Nga:Brikena METAJ

Ishte vetëm 19 vjeç kur përfundoi në birucat e kohës së diktaturës. Për 12 vjet ka përjetuar ferrin në Burgun e Spaçit, duke u përballur me vuajtjen, torturat, urinë, gënjeshtrën dhe mashtrimin. Ka qarë në heshtje kur ia kanë vrarë shokët para syve. Dhe pas shumë vitesh, në kohën kur sistemi i egër u përmbys, është rikthyer sërish në qelitë e burgut, duke veshur uniformën që ai e urrente aq shumë, atë të policit. Për afro 20 vjet të tjera (deri në vitin 2013), ka punuar si gardian në Burgun e Bënçës. Bëhet fjalë për 70-vjeçarin Neim Pasha, nga Tepelena, i cili tha se u dënua në vitin 1966 vetëm për një fjalë goje, me akuzën: “Agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisje”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Pasha tregoi dje tmerret që ka përjetuar në Burgun e Spaçit. Ai tha se i ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesë vrasja e shokut të tij, Naum Kondakçi, vëllai i këngëtares së njohur Liljana Kondakçi. Ndërsa, tregoi me detaje se si nisi revolta në burgun e Spaçit dhe si e ngriti flamurin me shqiponjën e vizatuar nga një i burgosur, por pa yllin me pesë cepa. Gjithashtu, ish-i burgosuri politik Neim Pasha deklaroi se për shumë vite i ka urryer policët, ndërsa arriti të kuptonte rolin e Policisë e tani ndihet me të vërtetë polic.

Kur ke rënë në burg për herë të parë dhe cila ishte arsyeja?
Isha vetëm 19 vjeç kur kam rënë në burg për herë të parë, më 4 qershor të vitit 1966. Arsyeja e burgosjes ishte një bisedë me dajat e mi për t’u arratisur në Greqi. E ndërsa vërtet isha përgatitur shpirtërisht për këtë hap, njëri prej dajave të mi, mori vetëm njërin vëlla dhe u arratis. Mua m’u duk si prerje në besë. Në gjyq u tha se grupi që do të arratisej ishte në ndjekje.

Si ishte për ty të qenët në burg në një moshë aq të re?
Kisha dëgjuar për burgun më parë edhe nga daja im. Edhe babai më këshillonte shpesh të tregohesha i kujdesshëm, sidomos nëse shoqërohesha me dajën që dikur ishte arratisur, sepse ai ishte përherë në ndjekje. Për një fjalë goje jam dënuar me 12 vjet burg. Nuk e dija që daja kishte ikur. Në atë kohë, ai punonte në Delvinë, ndërsa unë isha në Memaliaj, në minierë. Më arrestuan duke më thënë se unë kisha dijeni për arratisjen e tij. Më kanë torturuar shumë, dhe për një të ri në atë moshë, që është mosha e ëndrrave të bukura, kjo ishte shumë e rëndë. Në burg gjeta njerëz me botë të madhe, që kishin përfunduar studimet jashtë shtetit. Për mua ata ishin mësuesit e parë që më futën në botën e politikës, e cila deri atëherë ishte e panjohur për mua. Kam mësuar shumë prej tyre. Mësova të vërtetën e madhe se çfarë ishte ai sistem dhe çfarë thuhej për të. Në burg njoha vuajtjen, mashtrimin, gënjeshtrën, urinë.

Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://www.gsh.al/2017/06/16/ish-i-burgosuri-politik-12-vjet-perjetova-ferrin-e-spacit-pashe-si-u-pushkatua-vellai-i-kengetares-liljana-kondakci/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: