Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Investigimi/ Deklaratat e Ramës larg realitetit, aksi Qafë Kashar-Rinas prej muajsh pa drita (Video)

rruget pa drita

Nga: Erjon SKENDAJ

TIRANË- Edhe pse në 27 vite janë investuar qindra miliona euro për ndërtimin e rrugëve kombëtare dhe jo vetëm ato janë jashtë çdo standardi, fakt që konfirmohet nga vetë kryeministri Edi Rama i cili veçon si të vetmen rrugë me ndriçim dy segmente Tiranë-Qafë Kashar-Rinas. Këtë deklaratë të përsëritur ai e bëri gjatë komunikimit javor, si dhe në takimin e sotëm me bankierët.

Kemi një program masiv investimesh që ka filluar me rrugën e Arbrit por do të vazhdojë për t’i kthyer rrugët kombëtare në rrugë Europiane. Merreni me mend 27 vjet që natën në gjithë Shqipërinë ndriçohet vetëm aksi Rinas-Tiranë”,- tha Rama.

Por në këtë pikë shtrohet pyetja kur kryeministri ka udhëtuar për herë të fundit në rrugën që përmend pasi realiteti në terren tregon të kundërtën.

“News 24” ka investiguar në terren situatën që para një muaji dhe konstatoi se 12 km kabull ndriçimi në linjën Qafë-Kashari-Rinas janë grabitur totalisht. Ndërkohë që kilometra të tëra pa drita janë krijuar edhe në autostradën Tiranë-Qafë Kashar ku shkaku kanë qenë dy kabina elektrike të dala jashtë funksionit.

Elton Nasto menaxher i projektit për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare, një bashkëfinancim i Bankës Botërore dhe qeverisë së Shqipërisë i iniciuar në shkurt të këtij viti sqaron se “black out” në disa pjesë të autostradës është pasojë e amortizimit të dy kabinave elektrike që furnizojnë rrjetin e ndriçimit.

“Dy nga kabinat janë të amortizuara dhe kanë shfaqur herë pas here probleme duke qenë se kërkon një investim. Në radhë të parë i jemi drejtuar mbikëqyrësit të na japë mendim nëse janë pjesë e kontratës dhe i takojnë nënkontraktonit apo i takon ARRSH-së të bëjë mirëmbajtjen”,- tha ai.

Për pjesën e Rinasit nuk ka shumë për të konfirmuar pasi si kompania e mirëmbajtjes dhe drejtori i programit pohojnë skandalin e zhdukjes së gjithë gjatësisë së kabllit të ndriçimit.

“Jemi në dijeni të problemit. Sa i takon pjesës Qafë Kashar-Rinas kablli është vjedhur disa herë”,- shtoi Nasto.

Përballë vjedhjeve që nuk ndalen zgjidhja e propozuar është zëvendësimi i kabllit të bakrit me kabull me përbërje alumini që nuk ka vlerë si skrap.

Grabitja spektakolare e 12 kilometrave kabull ndriçimi u denoncua publikisht një muaj më parë nga vetë kompania e mirëmbajtjes, e cila në mënyrë të përsëritur i ishte drejtuar policisë së shtetit për ndihmë, por më kot.

Çuditërisht si kabulli dhe grabitësit avullonin dita me ditë duke e lënë më pak se një muaj të gjithë aksin në terr.

Vetëm pas denoncimit publik në News 24 ka ardhur edhe arrestimi i një personi të dyshuar si pjesëtar i grupit të hajdutëve ndërkohë që çështja I ka kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Por për qytetarët shqiptarë një gjë ka rëndësi më shumë se të tjerat, kur do të kthehet ndriçimi në këto dy akse strategjike.
(m.a/BalkanWeb)





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.