Treni serb i nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, por që është ndaluar në Rashkë dhe më pas është kthyer mbrapsht, ka tensionuar dukshëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan gazeta e njohur boshnjake “Dnevni Avaz”.

Kjo e përditshme raporton se treni është ndërtuar në Rusi, ndërsa slogani “Kosova është Serbi” është shkruar në 21 gjuhë të botës dhe natyrisht nuk është mirëpritur nga autoritetet kosovare.

Treni nuk arriti në destinacionin e tij, ndërkaq Serbia dhe Kosova po shkëmbejnë akuza të ashpra.
Me këtë rast, qytetarët boshnjakë kanë vendosur që të “tallen” me trenin serb. Ata kanë publikuar në rrjetet sociale një fotomontazh të versionit boshnjak të trenit i cili do të duhej të udhëtonte nga Sarajeva për në Beograd.

Ndërsa në trenin serb ishte mbishkrimi “Kosova është Serbi”, në “trenin boshnjak” shkruhet: “Byreku është me mish”.

Në lidhje me ngjarjen, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se provokimet e Serbisë ndaj Kosovës janë pjesë e “skenarit të vjetër për ndarjen e një pjese të Kosovës”. Ndërkohë presidenti serb Nikoliç e kryeministri Vuçiç, u shprehen gjatë deklaratave të tyre se “janë gati ta dërgojnë ushtrinë në Kosovë”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: