Ish-kapiteni dhe një lojtarë ikonë i klubit të Tiranës, Elvis Sina, ka rrëfyer momentet e para të përjetuara në familjen e tij pas rënies në Kategorinë e Parë të klubit bardheblu. Sina në intervistën për “panorama sport” ka treguar se e kishte të pamundur t’i pushonte së qari fëmijët të cilët nuk e pranonin këtë fakt.

Ai gjithashtu drejtoi gishtin edhe tek fajtori ku për të përgjegjës është padiskutim presidenti Refik Halili.
Elvis-Sina
NDJESIA
I pyetur për emocionet dhe ndjesinë fillestare në momentin që përfundoi ndeshja finale për mbijetesën, Sina është shprehur: “Nuk di çfarë të them. S’e përshkruaj dot. Po ju them vetëm që fëmijët nisën të qajnë me dënesë dhe nuk po i pushoj dot. Ka kaluar gati një orë nga mbarimi i ndeshjes dhe vetëm po qajnë”, shprehet fillimisht ish-kapiteni.

SHKAKU
Sina është i prerë në etiketimin e shkaktarëve dhe e argumenton me atë që ka ndodhur gjatë gjithë sezonit. Sipas tij, numri një i skuadrës është edhe personi me përgjegjësinë më të madhe dhe i pyetur për fajtorët, ai përgjigjet:

“Presidenti! Ai e ndërtoi ekipin si deshi. Ai e bëri këtë merkato dhe normalisht është përgjegjësi kryesor. E kam thënë disa muaj më parë, që kur bënë marrëveshjen me Kukësin. E kam deklaruar që nuk duhej bërë sepse e rrezikonte shumë ekipin dhe ja çfarë ndodhi”.

HISTORIKE
Në fjalën e tij, një nga lojtarët që ka qenë pjesë e historisë së lavdishme të bardhebluve, i pyetur nëse e kishte menduar ndonjëherë që Tirana do të luante në Kategorinë e Parë, ka thënë: “As nuk kishte shanse që ta mendoja ndonjëherë diçka të tillë!”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb