. I këndojmë lumturisë së rinisë, i këndojmë lumturisë që gjendet në çdo moment. Njeriu mund të jetojë shumë keq, por nëse nuk di të gjejë lumturinë aty ku është… “Valsi i lumturisë”, këtu e ka burimin- pikërisht në momentet e lumtura që mund të gjejë njeriu kudo që të jetë. Valsi i lumturisë është krijuar kur unë nuk kisha lindur. Mamaja më ka thënë se atëkohë kur shkonte në festival ta dëgjonte, ruhej se mos e dëmtonin, pasi mamaja ishte shtatzënë me mua. Sot, unë e këndoj “Valsin e Lumturisë”: pasi ai nuk ka moshë, nuk ka datë, nuk ka as brez që i kushtohet; ai ka përjetësi, dhe këtu është edhe suksesi i tij.

– Në datën 7 dhjetor, vini me një koncert për mamanë. Pse me lutje?
Mendova ta kujtoj mamanë me një repertor shpirtëror që dëgjohet mirë në kishë, ndaj kam zgjedhur katedralen e Shën Palit. Këndohen lutje, por lutje të cilat janë artësuar. Nëse unë këndoj “Ave Maria” të Kaçinit, apo “Ave Maria” e Otellos e Verdit, janë të gjitha formë lutjesh që janë ngritur në art e këndohen sot. Por të gjitha bashkë, një buket i mbledhur nga disa lutje të ndryshme është mënyra më e bukur që mund ta kujtoja mamanë time. Do jenë në koncert nxënës të mamasë sime. Nxënësi i fundit i mamasë ka qenë Klodian Kaçani- mendoj se ato ditët të fundit ajo i ka lënë një testament shumë të bukur, atë që të besojë në artin që bën. Koncerti vjen në bashkëpunim me Teatrin e Operës, do jetë në koncert edhe studentja tjetër e mamasë sime, Irida Dragoti, është edhe Suzana Frashëri etj.

-Ju dhatë një çmim me emrin e mamasë, ndërsa vajza juaj mban emrin e saj. A mendoni se ajo e ka projektuar Invën që jeni sot?
Tani që jam prind vetë, e di që është një kënaqësi shumë e madhe kur shikon fëmijën tënd që vazhdon rrugën e artit, atë që unë do doja për fëmijët e mi. Mamaja ime nuk e projektoi, ajo përgatiti një artiste. Ajo nuk e projektoi Invën me këto përmasa që mori karriera ime, ajo mbase ka dëshiruar, por shumë herë më ka thënë se nuk mund ta imagjinonte që unë do arrija deri këtu, për vetë kushtet që ne nuk dilnim dot nga Shqipëria në fillim, dhe ajo e pati këtë fat, nuk doli dot nga Shqipëria si artiste. Emri i vajzës erdhi shumë natyrshëm, ajo lindi disa muaj pasi mamaja ime ndërroi jetë. Unë nuk e kisha menduar. Ishte një ide shumë e bukur e bashkëshortit tim dhe kur ma tha, mendova se ky emër kishte ekzistuar gjithmonë për vajzën time e për këtë jam shumë e lumtur.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: