TIRANE- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, biznesmeni Ndriçim Babasi ka sqaruar në një intervistë të shkurtër për “BalkanWeb” sherrin e ndodhur paraditen e sotme teksa demokratët bëheshin gati të nderonin Dëshmorët e Atdheut. Ai thotë se veprimi i tyre ishte mëse i drejtë, përballë asaj që e quajti “provokim nga ana e komunistëve”.

Babasi bën fajtor policinë që nuk ka ditur të koordinojë oraret për ta shmangur një përplasje të tillë. Ai shkon më tej kur thotë se komunistët kanë marrë bekimin e kryeminsitrit Rama për të provokuar me fotot e ish-diktatorit dhe thirrjet në emër të tij, për të cilin ka edhe një mesazh.

WhatsApp Image 2018-05-05 at 10.57.54

Zoti Babasi mund të na sqaroni si ndodhi përplasja mes përfaqësuesve të Partisë Demokraktike dhe veteranëve tek Varrezat e Dëshmorëve? A pati ndonjë të shoqëruar mes jush?
Në dijeninë time nuk ka asnjë të shoqëruar. Nuk mund të flas për një përleshje, por për një reagim të dhunshëm nga ana e komunistëve që vinin të provokonin me foton e “qoftëlargëtit”. Ne shkuam në orarin e caktuar për të bërë nderimet përkatëse dhe aty u ndeshëm me këtë grup. Ju thamë të hiqnin parullat dhe fotot sepse s’mund të vazhdohet me imazhin e “qoftëlargut” edhe pas 25 vitesh. Ata reaguan keq, kishin edhe shkopinj me vete. Por në të gjithë këtë histori, faji është i policisë. Ishte policia ajo që nuk diti të ndajë detyrat e veta. Kur ka aktivitet PS-ja, lejohen mbështetësit e PS, kështu ndodh me PD dhe me këta “qoftëlargëtit”, që duhet t’i kishin lënë në një tjetër orar.

Ju personalisht ishit mes atyre që u përfshinë në sherr?
Isha mes atyre që debatuan dhe po them që u bë shumë mirë që ndodhi ashtu. Le ta marrë vesh gjithë Shqipëria dhe Bota që PD është e fortë dhe mban qëndrimin e saj ndaj parullave të komunizmit. Ta marrin vesh edhe ata që i sollën aty

Kush mendoni t’i ketë sjellë aty?
Po ata nuk erdhën nga mendja e tre, janë të nxitur politikisht për të reaguar ashtu. Erdhën me qëllimin për të na provokuar, ishin provokatorë.

Pse i quani provokatorë?
Nuk i quaj, jam i bindur që ishin provokatorë, madje të organizuar mirë kësaj here. Por faji është i Edi Ramës, mbi të bien të gjitha përgjegjësitë

Keni një mesazh për kryeministrin?
Mesazhi i vetëm që kam për të është të rrijë larg nga këto akte provokatore. Të mos i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: