TIRANË- Sopranoja shqiptare me famë botërore po sjell në skenë edhe si regjisore operën “Peshkatarët e Perlave”, e cila do të startojë nesër në Pallatin e Kongreseve për shkak se TKOB është nën rikonstruksion.

Në një bisedë me Eni Vasilin në emisionin “Studio e Hapur” në News24, Inva tregon si i lindi ideja për të ngjitur në skenë këtë vepër që risjell edhe nënën e saj Nina Mula, që e ka interpretuar në vitin 1964. Sopranoja flet për vështirësitë që ka hasur sidomos me akustikën në Pallatin e Kongreseve.

Meqenëse jemi pak përpara shfaqjes së parë, jeni e emocionuar?
Në fakt dhe tani në këto momente. Sigurisht, emocioni është diçka që është brenda nesh dhe është pjesë e punës nga fillimi deri në fund por momenti i daljes në skenë është përgjegjësi e madhe. Emocioni i përzierë me një përgjegjësi shumë të madhe.

I shtohet kjo fakt që jeni regjisore jo vetëm protagoniste pasi ju do të këndoni ditën e diel. Është një emocion më shumë po ta dish që gjithë shfaqja është në duart e tua?
Absolutisht. Nëse unë kam përgjegjësinë kur jam interpretuese për rolin që kam, sigurisht kënaqësi e madhe është kur gjithë stafi është në formë dhe shfaqja është e bukur, por në këtë rast përgjegjësia bie mbi mua në çdo gjë, të mirë apo të keqe dhe janë edhe këto disa elementë që unë nuk i kam provuar. Janë disa gjëra që po ndodhin në jetën time dhe një përgjegjësi artistike shumë e madhe jo vetëm për veten, por për gjithçka, edhe për një lule që është diku e varur.

Si e morët këtë vendim? Ka qenë në qëllimet tuaja të jeni edhe regjisore e shfaqjeve?
Jo, jo absolutisht jo. Unë kam pasur bashkëpunimin e parë me TOB për të vënë në skenë operën “Pagliaçi”, por në atë moment më erdhi si ide dhe ishte pothuajse një pasazh në karrierën time që ta këndoja veprën dhe ta vija në skenë dhe mendoja që do ndalesha aty.

Ajo ishte një sukses.
Ishte një sukses. Ishte një vepër shumë e bukur. Madje unë nuk e trajtova edhe veprën si një shfaqje që e kisha parë diku por e trajtova në një temë të Tiranës dhe mendoja që do ndalesha atje. E kisha krijuar atë domosdoshmërinë që të dilja të interpretoja dhe ta vija në skenë dhe do ndalesha. Me kalimin e kohës mendova që më thirri një zë i brendshëm që më tha ‘dale ndoshta duhet ta vazhdosh një gjë të tillë’.

Gjithmonë kam menduar, në çdo teatër që kam qenë, kur shikoja një spektakël, mendoja unë si do ta kisha bërë, jo që do ta kisha bërë më mirë por do ta kisha bërë me shijen dhe me guston time. Kam pasur fatin që të punoj me regjisorë shumë të mëdhenj në teatrot më të mëdhenj të botës, me kolegë të shkëlqyer, me skenografë të shkëlqyer, me kostumierë të shkëlqyer dhe gjithnjë kam qenë e interesuar si punohet me ndriçimin, e kam parë spektaklin përtej interpretimit tim në skenë.

Ndoshta ky kuriozitet dhe ky pasion për të parë spektaklin në të gjitha etapat e krijimit më bëri që kjo domosdoshmëri të vijë brenda meje dhe të ketë kërkesën për ta vënë në skenë dhe ju doni pse i kam bërë këto prova dhe po i bëj në teatrin tonë? Po ka më mirë se ti bëj këto hapa të miat si regjisore në një teatër ku dhe unë kam hedhur hapat e parë, ku kam bërë interpretimet e mia të para dhe ky teatër më vlerëson dhe më mbështet se më do, këta njerëz më duan, më respektojnë, më japin besimin. Nuk pretendoj që po bëhem regjisore por pretendimi im i vetëm është që me dëshirën që kemi, me pasionin, devotshmërinë, disiplinën, dashurinë që kemi për artin të arrijmë të bëjmë që spektatori të shikojë, të ndiejë, të dëgjojë muzikën e bizesë ashtu siç e dëshiron.

Sigurisht që publiku ju do, kushdo ju mbështet, por ndoshta është logjistika në Shqipëri nuk funksionon, siç është dhe rasti që TKOB është në rikonstruksion dhe kjo është një sallë jo e bërë për opera, etj, etj. Çfarë vështirësish keni pasur nga kjo pikëpamje, qoftë edhe njerëz skeptikë apo situata skeptike keni pasur?
Do dëshiroja që ne të luanim në një teatër të vërtetë, teatër i cili në radhë të parë na mundëson akustikisht dëgjimin e zërit ashtu siç e kërkojnë në çdo teatër të botës. Të gjithë artistët kur hyjnë në një teatër, gjëja e parë bëjnë një provë akustike, ose lëshojnë një zë, një tingull për të parë si funksionon akustika e teatrit. Se ka teatër me akustikë të ndryshme, të mirë, të keqe, të mesme por është vërtetë interesant të shikosh se megjithëse njerëzit përpiqen të krijojnë një teatër me akustikë, nuk është se e qëllojnë, në të gjithë botën, me një financim shumë të rëndësishëm në drejtimin e akustikës.

Ndërsa ne pikërisht e dinim që nuk do ta kishim një gjë të tillë sepse Pallati i Kongreseve nuk na i mundëson një gjë të tillë, nuk mund ta pretendojmë, atëherë me anë të teknikës, por vërtetë në mënyrë shumë natyrale do përpiqemi që kjo akustikë të jetë sa më afër zërit të vërtetë, pa kamuflim dhe pa teknologjitë që e mundësojnë një zë operistik të tingëllojë në një sallë që nuk është e bërë për këtë gjë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: