TIRANE – Një ditë pas dorëheqjes nga detyra e kreut të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Arben Seferaj është shfaqur në krah të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë në një konferencë për mediat për të shuar zërat mbi arsyet e largimit të tij nga kjo detyrë. Bashkë me ta ka qenë edhe kreu i sapoemëruar i OSHEE-së, Adrian Çela.

Ashtu si në njoftimin zyrtar të MEI-t edhe në këtë dalje publike, ministri Gjiknuri ka deklaruar se arsyeja e dorëheqjes së Seferajt është personale, ndërsa vetë Seferaj ka vlerësuar punën e bërë në krye të OSHEE, punë që sipas tij, ka sjellë reduktimin humbjeve me 10.1 miliardë lekë.

“Ne e gjetëm kompaninë në prag kolapsi. Një vit më parë humbjet ishin 15 miliardë sot janë 5.1 miliardë. Kemi kursyer rreth 10.1 miliard lekë. Në muajin janar 2013 humbjet ishin 47% sot janë 38.3%. Të ardhurat e realizuara janë rreth 5.3 miliard lekë më të larta, ku pjesën kryesore e zënë ato nga shitja e energjisë si pasojë e uljes së ndjeshme të humbjes në rrjet nga 47% në 38.3%, duke shitur rreth 3.1 miliard lekë më shumë. Tejkalimi në të ardhurat e tjera vjen kryesisht nga arkëtimi i kamatëvonesave”, ka thënë ish-drejtori i OSHEE.

Seferaj u shpreh se me uljen e shpenzimeve janë kursyer rreth 4.8 miliardë lekë në krahasim me vitin 2013. Sipas ish-kreut të OSHEE në periudhën janar–tetor 2014 është faturuar 3.041 milionë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2013, nga kjo në muajin tetor 2014 u faturuan 790 milionë lekë më shumë se në Tetor 2013.

“Që prej intensifikimit të operacionit në terren pas datës 27 tetor 2014 numri i prerjeve të lidhjeve të paligjshme arriti në 51 592 ku numrin më të madh e zë Tirana me 13 410 prerje lidhjesh të paligjshme dhe debitore. 569 persona janë arrestuar për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve me energjinë elektrike ku sërish vetëm në Tiranë numërohen 210 raste”, ka thënë Seferaj.

Ish-kreu i OSHEE, ka deklaruar edhe një herë se dorëheqja e tij është për motive personale dhe i faturohet pamundësisë për të ndjekur zhvillimet dhe dinamikën e kompanisë. “Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, iniciativat dhe implementimin efikas te një plan-veprimi konkret qe mundësoi arritjen e rezultateve impresionuese ne aspektin menaxherial e financiar, në kushtet kur dinamika e zhvillimeve rritet dhe pamundësia për arsye personale (familjare) kushtëzon prezencën dhe kontributin e nevojshëm, ndjehem i obliguar te paraqes dorëheqjen time nga pozicioni dhe funksioni aktual”, është shprehur Seferaj!

Nga ana tjetër ministri Damian Gjiknuri tha se shifrat për punën e kryer nga OSHEE, nuk lënë vend për aludime dhe se dorëheqja e Seferaj është për arsye personale.

DEKLARATA E PLOTË E ISH-KREUT TË OSHEE, ARBEN SEFERAJ
Morëm nën administrim një kompani që ishte në prag kolapsi dhe krejtësisht e rrënuar nga të gjithë treguesit financiarë. Borxhet arrinin miliarda lekë ndërsa nevoja për investime ishte urgjente. Niveli i faturimit dhe arkëtimeve ishte tejet problematik. Po kështu edhe të dhënat për humbjet teknike dhe ato jo teknike kishin nevoje për ndërhyrje drastike. E nisëm punën me tjetërsimin e mënyrës së menaxhimit të kompanisë, duke e parë veten si pjesë të një mekanizmi që duhet të dilte me domosdo nga kriza, për të shmangur një ngërç total të sistemit. Po punojmë fort ne tjetërsimin e kësaj kompanie përmes një plani veprimi te detajuar, dhe me synime e objektiva të qarta. Premtuam përpara Entit Rregullator të Energjisë, ERE, një riorganizim tërësor përmes hartimit dhe implementimit të strukturave të përshtatshme efikase e të qarta për të rritur nivelin e menaxhimit, ndarjen e përgjegjësive ndërmjet njësive organizative, një raport të drejtë mes strukturave qendrore dhe atyre të rrjetit kombëtar, si dhe ndarjen dhe ndërveprimin funksional ndërmjet njësive organizative të biznesit dhe atyre të suportit. Kemi krijuar një ekip menaxherial profesional nëpërmjet afrimit të një grupi profesionistësh me cilësi të spikatura menaxhimi dhe eksperience, si dhe kemi identifikuar mbështetur dhe motivuar stafin me qëllim rritjen e performancës. Aktualisht, treguesit ekonomiko-financiare te kompanisë janë përmirësuar si asnjëherë më parë dhe këtë e provojmë me rezultate dhe shifra.

Aktiviteti i Kompanisë se Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për periudhën Janar – Tetor 2014 ka rezultuar me një përmirësim të jashtëzakonshëm në krahasim me atë të vitit 2013. Kemi kursyer rreth 10.1 miliard lekë, duke patur një humbje prej vetëm 5.1 miliard Lekë në krahasim me 15.2 miliard Lekë të vitit 2013.
Të ardhurat e realizuara janë rreth 5.3 miliard Lekë më të larta, ku pjesën kryesore e zënë ato nga shitja e energjisë si pasojë e uljes së ndjeshme të humbjes ne rrjet nga 47 % në 38,3%, duke shitur rreth 3.1 miliard Lekë më shumë. Tejkalimi në të ardhurat e tjera vjen kryesisht nga arkëtimi i kamatëvonesave.
Me uljen e Shpenzimeve kemi kursyer rreth 4.8 miliard Lekë në krahasim me vitin 2013.
Shpenzimet për energji dhe transmetim janë 451 milion Leke më të ulëta duke marrë parasysh edhe efektin e çmimit prej 1,941 milion Lekë si rezultat i blerjes nga KESH me çmim eksporti në Pril –Qershor 2013.
Tejkalimi në shpenzimet operative lidhet me gjobat nga organet tatimore për mospagim të tatim fitimit të vitit 2013.
HUMBJET NE RRJET
Po ndalem specifikisht te reduktimi i nivelit te humbjeve ne rrjet.
Nga 47% që ishte niveli i humbjeve në Janar 2013 arritëm që ta reduktonim me gati 9%. Aktualisht, niveli mesatar vjetor i humbjeve shënon 38.3 %. Ndërkohë nisja e këtij operacioni në terren që prej dhjetorit 2013 ka dhënë impakt pozitiv duke çuar drejt një rënie progresive të nivelit të humbjeve nga muaji në muaj. Humbjet e regjistruara në Tetor 2014 ishin 34.52%, ndërsa presim përmirësim të mëtejshëm të këtij treguesi për muajin nëntor, nisur edhe nga mbështetja e qeverisë ne operacionin e ndërmarrë në terren.
Po kështu ne trendin e ndryshimit te humbjeve kemi një ulje të energjisë se konsumuar ne vitin 2014 prej 26% kundrejt energjisë se konsumuar ne vitin 2013.
ARKETIMET
Në periudhën Janar – Tetor 2014 është faturuar 3,041 milion Lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2013, nga kjo në muajin Tetor 2014 u faturuan 790 milion Lekë më shumë se në Tetor 2013.
Arkëtimet kanë patur një përmirësim tejet të ndjeshëm në vitin 2014 në krahasim me vitin 2013. Kështu në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2013 arkëtimet janë rritur me 6,480 milion Lekë. Arkëtimet e periudhës Janar – Tetor 2014 janë realizuar 86.7% në krahasim me 75.8% gjatë periudhës Janar – Tetor 2013.
Tejkalimet kanë qenë të ndjeshme për çdo muaj të vitit. Ne Shtator dhe Tetor 2014 ka patur një realizim 102.6% dhe 101% ndërsa në vitin 2013 respektivisht 78.4% dhe 84.2%.
Arkëtimet për muajin Nëntor 2014 janë rritur me 49% ose me 1.499 mld lekë me shumë krahasuar me nëntorin e 2013. Rritja është reflektuar si ne arkëtimin te faturës korrente ashtu dhe për faturat debitore. Është mundësuar arkëtimi me mbi 4 mld leke ose 100% te faturës për këto 2 muaj ( Tetor dhe Nëntor).
Rritja është reflektuar mbi 62% tek arkat si efekt i akt-marrëveshjeve që nënshkruajnë debitorët pranë arkave tona, por kemi rritje dhe tek arkëtimet e Postes, e cila arkëton kryesisht faturën korrente. Edhe institucionet Buxhetore kane rritje krahasuar me një vit me pare.
KONTRATAT E REJA
Mbi 7.555 qytetare lidhen kontrata me OSHEE-në brenda një muaji nga nisja e operacionit për t’i dhëne fund vjedhjes se energjisë. Mbi 8.200 akt-marrëveshje u firmosen me abonentët debitorë vetëm për një muaj duke e çuar ne rreth 21 mije numrin e qytetareve qe ligjëruan raportin me OSHEE duke u bere abonentë te rregullt.
AKT- MARREVESHJET
Ndërmarrja e këtij operacioni, ka rezultuar edhe në një rritje të konsiderueshme të numrit të abonentëve, të cilët kanë nënshkruar akt- marrëveshje për likuidimin me këste të detyrimeve të akumuluara.
PRERJET
Që prej intensifikimit të operacionit në terren pas datës 27 tetor 2014 numri I prerjeve të lidhjeve të paligjshme arriti në 51 592 ku numrin më të madh e zë Tirana me 13 410 prerje lidhjesh të paligjshme dhe debitorë. 569 persona janë arrestuar për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve me energjinë elektrike ku sërish vetëm në Tiranë numërohen 210 raste.
Jashtë këtij operacioni nuk kanë mbetur as një pjesë e vet punonjësve tё OSHEE-sё. Nё çdo rast, kur ёshtё provuar se njё punonjёs i operatorit ka qenë i pёrfshirё nё lidhjen e jashtëligjshme tё energjisë, ligji dhe Policia e Shtetit ka vepruar dhe mbi ta. 48 persona të arrestuar janë nga radhët e OSHEE-së, ku Fieri dhe Elbasani kanë edhe numrin më të lartë. Kemi bërë 611 denoncime në Prokurori , prej të cilave 363 në Tiranë dhe 111 në Fier.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, iniciativat dhe implementimin efikas te një plan-veprimi konkret qe mundësoi arritjen e rezultateve impresionuese ne aspektin menaxherial e financiar, ne kushtet kur dinamika e zhvillimeve rritet dhe pamundësia për arsye personale (familjare) kushtëzon prezencën dhe kontributin e nevojshëm, ndjehem i obliguar te paraqes dorëheqjen time nga pozicioni dhe funksioni aktual!
Dëshiroj të falënderoj edhe atë pjese te stafit te OSHEE për punën plot përkushtim dhe profesionalizëm që beri te mundur arritjen e këtyre rezultateve te larta.
Me bindjen dhe besimin ne mbarëvajtjen e mëtejshme të ecurisë pozitive te kompanisë dhe tuajën personalisht, sinqerisht suksese ne vijimësi!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb