TIRANË- ­Gjykata e Tiranës ka përfunduar rigjykimin e ish-ambasadorit shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, të akuzuar për “deklarim të rremë të pasurisë”, duke e shpallur atë të fajshëm. Ish­-diplomati është dënuar me gjobë në masën 600 mijë lekë. Sipas Prokurorisë, i pandehuri ka shkelur ligjin në vitet 2006­-2007, kohë kur kishte detyrimin të deklaronte pasurinë e tij periodikisht pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.

Referuar akuzës, në tri deklarime të kryera gjatë këtij harku kohor Tepshi ka fshehur dy depozita bankare me 35 dhe 39 mijë euro. Vendimi gjyqësor ndaj Tepshit në Gjykatën e Tiranës është shpallur më 4 mars nga gjyqtari Lazër Sallaku. “Deklarimin fajtor të të pandehurit Qazim Tepshi për veprën penale të ‘deklarimit të rremë të pasurive nga personat e zgjedhur dhe nëpunësit publikë’ dhe dënimin e tij me 600.000 lekë gjobë”, thuhej në dispozitivin e vendimit. Në të njëjtin vendim, gjykata i jepte ish-­diplomatit një vit kohë për pagimin e kësaj shume, afat që nis nga dita që vendimi merr formë të prerë. Shqyrtimi i akuzës së ngritur ndaj ish­-ambasadorit Tepshi nisi në janar të vitit të kaluar dhe zgjati 24 seanca gjyqësore. Në këtë proces, ai u rigjykua në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Apelit të 28 marsit 2013, që prishi një vendim të mëparshëm të dhënë ndaj tij. I pandehuri Tepshi ka filluar detyrën e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke, më 12 shtator të vitit 2006.

PERBALLJA ME DREJTESINË

Ish­-ambasadori e ka nisur përballjen me drejtësinë në nëntor të vitit 2010, kur u dërgua si i pandehur për akuzën e “deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Hetimi ndaj tij nisi pas kallëzimit penal të ILDKP­-së ndaj tij në korrik të vitit 2009. Gjykimi i çështjes gjyqësore në ngarkim të tij zgjati gati dy vjet në Gjykatën e Tiranës. Në përfundim, shkalla e parë vendosi pushimin e çështjes në ngarkim të tij. Prokuroria e Tiranës e ankimoi këtë vendim në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 28 mars 2013 vendosi: “Prishjen e vendimit nr. 1326, datë 03.10.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues”. Ish­-diplomati i bëri rekurs në Gjykatën e Lartë vendimit të Apelit, rekurs që nuk u pranua. Në vazhdim çështja u regjistrua për rigjykim në shkallën e parë, shqyrtim që përfundoi të martën me shpalljen e fajshëm të Tepshit.

(m.k/PanoramaOnline/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: