Fatmir Pjetri, që u arrestua nga policia holandeze për llogari të shtetit shqiptar, 3 vite më parë një intervistë ekskluzive për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ nga arratia deklaronte pafajësinë dhe mohonte lidhjet e tij me ‘Bandën e Babagjyshëve’.

Në një lidhje telefonike për ‘News24’ më 20 dhjetor të 2014-ës, Pjetri, në atë kohë 29 vjeç, pohoi se policia e kishte dhunuar dhe se shpifte në emër të tij. Më poshtë ‘BalkanWeb’ sjell intervistën e plotë, të Fatmir Pjetrit nga arratia.

INTERVISTA DHËNË PËR “NEWS24”
Alo Fatmir. Përshëndetje. Ju jeni një prej personave në kërkim pasi akuzohet se pjesëtar i ‘Bandës së Babagjyshëve’. Fatmir cila është e vërteta?

Nuk e di kush shpik për emrin tim policia apo gazetarët. Por di të them që jam i pafajshëm për akuzat që më janë bërë. Policia bën mirë të akuzojnë me fakte reale jo me prova të sajuara. Policia ka hyrë në biznesin tim para disa ditësh dhe ka sekuestruar flori, serm, telefon iPhone dhe disa ora që kam pasur tek dyqani im, sende që i përkasin klientëve të mi dhe jo babagjyshave. Disponoj të gjitha fotokopjet e kartave të identitetit të klientëve që kanë lënë mall peng tek dyqani im.

Përsa i përket lidhjes sime me Agustin Sulën ishte thjesht tek dyqani im dhe merrte para për të blerë drogën e radhës. Ai është një person i dënuar me 2 vite burg dhe i varur nga droga. Si mundet që policia, të marrë për bazë fjalën e një të droguari dhe të marrë për bazë fjalën e tij? Unë jam thjesht një i akuzuar, që kam lidhje me këtë grup, por jo i dënuar. Si mundet që policia të marri për bazë fjalën e një të droguari. Unë jam thjesht i akuzuar që kam lidhje me një të dënuar. Derisa gjykata të shpallë fajësinë apo pafajësinë time, do t’ju lutesha gazetarëve të mos publikojnë emrin dhe fotografitë e mia dhe të më përshkruajnë me biografi kriminale. Nuk jam as i rrezikshëm dhe as i armatosur.

Ju ku ndodheni aktualisht Fatmir?
Nuk ka rëndësi ku ndodhem. Policia më ka shoqëruar në drejtori këto dy vite shpesh herë. Jam pyetur për çështjen e ‘Babagjyshëve’ dhe u kam thënë që nuk di gjë. Dhe kam bërë aty deklaratat e mia. Herët e fundit jam rrahur dhe kam dalë me shenja në fytyrë dhe me nja dy brinjë të thyera. Jam rrahur jo nga hetues të policisë, por nga drejtues të lartë të shtetit që kanë përdorur metodat e komunizmit për tortura.

Përse nuk dorëzoheni ju Fatmir?
Sepse nuk kam besim tek policia. Ka shumë akuza, dhe nuk kam besim dhe nuk kam pse të dorëzohem. Kërkoj avokatët e mi që të flasin për mua. Nëse gjykata me fakte me shpall fajtor, do vij të bëj dënimin tim. Këtë çështje do ta ndjekin avokatët e mi. Do pres vendimin e gjykatës kur të dalë, nëse dal i fajshëm apo i pafajshëm. Nëse do dënohem do vij të bëj dënimin që do më japin.
Në çfarë rrethanash njiheni ju me anëtarët e tjerë të ‘Bandës së Babagjyshëve’?
Shumicën nga banda nuk i njoh. Disa i njoh. Kam pasur njohje të vjetra para shumë vitesh me Ilir Kupën, Agustinin. Këta të dy njoh. Këta të tjerët që ndodhen brenda nuk i njoh. I kam parë, por nuk i njoh.

Çfarë keni ndër mend të bëni? Jeni person i shpallur në kërkim, si do mbroheni?
Drejt me thënë nuk më ka ndodhur kurrë në jetën time të ndodhem në këtë situatë. Policia ka terrorizuar familjarët e mi. Çështjen do e marrin avokatët e mi dhe do të pres çfarë do të thonë ata. Nuk di si të veproj. Do bëj çfarë të më sugjerojnë avokatët e mi. Me atë që kam pësuar unë në policia radhën e fundit, ku 6-7 drejtues të lartë të policisë më kanë rrahur. E keqja se nuk kam pasur dëshmitarë në dhomë, vetëm policë. Por kam pasur shenjat kur kam dalë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb