NGA: OLA MITRE
Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore i ka propozuar qeverisë faljen e borxheve, të krijuar për një kategori minatorësh dhe invalidësh, të cilët paralelisht me pensionin kanë zhvilluar aktivitet ekonomik si të punësuar”. Gjithçka bëhet me dije nga nëndrejtori i ISSH-së, Ali Emini, i cili përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje se cilët janë përfituesit nga vendimi i marrë në datën 23 dhjetor, të vitit që lanë pas.

Z. Emini, 3 javë më parë Këshilli Administrativ i ISSH-së miratoi vendimin “Për faljen e detyrimeve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të invalidëve dhe ishminatorëve, që përfitojnë sipas ligjit nr. 150/2014”. Çfarë parashikon konkretisht ky vendim?
Në muajin dhjetor Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore mori një vendim që t’i propozojë Këshillit të Ministrave dhe më tej, Kuvendit, për një falje të disa borxheve që janë krijuar në llogaritë e pensioneve të disa invalidëve dhe disa ishminatorëve që kanë marrë pension si minatorë, por që kanë marrë pension në moshën 55 vjeç.

Përse ishin krijuar këto debi?
Historiku i krijimit të këtyre debive është i tillë për grupin e minatorëve. Një minator që del në moshën 55 vjeç nuk ka të drejtë që të marrë pensionin dhe njëkohësisht të punojë. Për këtë, të gjithë këta persona, kur kanë dorëzuar dokumentet pranë sigurimeve shoqërore, përveç dokumenteve që kanë provuar vjetërsinë e punës, etj. kanë dorëzuar dhe një dokument ku thuhet se nuk zhvillojnë aktivitet ekonomik. Faktikisht, një pjesë e tyre kanë zhvilluar aktivitet ekonomik. Ata që kanë dalë në pension janë rreth 3200 persona, por për një pjesë të tyre ka rezultuar se përveçse kanë marrë pension, kanë marrë dhe pagë nga puna. Kjo ka ardhur si pasojë e luftës kundër informalitetit, të ndërmarrë nga qeveria shqiptare ku midis të tjerash është edhe lufta kundër punës së zezë. Kështu që, të gjithë punëdhënësit kanë qenë të detyruar të deklarojnë punëmarrësit e vet.

Për çfarë periudhash flasim, pra kur janë krijuar këto debi?
Flitet për persona që kanë punuar në vitin 2016, për disa muaj ose përgjatë gjithë vitit.

Sa është masa e borxhit, që iu falet?
Borxhi i tyre vjen në nivelet që nga 15 mijë lekë të reja deri në 150 mijë lekë të reja.

Përse vjen ky propozim nga ana e ISSHsë?
Fakti që ISSH ndërmori këtë hap nuk ishte fakti që s’kishte dokumente që të provonim shkeljen e dispozitave ligjore nga këta persona, por jemi përpara kushteve kur këta janë një grup shoqëror me të ardhura të kufizuara, megjithëse janë në moshë të re sepse një burrë del 65 vjeç në punë. Sidoqoftë, duke qenë se janë pensionistë dhe kanë të ardhura të kufizuara, ndërkohë që edhe dispozitat ligjore janë të reja dhe ndoshta nuk e kanë fituar qytetarinë dhe nuk njihen mirë nga ata që e marrin këtë pension, u gjykua që t’i bëhet një propozim qeverisë dhe më pas Kuvendit, që të bëjë një amnisti vetëm për këtë periudhë. Ky është një propozim për të marrë një masë sociale, për të ndihmuar këta njerëz.

Po në rastin e invalidëve, përse janë krijuar borxhet?
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me invalidët: të plotë apo të pjesshëm. Nëse një person merr pension invaliditeti dhe është komisionuar në Komisionet Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punës (KMCAP), duke u përcaktuar si invalid që nuk mund të kryejë asnjë lloj pune, ky njeri absolutisht nuk ka të drejtë të punojë. Megjithatë ai mund të gjejë një punë të përshtatshme, sepse për shembull një invalid mund të mos ketë dy këmbët, por mund të punojë në një punë që është me karrige. Nëse kjo kategori personash e gjejnë një punë të përshtatshme, atëherë ata duhet të deklarohen pranë sigurimeve shoqërore, që t’u ndërpritet invaliditeti i plotë dhe t’u jepet një invaliditet i pjesshëm. Ata invalidë dhe të sëmurë janë dhe diçka duhet të marrin nga sigurimet shoqërore, por nuk mund të marrin një pension të plotë, i cili jepet vetëm atëherë kur nuk zhvillon aktivitet ekonomik.

Sa është numri i përfituesve nga ky vendim?
Ka pasur mjaft raste. Kanë qenë invalidë të plotë dhe janë verifikuar nga sigurimet shoqërore që realisht janë invalidë, por që kanë gjetur një punë të përshtatshme që mund ta bënin edhe pse ishin invalidë. Edhe për këta persona është propozuar që të ketë një falje të detyrimit të krijuar, i cili është në masën e pensionit të 2-3 muajve, dhe që shkon në masën e 4-5 mijë lekë të reja, por ka dhe invalidë që kanë edhe disa vite që punojnë.

Këtyre personave iu mbahet nga pensioni ky detyrim i krijuar?
Aktualisht ata janë në proces për t’iu mbajtur nga pensioni ose për të shkuar edhe te paditë, por është menduar që të propozohet kjo amnisti, sepse ata faktikisht janë invalidë dhe diçka duhet të përfitojnë nga sigurimet shoqërore. Ata nuk kanë qenë plotësisht të ndërgjegjshëm se çfarë veprimesh duhet të bënin pavarësisht se në dosjen e tyre është deklaruar që nuk zhvillojnë aktivitet ekonomik. Përveç këtyre janë dhe një kategori personash, jo e vogël, të cilët janë në kushtet e invaliditetit të pjesshëm dhe nga KMCAP është përcaktuar që duhet të punojnë me orar të reduktuar: në arsim, shëndetësi, ndërmarrje të ndryshme etj. Këta persona, megjithëse në kohën e komisionimit janë sjellë dokumente që punojnë me kohë të pjesshme, nga kontrolli që është bërë tani, ka rezultuar që këta persona kanë marrë pension të pjesshëm invaliditeti dhe ndërkohë kanë marrë dhe pagën e plotë. Nga studimi që i është bërë kësaj kategorie është konstatuar se ka arsimtarë që punojnë në fshatra, që nuk e kanë normën e plotë në arsim, pavarësisht se rrogën e marrin të plotë. Këta persona duhet të deklarohen se marrin rrogë për 6 orë, por faktikisht këtu kemi përplasjen që ai është invalid dhe duhet të marrë pensionin e invaliditetit, por edhe rrogën, sepse punon. Faktikisht, jemi në kushte kur përdorim fonde publike dhe natyrisht që fondet publike janë të harmonizuara me njëri-tjetrin. Për të gjitha këto, u mor vendimi nga Këshilli Administrativ i ISSH-së. Kjo masë, duke u kthyer dhe në ligj ndihmon këta persona që t’iu shkarkojë debitë e momentit, por ama krijon dhe një precedent që ndihmon këtë kategori, por që nuk duhet të përsëritet në të ardhmen.

Kjo është arsyeja që do të falen debitë e krijuara deri më datë 31 dhjetor 2016 dhe jo ato që krijohen pas kësaj date?
Po, nuk do të ketë më falje për debitë e krijuara pas kësaj date.

Keni informacion se kur do të kalojë për shqyrtim nga ana e qeverisë, propozimi juaj?
Jemi në kushtet e një propozimi nga Këshilli Administrativ, që më parë duhet të miratohet nga qeveria. Që ky propozim të shkojë në qeveri për t’u shqyrtuar duhet të merren mendimet e ministrive. Më konkretisht nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e Financave dhe ajo e Drejtësisë dhe më pas do të shkojë në qeveri. Ndërkohë që, nëse miratohet në qeveri ajo do të jetë objekt shqyrtimi në parlament, sepse gjithmonë amnistitë miratohen me ligj.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: