TIRANE– Moderatori i njohur Adi Krasta ka komentuar zhvillimet më të fundit në vend. Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili në “News24”, Krasta thotë se për të nuk ka një “ngjarje Tahiri”, pasi sipas tij përgjegjësia për këtë “skandal të madh kombëtar” nuk është e një personi të vetë, por është e të gjithëve.

Ai tha se tashmë është konfirmuar nga të gjitha burimet e mundshme, se territori i vendit është kanabizuar me qëllim.

Krasta komentoi edhe gjuhën e përdorur nga kryeministri Rama me gazetarët, por edhe çështje të tjera që shkojnë përtej televizionit, medias e gazetarisë.

INTERVISTA

Gati dy muaj larg kazanit mediatik, kështu na quan kryeministri, ndjehesh ndopak kazan dhe çfarë mendon?
Zakonisht në bisedat televizive dhe njerëzore në tavolina të ndryshme është e lehtë të mbërrish në atë momentin kur diskuton për njerëz të rëndësishëm siç është edhe kryeministri. Unë kam ardhur me qejf në studion tënde, nuk do kisha dashur që intervista e sotme të ishte në kërkim të atyre titujve që lidhen me një gjykim për kryeministrin, që s’është qëllimi im dhe fusha e ekspertizës. Kam një moto të brendshme që nuk diskutoj figura në rënie, pasi kjo është gjithmonë jo e shëndetshme.

Është kryeministri në rënie?
Në këtë vend është e vështirë të rrish në këmbë, ka qenë Noli i palumtur, Konica ka nxjerrë përcaktime të tmerrshme për këtë vend. Duhet të jesh shumë i kulturuar, i devotshëm dhe i ndershëm që të sigurosh mosrënien e pashmangshme në këtë vend.

Pse po bie Rama?
Stigmatizimet janë shenjat e të dobëtit, shoh shenja të rrëshqitjes, të pasigurisë.

E ndoqe në komunikimin me reporterët, i quajti të paditur, ndërsa pyetjet e tyre idiote?
Politikanët aktivë që janë të lidhur me pozicion e tyre natyrisht që janë të pakënaqur kur i bën një pyetje të fortë, shkëputen nga realiteti e për ta thuhet se kanë një raport të veçantë me Zotin dhe s’janë si gjithë të tjerët. Ka patur edhe të tjerë që kanë reaguar ndoshta dhe në forma të tjera, pra s’është i vetmi.

Si do reagoje për të ishe në vend të tyre?
Ajo vajza që tha në fund, faleminderit dhe mirupafshim bëri një mbyllje të zgjuar. Kanabizimi i Shqipërisë ishte ngjarja, batutat dhe grimasat e tjera janë të parëndësishme në raport me rëndësinë që ka ky fenomen.

Është kjo mënyrë për t’i ikur përgjegjësive kjo e kryeministrit?
Për mua s’ka rëndësi, kjo është rrethanore, shtypi është mënyrë komunikimi.

A krijon kjo një lloj psikoze?
Ka gazetarë të mirë dhe të këqij, ka të devotshëm dhe të padevotshëm, ka që e krijojnë në kafene ngjarjen me miqtë, i sjellin në tv dhe bëhet ai sherri, shamataja. Ka gazetarë të mirë në këtë vend dhe të ligj, të kapur ose jo.

Mendojnë kështu edhe qytetarët?
Qytetarëve, neve nuk duhet të na interesojë se si stigmatizohet media në këtë vend. Media ka në dorë informimin. Ne duhet të ishim alarmuar se si Erisa Zyka, një vajzë e talentuar që për fatin tonë është në Bruksel, ka thënë se ky vend pas llahtarisë së Lazaratit kaloi në një tjetër fazë, pasi është mbjellë në çdo pëllëmbë me kanabis. Këtë media e tha. Cili është faji këtu? Media e tha dhe kanë mbështetjen time, kanë respektin tim reporterët. A ka ngjarje më të madhe se mungesa e edukimit, rënia dhe shkatërrimi i shijeve, drama dhe dëshira e madhe për t’u larguar, të gjithë duan të ikin nga ky vend mizerabël. Gazetarëve në këtë vend iu duhet thënë vazhdoni përpjekjen serioze për të hapur të gjithë panoramën, problematikat e plota me devocion të madh, në luftë me veten dhe me presionin. Shqipëria e momentit nuk është e bukur, por gazetaria kështu është kudo, ka gazetarë që janë vrarë për këtë profesion.

Pse thoni që nuk ka shpresë?
Në këtë vend nuk ka shpresë, ëndrra është konsideruar një gënjeshtër e madhe. Nëse do kisha mundësi të drejtoja këtë vend, do kisha patur prioritetet e mia. Por lufta e shkatërron një vend, kanabisi e shkatërron vendin po kështu. Mbjellja e kanabisit bën që fëmijët tanë të pinë hashash në oborret e shkollave. Kanabisi nuk sjell rritje rrogash, pensionesh. Kryeministri dhe ministrat nga ana tjetër kanë të drejtë në deklaratat e tyre. Kjo nuk është personale. Secili nga ne ka të drejtën të luftojë për të vërtetën që njeh.

Çfarë mendimi keni për çështjen Tahiri?
Unë nuk e kam parë këtë si çështja Tahiri, por e kam parë si një ngjarje të madhe, një ngjarje të kanabizimit të vendit. Një vendim të madh që është marrë diku, dikur, që të mbillet kanabis. Ajo që ne shohim është territori i këtij vendi, tashmë e konfirmuar nga të gjitha burimet e mundshme, se është kanabizuar me qëllim, nuk mund të jetë vepër e një njeriu të vetëm. Duhet të mbajnë përgjegjësinë të gjithë.

Mendon se Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, është fajtor? Referuar përgjimeve të autoriteteve italiane, patentave të sekuestruara.
Në mënyrë absolute do më vinte turp që të mbërrija unë në një konkluzion. Këto janë elementë të hetimit, dhe nuk mund të mbërrihet në konkluzione kafenesh.

Nuk ka shumë koincidenca kjo histori?
Gjithmonë kur insistohet, qëllimi i gazetarit është i mirëqenë. Dhe ti po insiston. Kjo është tema më e madhe, më e nxehtë, ky është një skandal i madh kombëtar. Sot po përmende shqiptarin nëpër botë të trajtojnë si një person që mbjell kanabis në ballkon. Njerëzit që kanë në dorë fatet e vendit i çojnë këto vende drejt realizimeve të mëdha, apo drejt dështimeve.

Marrëdhëniet e tua me kryeministrin…
Marrëdhëniet me kryeministrin i kam siç i kam patur tërë jetën.

Keni qenë mbështetës i tij…
Unë jam shprehur pro ambasadorëve që kërkojnë rotacionin, por kam shtuar se unë jam kundër çdo qeverie, do jem edhe kundër qeverisë që do vijë. Mua më pëlqen të jem kundër strukturave arrogante. Unë mbështes gjithmonë opozitën, këtë e kam pa dilemë. Mua qeveritë nuk më pëlqejnë.

Nuk ju ka zhgënjyer paksa kryeministri te ajo “darka e famshme”?
Kryeministri për Agon Channel, bëri një deklaratë të fuqishme: Aty lahen para të pista. Nëse kjo nuk del e vërtetë, gazetarët duhet ta pyesin: Cili është motivi që ai bëri një luftë për të mbyllur një stacion televiziv. Madje edhe reagimi i publikut ishte i çuditshëm, disa u gëzuan për ato dhjetëra familje që iu hoq mundësia për një rrogë.

Pse u largove nga Top Channel?
Krasta: Më kërkuan që kontrata me ta të mbyllej më herët se sa ishte përcaktuar. Nuk e kam të qartë arsyen por në fund ishte një ndarje xhentëlmenësh. Kemi koncepte të ndryshme për bërjen e televizionit. Unë jam i ndjeshëm për lirinë e fjalës, për të ftuarit, dua ata që i bëjnë drejtësi të vërtetës, që të jem i ndershëm dhe nuk e pata këtë liri.

Nuk e pate këtë liri?
Krasta: Jo nuk e pata këtë liri, disa të ftuarit e mi kanë shkaktuar një lloj tensioni, madje një monolog i imi është hequr edhe nga youtube. Liria e fjalës është thelbi, liria e të shprehurit. Në këtë vend duhen lejuar edhe njerëz që flasin ndryshe, bëjnë pjesë të gjithë në një pazëll të tërë. Ky është një vend që ka vend për të gjithë.

Si mendon për ata që thonë se tv ka të drejtë të ketë linjën e vetë editoriale?
Po por s’mund të ketë vetëm linjën e vetë editoriale. Tan Hoxha se bëri “Top-in” si një strukturë për të ndihmuar bizneset e tjera. Ai pati një ëndërr tjetër, Tv është biznes i vështirë.

A ka më tepër media se ç’duhet?
Jo, jetojmë në një epokë mulimediale, çdo njeri mund të ketë televizionin e tij, të ndjekë atë që do. Eni, televizioni nuk vdes, Zuckenberg nuk do na shkatërrojë. Televizioni do funksionojë, është një njeri aty, ai jep një mesazh të caktuar, do mbijetojë padyshim. Kjo periudhë mulitimediale e ndihmon demokracinë, ndihmon të jetuarit me gradë lirie.

Nuk mendon që jemi në muzgun e televizionit?
Jo nuk e mendoj.

Intervista më e vështirë që ke bërë?
Kam bërë disa, disa të vështira, por në një kuptim janë ato që janë gjithnjë të vështira ato që s’shkon asgjëkundi, me pak fjalë e ke ngrënë okllainë, s’ke dhënë mesazh, e ndoshta s’i ke bërë njerëzit të qeshin.

Po më e bukura?
Po jam kënaqur në disa, kam një emër, kam disa, kam shumë emra (qesh).

Intervista që nuk e ke bërë akoma?
Po bëjmë një përpjekje të madhe për të ftuar një personazh të madh në festival. Unë i jetoj intervistat, nëse ai vjen do ta them përpara. Do drejtoj festivalin me shumë njerëz, që e duan këtë vend, që e jetojnë bukur këtë vend.

Më thuaj një propozim të paturpshëm profesional?
Nuk kam marrë, kam jetuar në mënyrë të kujdesshme, mund të jem pak i vështirë si natyre unë, por kam një justifikim që udhëhiqem nga të qenurit i ndershëm.

Momenti që të ka bërë krenar?
Ka momente, ka grimca krenarie të jashtëzakonshme që lidhen me familjen, miqtë e shokët. Jam njeri që kam marrë kënaqësi, kam plot momente të bukura.

Po momenti më i vështirë?
Kam patur shumë, dua të të them pse është e vështirë të jesh në këtë profesion, Jimmy Fallon një gazetar i njohur e mbylli për një javë transmetimin, këtë ma tha Aleksandër Arvizu, njeriu që e deshi këtë vend jo si ca të tjerë me axhenda paralele. Ma tha kur humba tim atë më datë 9 janar. Gjatë këtij viti s’kam pasur mundësi të mbaj zi. Ai ka qenë i rëndësishëm për mua, por s’kam dhënë asnjë shenjë në transmetim. Ime më më tha, po ti s’e gjete një mënyrë për ta thënë, për ta ndalur transmetimin, jo i thashë në asnjë mënyrë, ç’i duhet publikut se çfarë ndjej unë. Pra ti je aty për të bërë detyrën.

(m.a/el.sp/e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb