Salvador Kaçe, ish-futbollisti kombëtares shqiptare, i ftuar në emisionin “Fair Play nga Enkeleida Zeko” në “News 24”, duke marrë shkas nga ndeshja Kroaci-Angli ka deklaruar se shqiptarët bëjnë gabim që nuk i mbështesin fqinjët.

“Ne shqiptarët në përgjithësi jemi me Italinë, Gjermani dhe Brazilin. Kur nuk janë këto ekipe ne jemi kundër fqinjëve tanë. Në 2004 ne ishim kundër Greqisë. Futbolli është bashkim dhe është festë, ndaj duhet t’i mbështesim fqinjët.

90% e shqiptarëve dje nuk kanë qenë me Kroacinë. Ne duhet të jemi me fqinjët tanë sepse futbolli bashkon. Nuk i kuptoj këto zgjedhje edhe pse e di se është çështje mentaliteti.

Para një viti luajti Serbi-Kroacia dhe tifozët bërtisnin: ‘Mbytet mbyte kroatin që shqiptarët të mbesin pa vëlla’.

Dua të them që Serbia është tjetër dhe Kroacia është tjetër. Për më shumë trajneri Dalic ka qenë edhe në kampionatin shqiptar, me Dinamon. Për më shumë mjaft lojtarë kroat kanë luajtur në Shqipëri.”

(BalkanWeb)