TRIESTE-Të transformosh ish-kampin e përqendrimit të Mamulës në një resort turistik luksoz. Ky është qëllimi i qeverisë malazeze, që sot dhe nesër do të ndjekë nga afër punimet në parlament mbi kontratën e diskutueshme të privatizimit, ku kompania zvicerano-egjiptiane “Orascom” mbetet në krye të ofertave për projektin e transformimit të këtij kampi.

Kështjella austro-hungareze, e lokalizuar në një ishull të pabanuar në hyrje të Gjirit të Kotorrit (UNESCO), është përdorur si kamp përqendrimi gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur kjo zonë ishte e pushtuar nga trupat e Musolinit.

Duke qenë se pjesa më e madhe e të burgosurve ishin banorë lokalë, nuk të habit fakti se shumica e qytetarëve të sotëm konsiderojnë se një resort luksoz turistik nuk është mënyra më e mirë për të vlerësuar këtë kështjellë. Ata duan ta shohin atë si një muze, në respekt të historisë. Sipas të dhënave, të paktën 130 persona nga 2 300 të burgosur, në kampin e Mamulës janë vrarë apo kanë vdekur nga uria përgjatë pranverës së 1942-isht dhe vjeshtës së 1943-it.

Një zë i fuqishëm kundër projektit të “Orascom”-it është ai i Butros Butros Galit, ish-sekretar i përgjithshëm i OKB-së, që në një letër dërguar kryetarit të parlamentit malazez, Ranko Krivokapiç, deklaron se ”të bën përshtypje fakti që zgjidhja e vetme për të vlerësuar këtë kështjellë duket se është një marrëveshje e pastër ekonomike”. Nga ana e tyre, investitori dhe qeveria premtojnë se projekti do të respektojë historinë e ishullit me një dhomë kushtuar kujtimit të viktimave, edhe pse një gjë e tillë nuk figuron në projektin që është i disponueshëm në mamulaisland.com.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: