Hilë Lushaku: Gushti ’91, kur mësyheshin anijet*
Rrëfimi: Si e shembën protestuesit, monumentin e Hysni Kapos në Vlorë*

Libri “Specialët-elita e Policisë Shqiptare” u kushtohet heronjve paqësorë, policëve të akteve sublime, sambistëve të heshtur, atyre që meritojnë përulje e respekt për veprat që kryejnë”. Kështu e nis parathënien e botimit të tij, ish-komandanti i forcave speciale, Hilë Lushaku. Ish-kreu i RENEA-s, tani studiues i çështjeve të policisë ka bërë një kronologji të forcave speciale shqiptare që nga viti 1982. “Këtë libër e shkrova i motivuar e i nxitur nga ndjenja të pastra përkundër synimeve e tendencave dashakeqe të të paditurve për deformimin prej tyre të të vërtetave për forcat speciale shqiptare.
Çdo e dhënë bazohet në dokumente arkivore të papublikuara, në të dhëna mediatike të kohës dhe në informata, rrëfenja e kujtime të protagonistëve të forcave speciale”, thotë Lushaku në këtë libër. “GSH” vazhdon sot pjesën e nëntë të publikimit të këtij libri, që hedh dritë mbi veprimtarinë e repartit elitë të policisë shqiptare.

(vijon)
Pas dorëheqjes së qeverisë së kryesuar nga Fatos Nano, edhe gazeta e opozitës, “RD-ja”, u vu në rol propagandues për të parandaluar veprat kriminale. Në disa numra radhazi ajo i cilësoi tronditëse ngjarjet që po ndodhnin në vend. Në një shkrim të saj shkëputa: “Mjaft nga njoftimet që po jepen çdo natë kohët e fundit në TV dhe në mjetet e tjera të informimit masiv janë vërtetë tronditëse… Në Lezhë, një njeri, pasi ka kryer disa vjedhje e krime të tjera, pasi ka qëlluar me armë e ka plagosur njerëz, është ngujuar në një shtëpi fshati e mban peng pjesëtarët e kësaj familje, si në filmat me sherifa e kriminelë të specializuar… Ç’janë këta kriminelë (në asnjë mënyrë nuk mund të quhen ndryshe), që vrasin, djegin, vjedhin e shkatërrojnë? Ata kurrsesi nuk i përkasin e s’duhet t’i përkasin asnjë force politike apo organizate shoqërore. Atyre gjithsesi u mungon gjëja kryesore: të qënit njerëz. Persona të tillë që mund të kenë shumë emra: hajdutë, rrugaçë, forca të errëta, por që kanë vetëm një mbiemër: kriminelë, nuk lindën e u bënë të tillë tani. Ata kanë qenë diku të strukur mes nesh, por që përfituan…”. Ndërsa “RD” nisi mbështetjen për Policinë, “ZP” publikoi njoftimin e zëdhënësi të MRP, duke prezantuar listën e gjatë të disa vjedhësve, ndërmjet tyre…

Shërbimet e pafund sollën ndikime negative në gjendjen morale të repartit special, madje edhe shkelje të rënda. Referuar shkresës nr.159, datë 3.06.1991, evidentohet se në repart ka pasur indisiplinime dhe për rrjedhojë edhe largime nga puna, ku përmend se janë liruar 43 policë, prej tyre 30 janë tërhequr vetë nga mospërballimi i streseve të krijuara në shërbime, 5 janë liruar për shkaqe të nevojave familjare dhe 8 të tjerë kanë braktisur detyrën e janë arratisur jashtë shtetit.

Ndërkohë vijonin shërbimet edhe për mbajtjen e rendit në disa qytete si Shkodra si dhe garantimi i qetësisë e vendosja e rregullit në trenat e linjave të udhëtarëve Tiranë-Shkodër, Tiranë-Vlorë e Tiranë-Pogradec. Krahas shërbimeve të panumërta për rivendosjen e rendit, mbështetjen e shërbimeve të policisë në mbrojtjen e institucioneve dhe objekteve ekonomike që po vidheshin, digjeshin apo shkatërroheshin pas zbrazjes së tyre, specialët u përballen në shumë raste edhe me situata me persona të armatosur, sikurse ishte shërbimi i kryer në Lezhë, të cilin e pasqyron informacioni dërguar Drejtorisë së Policisë Popullore me shkresën nr.167, datë 7.06.1991: “Për veprimet e një grupi të repartit 326, dërguar në ndihmë të Degës së Punëve të Brendshme, Lezhë”, me përmbajtjen në vijim…
Në këtë periudhë në vend po prezantoheshin edhe krime të tjera, të panjohura më parë, sikurse ishin falsifikimi i vizave e pasaportave për jashtë shtetit, disa prej të cilave u publikuan dhe në listën e personave rezultonin edhe emra të personaliteteve të dëgjuara në disa fusha të jetës së vendit. Po kjo gazetë publikon lajmin për kundërpërgjigje të ashpër të policisë në Elbasan, më 7 qershor, ndaj dy personave të armatosur (Vasjar Tabaku, i dënuar për grabitje me armë zjarri dhe Avni Qerimi) që kundërvepruan me zjarrin e armëve ndaj patrullës së policisë, por në këtë përballje Avniu u plagos në këmbë e më pas vdiq në spitalin e Elbasanit.

Shkrimtari i shquar Anastas Kondo dha alarmin me shkrimin sensacional për ngjarje plotësisht të vërteta, titulluar “Eksodi i bebeve apo mafia e foshnjave”, duke “zgjuar” vëmendjen për këtë lloj trafiku, i cili do ta rëndojë gjithnjë e më shumë shpirtin njerëzor të njerëzve të drejtësisë e të policisë për heshtjen ndaj këtij fenomeni të tipit racist afrikan.

Përdorimi i repartit 326 në shërbime, në fillimin e muajit qershor e në vijim duket haptazi se u pëlqye edhe nga opozita e cila, sikurse përmenda më lart, pas krijimit të kabinetit qeveritar të kryesuar nga Ylli Bufi, u bë pjesë e kabinetit qeveritar dhe mori përgjegjësi për stabilizimin e situatës në vend. Në mesin e qershorit, më 16.06.1991, erdhi për vizitë në Shqipëri zëvendëskancelari dhe ministër Federal i Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Hans Ditrih Gensher dhe në situatën kaotike që ishte përfshirë Shqipëria, kërkohej me doemos angazhimi në shërbime kyçe i specialëve. Zhvillimet politike, por veçmas edhe ardhja e Gensherit, duket se zbuten ashpërsinë ndërmjet grupimeve dhe nxitën angazhimet e tyre për stabilizimin e situatës, ashtu sikurse ishin “ujdisur” kur detyruan Nanon të dorëhiqej. Kjo solli edhe deklaratën e Kuvendit Popullor “Mbi gjendjen dhe forcimin e rendit publik”, publikuar më 18 qershor, përgatitur nga Komisioni i Mbrojtjes, i Ruajtjes së Rendit Publik dhe Sigurimit të Vendit, bazuar mbi raportin përkatës të MRP.

Deklarata fillonte me gjendjen e rendit në vend, duke u shprehur se kohët e fundit ajo është rënduar, janë shfaqur disa fenomene si: kundërvënie të hapura nga grupe e individë të veçantë duke ushtruar presion ndaj policisë; janë shtuar vrasjet dhe plagosjet me armë zjarri, kërcënime dhe rrëmbime fëmijësh në shkolla, vjedhje të pasurisë qytetare dhe shtetërore, shfaqje të terrorizmit e vandalizmit në mjaft njësi të shërbimit ndaj popullit, largime të kundërligjshme nga vendi, të cilët kanë shtuar pasigurinë e gjithë shtresave të shoqërisë shqiptare. Deklarata evidentoi se në radhët e forcave të rendit vihet re tërheqje në zbatimin e ligjeve, ndërsa nga organet e hetuesisë, prokurorisë, gjykatës nuk është siguruar mbështetje e plotë për stabilizimin e qetësisë aq të nevojshme për popullin tonë. Kuvendi deklaroi e sugjeroi:

1) MRP, Prokuroria e Përgjithshme, Hetuesia dhe Gjykata brenda një kohe sa më të shkurtër të përcaktojnë masa konkrete dhe të efektshme për zbatimin e plotë dhe pa hezitime të ligjit kudo e mbi këdo.

2) Të gjitha partitë e organizatat politike, sindikatat të angazhohen për mënjanimin e situatës, të pasigurisë e mosbesimit dhe t’u bëjnë thirrje simpatizantëve të tyre për të respektuar ligjet dhe marrëveshjen politike që çoi në formimin e Qeverisë së Stabilitetit të vendit. Të mbështesin më fuqimisht direkt organet e rendit e të drejtësisë për realizimin me efektivitet të detyrave.

3) Në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Laç, Elbasan, Fier, Vlorë grupe deputetësh të marrin takime me organet e pushtetit në rrethe, përfaqësues të partive politike, sindikatave, sektet fetare, organet e rendit, drejtësisë etj. për të dëgjuar e diskutuar mbi gjendjen aktuale dhe parashtruar detyrat e shqetësimet e Kuvendit Popullor për stabilizimin sa më parë të qetësisë sociale.

4) Këshilli i Ministrave me përparësi të studiojë e paraqesë sa më parë për miratim ligjet: a) Për Statusin e Ushtarakut; b) Për Organizimin e Policisë; c) Për Sigurimin e vendit; ç) Për Rendin Publik; e) Për Mbrojtjen e Armëve.

5) Organet e pushtetit në rrethe dhe MRP të marrin masa për trajtim me përparësi të forcave të policisë me strehim e punësim të familjeve të tyre.
6) MRP të kompletojë me veshje, pajisje e bazë materiale të nevojshme forcat e rendit për kryerjen e detyrave funksionale e të vendosë lidhje me shtete për kryerjen e detyrave.

7) Forcat e Ruajtjes së Rendit të rrisin efektivitetin në kryerjen e detyrave të tyre, duke pasur besim të plotë se ato i mbron ligji dhe populli.

8) Në fillim të sesionit të ardhshëm MRP të raportojë në Kuvendin Popullor për punën e bërë në stabilizimin e rendit dhe qetësinë publike.

Pas Gensherit, më 22 qershor 1991, në Tiranë mbërriti sekretari i jashtëm amerikan Xhejms Bejker, për të dhënë mesazhin e demokracisë. Duke kujtuar atë ditë, ai, ka shkruar: “Në një platformë prej druri në sheshin kryesor të Tiranës para 300 mijë njerëzve dhe mijëra të tjerëve që më shoqëronin deri në aeroport unë thashë se: “…liria punon dhe ju jeni të lirë të mendoni”. Në këtë rast reparti 326 ka qenë i angazhuar 100% në shërbim për garantimin e qetësisë dhe sigurimin e normalitetit në Tiranë.
Në muajin qershor 1991 komanda e repartit prezantoi alarmante gjendjen e krijuar për jetesë në repart, ngaqë është shtuar efektivi sambist me një kompani dhe nuk kanë ku të flenë (janë 30 vetë në një kapanon), të çlodhen, të lahen, e të tjera nevoja minimale jetese.

Në ditët në vijim reparti pati humbje edhe në armatime e pajisje speciale. Shkresa nr.26, datë 29.06.1991, e komandës së repartit, drejtuar Drejtorisë së Policisë, bën me dije se gjatë 6-mujorit të parë të viti 1991 mungojnë 15 pistoleta, prej të cilëve dyshohet (apo pretendohet) se tre kanë humbur në fjetoret e repartit ndërsa 12 të tjera ende nuk janë dorëzuar nga policët që janë larguar jashtë shtetit. Në listë janë shënuar policët sambistë…

Skenari i zhvillimeve politike, pas krijimit të qeverisë së stabilitetit, në vijim ishte fokusuar në goditjen kundër Ramiz Alisë, duke shfrytëzuar poltronin e Parlamentit dhe shtypin e përditshëm. Nga ana tjetër, e akuzuar nga partia në pushtet, opozita filloi të luajë rolin e mbrojtësit të shërbimeve të policisë. Neritan Ceka, njëri nga personazhet me kontribut në proceset demokratizuese, ndryshe nga sa kishte akuzuar, shkroi se në Tiranë janë shtuar krimet në masën 90% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Artikulli “Policia në provë” ishte apel i tërthortë për specialët që të vihen në rolin e tyre të përcaktuar me ligj e të “harrojnë” kritikat e mëparshme. Në vijim pati shkrime edhe me thirrje për reformë në polici, por në asnjë vend nuk është shkruar ndonjë fjalë me kritika apo akuza për forcat speciale.

Opinioni publik nisi të shprehej me guxim për gjendjen e rëndë të rendit, madje tashmë edhe publikisht. Drejtori i shkollës së mesme “Sami Frashëri”, në Tiranë, Veiz Lelo, denoncoi te gazetari Dine Nishova se në datat 26-27 qershor janë shkulur pllakat e mermerit në murin rrethues të shkollës, e tashmë ka mbetur të shkulet edhe shkolla me ndonjë vinç. Askush nuk reagon, shprehet drejtori, edhe pse pllakat hiqen me vare…Ku janë forcat e rendit? Flenë apo punojnë natën?…dhjetëra shkelje për ditë, vjedhje deri vrasje, denoncon gazetari.

Dhuna nuk njeh zot, nuk njeh kufi, ajo ka shpërthyer madje edhe në vendet e drejtësisë. Në rubrikën që hapi shtypi qeveritar: “Qetësi, stabilitet: ja çfarë kërkojnë njerëzit”, gazetari Sokol Gruda denoncoi një ngjarje të pazakontë në shkrimin e titulluar: “Pas një rrëmuje në “shtëpinë” e ligjit”, ku rrëfehet ndodhia e një incidenti në gjykatën e Tiranës, ngjarje që përbën një “ekscepsion”-shprehet Gruda, ku u gjykuan dy ushtarakë për shkelje të rregullave të shërbimit, përkatësisht një oficer e një ushtar, dhe mbasi gjykata ktheu çështjen për plotësim hetimesh, pas pak në sallë shpërthehet dera e në sallë depërtojnë njerëz që qëllojnë me grushte e me shkelma oficerin që gjykohej, kurse ushtari hidhet nga dritarja e katit të dytë e jashtë për t’i shpëtuar dhunës. Shfajësimi i organeve kompetente: kemi vetëm një polic në gjykatë. Konkluzioni i gazetarit: njerëzit e zbatimit të ligjit dhe opinioni shoqëror janë tulatur, paqja sociale është tronditur, njerëzit po provojnë të befasuar e me dhimbje ndjenjën e frikës e të pasigurisë. Vjedhjet klandestine u “legalizuan”, fyerjet publike e rrahjet u bënë modë. Qetësia është sikterosur, jemi shtet pa shtet, “shejtanët”-telashe dolën nga shishja, pasiguria e jetës po shtohet, njësitë tregtare i kanë marrë në kontroll vjedhësit, rrugëve zhurmon ankthi. Njerëzit pyesin: “A ka zot ky vend, a ka ligj e shtet”? Po policia? Po ligji?

Edhe shkrimi “Indiferentizëm pa cak”, i Bashkim Koçit, është fshikullues për forcat e rendit, që janë duke u shformuar në përgjegjësi e në etikë. Kritika fillon nga Elbasani ku policët janë kthyer në shpërndarës buke (të ndihmës që po i jepej popullit-H.L.) dhe marrin lekë nga qytetarët e i fusin në xhep. Kritika vijon me tulatjen e policëve indiferentë. Diku i vihet zjarri një magazine, diku ditën për diell vidhet dyqani i shtetit, diku grabitet një qytetar që i hiqet me dhunë ora nga dora nga persona që nuk ka zot t’i pengojë, të gjithë kërkojnë ndihmë, thërrasin a ka shtet për të bërë zap këta që vrasin e shkatërrojnë. Dhe…s’kemi ç’bëjmë, kjo është fuqia jonë? Pasiguri e panjohur kurrë më parë,…a kjo është demokracia që dëshiruam?! E njëjta gjendje kudo, ditë e natë… ku qytetari njofton në polici se i kanë vjedhur shtëpinë, polici shprehet i qetë: “Nuk të vjedhkëkan të gjithë pallatin”!
Jo më pak kritik për forcat e rendit është edhe Kastriot Kucaj, i cili shkroi: “A ka Polici”?, duke theksuar se policët shikojnë e konstatojnë vjedhje në mes të qytetit e nuk veprojnë, vagabondë që dhunojnë shitësit në prani të policëve që bëjnë sehir, polici nuk ka nuhatje për kontrabandistët, falsikatorët, spekulantët e fabrikuesit e pijeve alkoolike që marrin edhe jetë njerëzore, policët po shiten për 5 lekë, janë tërësisht indiferentë edhe kur para syve të tyre shiten mallra kontrabandë e policët nuk kërkojnë të kontrollojnë apo verifikojnë nëse ndokush ka ndonjë faturë malli. Fillimi i korrikut nuk ka qetësi për policët por edhe kritikat ndaj tyre nuk kanë më doreza. Në shkrimin: “A ka shtet”, Shyqyri Meko evidentoi ndodhi të padëgjuara, kërcënime, grabitje, përdhunime, vrasje, sulme mbi depo e dyqane në mes të ditës, zaptohen shkolla e objekte të tjera, kudo ligjin e bën rruga, në kufi qarkullojnë vlera e antivlera…A ka ligj? A ka shtet? Gëzim Isufi, në shkrimin: “Në emër të qetësisë së jetës”, u drejtohet parlamentarëve me një pjesë hyrëse duke denoncuar e demaskuar “me doreza” aktet vandale e dhunën që po ndodh, por me një parantezë kritike edhe për kalemxhinjtë e fushës së sigurisë duke iu kujtuar atyre me nënkuptim se çfarë solli banda e Xhevdet Mustafës, që duket i parapriu një terrorizmi të fshehur e të papranuar në vend dhe më tej ai u bën thirrje atyre që të mbështesin policinë e të vlerësojnë perspektivën e policisë dhe urgjentisht t’i paraprijnë asaj me miratimin sa më parë të ligjit për policinë. Nuk vonoi shumë dhe më 6 gusht 1991 u paraqit për dekretim, te Presidenti Ramiz Alia, ligji për Policinë, i cili u dekretua më 8 gusht.

Ngjarjet skandaloze në fushën e sigurisë nuk përjashtojnë as objektet e Kryqit të Kuq Shqiptar, të cilat sulmohen e vidhen. Ndërkohë zëdhënësi i MRP nuk rresht njoftimet për kapje e shoqërim vjedhësish, të identifikuar e provuar si autorë të disa vjedhjeve por që hetuesia i liron. Ndonëse e tulatur policia tregoi në ndonjë vend edhe “dhëmbët”, sikurse ndodhi në Kamzë, kur patrulla e Policisë u përball me disa vjedhës dhe në përpjekje për ndalimin e tyre, në bashkëveprim me patrullat e tjera, duke vepruar edhe me zjarrin e armëve, u vranë 2 persona e u plagosen 3 të tjerë. Ngjarja u përcoll me shumë komente por solli edhe bllokimin disa orë të rrugës kryesore.

Vapa e gushtit e nxehu më shumë situatën politike në vend e kjo u reflektua edhe në lëvizjet masive të shqiptarëve për largim nga vendi. Më 6 gusht 1991 u sulmuan portet në Durrës e Vlorë dhe u paralizua puna në këto objekte. Në Vlorë u kap anija “Durrësi” nga një grumbull personash që kalonin shifrën 200-300 vetë dhe detyruan ekuipazhin të lundronte drejt Sazanit. Një turmë tjetër më e madhe rrëmbeu anijen “Iliria” në afërsi të “Skelës” dhe u nisen në det të hapur. Po kështu u morën me dhunë edhe disa anije të vogla. Në përballjen me turmat që zaptuan dhunshëm portin e mjetet e transportit detar u plagosen 4 ushtarë të kufirit që ishin me shërbim në port. Mbas kësaj, u mobilizuan shumë forca të rendit dhe spastruan territorin e detyruan turmat të zmbrapseshin, por në vijim ata u grumbulluan në qytet dhe në orët 12.45-14.00 sulmuan objektet në qendër të tij, pa “harruar” të rrëzonin monumentin e Hysni Kapos. Këtë ditë policia, me mjetin e vet detar që kishte në përdorim, mundi të shpëtojë nga mbytja rreth 200 fëmijë. Ende pa u mbyllur zhurma e Vlorës, turmat sulmuan egërsisht portin e Durrësit në paraditen e datës 7 gusht, dhe një grumbull mbi 400 persona depërtuan brenda portit, duke goditur me gurë, tulla e sende të forta ruajtësit e rendit, madje mundën të rrëmbejnë anijen “Butrinti” dhe menjëherë u nisen në lundrim në det të hapur, ndërsa një turmë tjetër mori anijen “Skënderbeu” edhe pse ajo ishte me defekt teknik, kurse pjesa tjetër që erdhi më pas, mijëra vetë, pushtuan vaporin “Vlora” dhe sipas komenteve të gazetarëve nuk i dihet fatit të mëtejshëm të kësaj gjendje. Sulmet ndaj porteve u bënë problem qeveritar. Sipas njoftimeve në shtyp, në mbledhjen e qeverisë, më 8 gusht, zëvendëskryeministri, Zyhdi Pepa, njoftoi kabinetin qeveritar se ende në Durrës ka grumbullime, turma të shumta kanë sulmuar e plagosur disa policë e ushtarë të shërbimit në port, është vrarë një qytetar në rrethana ende të paqarta. Porti është spastruar nga njerëzit e futur me dhunë rreth orës 15.30. Nga Vlora është Vangjel Stefa që evidentoi të njëjtën situatë edhe në Vlorë, duke përcjellë edhe njoftimin se për këtë ngjarje u zhvillua një mbledhje e Komitetit Ekzekutiv Pluralist me pjesëmarrjen e të gjithë drejtuesve të forcave politike dhe të zëvendëskryeministrit Gramoz Pashko e të ministrit të Rendit Publik, Bajram Yzeiraj.

Gazeta e kësaj dite qetësoi shpirtrat e familjarëve të personave që u nisen drejt Italisë, duke publikuar lajmin se anija “Vlora” me 10 mijë refugjatë shqiptarë u detyrua të ankorohet në portin e Barit dhe forcat italiane të sigurisë e të ndihmës mjekësore janë të pranishme. Po në këtë numër të “Zëri i Popullit”, Rustem Tare, ndër të tjera publikoi: “Krijimi i psikozës së shkatërrimit, të çdo gjëje që është shtetërore ose kolektive është krimi më i rëndë që po i bëhet popullit e kombit shqiptar. Zhdukja e kësaj fantazme makabre që po helmon filizin e brishtë të demokracisë është detyrë e çdo shqiptari të ndershëm, e çdo shoqate apo partie politike, prandaj të gjitha bateritë të drejtohen për shkatërrimin e të keqes që në embrion”. Eksodi i shqiptarëve nuk ndalet me moral, me shkrime gazetash. Mijëra njerëz vazhduan sulmin në porte, ushtria nuk kundërveproi ndaj tyre, policia u thye keqas. Anijet me kapacitet të madh transporti janë ankoruar në brigjet e Italisë. Qeveria shqiptare detyrohet në këto rrethana të shpallë portet Durrës, Vlorë e Shëngjin “objekte të rëndësisë së veçantë”, madje me urgjencë doli edhe dekreti përkatës, ku krahas kësaj dekretohet edhe kalimi i forcave të kufirit nga MRP në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Krimet e shkatërrimet nuk njohin asnjë pengesë, kudo ka vjedhje, grabitje, dëmtime e djegie. Jo vetëm në objektet tregtare e socialkulturore por edhe në plantacionet e agrumeve, vreshtave, parqeve kombëtare e pyjeve të rrallë kanë shpërthyer zjarret shkretues. Një publikim interesant “Ç’la sëpata po e djeg zjarri”, ndër të tjerave përmbante: Çoroditja e përgjithshme e njerëzve nuk ka fund. U prenë “me aksion” në mënyrë kolektive pyje pa fund, madje ai i Postopajës në Shkodër, Krasta në Krujë, parku pyjor i Divjakës në Lushnjë, kurorat e qyteteve në Kukës, Gjirokastër e Berat, rezervatet i Cangonjit në Korçë, i Velipojës në Shkodër, në Fushë-Kuqe të Krujës apo plepat në 500 kilometër gjatësi, duke regjistruar mbi 8 mijë kundërvajtës. Zjarret vijojnë në Pukë, Mirditë, Vlorë, Gjirokastër, kudo indiferencë nga të gjithë, u dogj pylli i Pish-Poros në Vlorë e një repart ushtarak aty pranë dhe popullsia vendase nuk reaguan me asnjë mjet.

Kudo mbretëron kriza e besimit, mosbesimi pllakos në çdo cep të jetës shqiptare, ndonëse apelojnë të gjithë, ndonëse nuk rreshtin njoftimet se policia po punon, organet e hetimit ndalojnë me dhjetëra vjedhës e grabitës sidomos në rrethet më problematike si Tirana, Durrësi, Lezha, Shkodra, Kavaja, Elbasani. Zëdhënësi i MRP, më 29 gusht 1991, njoftoi opinionin publik se në Tiranë paraqet problem vjedhja e banesave, ndonëse zbulohen e kapen shumë prej tyre. Në Tiranë, përveç vjedhjeve ka edhe viktima nga grabitjet. Në lagjen 54 u gjetën të vrarë në banesën e tyre çifti Mehmet e Saide Sallaku. Një ditë më pas u gjetën të vrara në banesën e tyre edhe dy gra të tjera në Tiranë, për të cilat ekspertiza konkludoi se ishin ekzekutuar disa ditë më parë. Edhe thyerësit e xhamave të trenave janë në të gjithë gjatësinë e linjës hekurudhore dhe janë kapur shumë prej tyre. Janë shtuar rastet e vrasjeve me armë por edhe rastet e kapjes së personave me armë. Janë shtuar edhe konfliktet ndërmjet personave të armatosur, kryesisht me armë zjarri, thika, pa neglizhuar edhe shumë raste kundërveprimi të tyre ndaj punonjësve të policisë në detyrë.

Zhvillimet nuk janë vetëm në rrugë, por edhe në shtetin që po shkatërrohet. Për të varakosur veten, shteti nisi arrestimet e “byroistëve”, duke filluar me plakun Manush Myftiu, një nga ish-pasanikët më të mëdhenj të Vlorës, ish-partizan në luftën antifashiste nacionalçlirimtare, që fali gjithçka pas çlirimit nazifashist të vendit. Së bashku me Manushin u përfshi edhe Kino Buxheli, një funksionar i akuzuar “për shpërdorim detyre në dhënien e kafeve udhëheqjes”. “Lojëra” në të gjitha anët, në politikë, në kuvend, në qeveri e në rrugë, kurse grabitësit sulmojnë kudo, deri edhe stallat e bagëtive në mes të ditës, djegin e shkrumbojnë kudo që vënë dorë. Më keq se sa një luftë civile, por tytat e armëve janë ende me grykë poshtë. Për më keq në krye të çdo akti banditesk evidentohen pseudopolitikanë “reformistë”, sikurse akuzon shtypi për grabitjet në Selitë të Malit, rrethi Mat, kooperativa e Zall-Dajtit, ku mbaruan grabitjet e grurit, patateve, qepëve e po vazhdon ajo e tufave të bagëtive.
Dhunës fizike publike filloi t’i bashkëngjitej edhe veprimi banditesk kriminal me eksploziva, sikurse ndodhi në Tropojë, ku më 8 shtator iu vunë ngarkesa me lëndë plasëse zyrave të Partisë Socialiste, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe dëshmuar fillimin e akteve terroriste vrastare me eksploziva e acaruar më tej atmosferën e rënduar politike e sociale në vend.

Ngjarjet brenda vendit nuk janë të shkëputura me incidentet e provokimet në kufirin shtetëror me fqinjët. Shtypi publikoi njoftimet për ceremoni mortore në Roskovec të Fierit e në Divjakë të Lushnjës, ku u përcollën për në banesën e fundit me nderime të mëdha kufitarët Sokol Rauf Agashi (Roskovec) e Artan Ferik Doko (Divjakë), të vrarë nga forcat ushtarake jugosllave.

Përballë kësaj zallamahie ishin stepur drejtuesit e bluve, në pritje pa fund të shpëtimit të vendit nga askushi. Akuzat e kritikat ndaj tyre shkojnë deri në ekstrem, por pati prej tyre edhe ndonjë guximtar të rrallë, madje të prezantuar me identitet të plotë në shtypin e kohës. Ka qenë punonjësi i policisë në Tiranë, Bedri Hasani, që publikoi replikën “Kur hetuesia e shikon të keqen tek Policia”, duke evidentuar se ka kritika e akuza se policia është indiferente, se i mungojnë specialistët. Bedriu replikoi publikisht, hapur, me Besnik Halilin, zëvendëskryetar i hetuesisë së Tiranës, i vetëquajtur “specialist i aftë”, i cili tashmë po merr edhe aftësi profesionale si specialist i rendit, duke bërë kritika ndaj të tjerëve. Besnik Halili, në një intervistë dhënë gazetarit të gazetës “Sindikalisti”, thotë: “I kemi kërkuar policisë italiane Gazmend Muçën, ta kapë e ta sjellë. Ai do të dënohet”. Bedriu vijon replikën: “Çudi. Ai u kap e u ndalua nga Policia e Tiranës për një vepër penale konkrete dhe u lirua nga hetuesia”. Më tej Hasani shton: “Shkalla kriminalitetit në Tiranë ka kaluar 360%…ku është forca vepruese e hetuesisë”?! Shembujt që sjell në replikën e tij Bedriu për punën e policisë në Tiranë janë konkrete në kapjen e vjedhësve (aty përmend emra, data, ngjarje) dhe ndërkohë kritikon pa doreza hetuesinë e Tiranës e cila i lëshon. Kritika e tij është e rreptë për lirimin nga hetuesia të personave të kapur me armë e lëndë plasëse nga policia, për të cilët organi i akuzës ka justifikime të turpshme, deri edhe me raporte mjeko-ligjore, duke i konsideruar autorët të sëmurë psikikë. Kritikat e punonjësit të rendit shkojnë deri në akuzë ndaj tyre për mos shkuarje në vendin e ngjarjes dhe kryerjen e procedurave fiktive.

Për të qenë i paanshëm e aspak paragjykues, për të shuar hamendësime e qejfmbetje për këtë shkatërrim gjithëplanësh, gjykova t’i referohem shtypit lokal të vendit ku u rrita, Lezhës, dhe të përmend disa lloje krimesh, të cilat nuk imagjinoheshin kurrë më parë. Frika në palcë për vrasje e grabitje, për vjedhje e rrëmbime, për djegie objektesh e shkatërrime si këto që po ndodhnin në vitin 1991 nuk ishin imagjinuar kurrë nga qytetarët e urtë lezhjanë. Kur isha fëmijë kisha dëgjuar rrëfime të të rriturve për grabitje të shtëpive, për sigurim ushqimesh e veshjesh në kohën e bandave të maleve, të përbëra nga mirditorë e lezhjanë që i strehonin e i ndihmonin, pak kohë pas çlirimit të vendit nga nazifashizmi. Ngjarjet që publikoi shtypi lokal janë drithëruese e të pabesueshme. Një prej tyre, më 13 shtator 1991, në aksin Laç-ura e Milotit, ka qenë prita ndaj autobusit të linjës Tiranë-Kukës, kur një grup të rinjsh tentuan të plaçkitin pasagjerët, por duke ndeshur në qëndresën e tyre rrahën barbarisht shoferin, u kacafyten me udhëtarët, thyen komplet xhamat e autobusit e në përleshje e sipër plagosen një fëmijë që ishte në prehrin e të atit, i cili pa hezituar nxori një armë brezi e qëlloi mbi sulmuesit e egërsuar si përbindësha, duke lënë një të vrarë e një të plagosur. Duke i kushtuar një vëmendje në rritje kriminalitetit në rrethin e Lezhës, korrespondentët lezhjanë iu rikthyen një ngjarje kanibaleske që kishte ndodhur në një fshat ndërmjet Lezhës e Shkodrës, i thirrur “Malecaj”, ku më 2 shkurt 1991, fëmija Genc Gjergj Bala, 12 vjeç, ishte gjendur i masakruar barbarisht nga një dorë mizore, e cila e kishte asfiksuar më parë fëmijën e gjorë, më pas i kishte prerë kokën duke e këputur në qafë dhe vendosur kufomën në pozicion ndenjur me kokën e varur anash. Shkrimi ka përshkrim të ngjarjes me nota rrëqethëse por edhe me nota të forta kritike ndaj policisë e organeve të hetimit (me persona e emra konkretë, madje edhe të intervistuar), të cilët kishin gati dhjetë muaj hetim dhe nuk kanë zbardhur ngjarjen kanibaleske ndaj një fëmije të pafajshëm.

SKENDER PUKA: SI MA SHPETOI JETEN DHE NDERIN, POLICI PA EMER

Qytetari Skënder Puka rrëfen me sinqeritet dramën që kaloi me gjithë grua e fëmijë: Vetura private me targë të Krujës, Durrësit dhe Tiranës, (në disa raste edhe pa targa) u zënë rrugën veturave dhe mjeteve të tjera, qofshin shtetërore apo private, duke i plaçkitur ose përdhunuar. Rastet janë nga më të ndryshmet. Unë po përmend vetëm një. Ditën e mërkurë po udhëtoja me gruan, vëllain dhe dy fëmijët me një veturë me targa private të Krujës. Targën s’po e them, pasi them të drejtën, mund të më ikë edhe koka me gjithë familje nga ata mafiozë. Ja si ndodhi: Sapo iu afruam Laçit, para nesh kaloi një veturë private, po me targë të Krujës. Ndalon. I jep dorën shoferit tonë, me të cilin udhëtonim dhe i thotë: “Çoje te vendi!” dhe u largua me pistoletë në dorë. Te cili vend!? – pyes shoferin. Ai, nuk ia përton dhe nxjerr nga poshtë sediljes së tij pistoletën, duke më thënë: O gruan, o lekët, o kokën! Fëmijët u frikësuan. Filluan të qanin. Mendova për një moment ta godas në kokë shoferin mafioz, por ai ia kishte drejtuar tytën e pistoletës gruas sime, e cila rrinte në vendin e parë. Nuk arrita të mendoj më gjatë, pasi shoferi u ndalua. Prapa paskemi patur një veturë tjetër, shok i shoferit tonë. Erdhën dy të tjerë. Njëri nxori thikën. Ia drejtoi fëmijës. Kapi dorën e gruas sime dhe tha: “Unë po marr këtë gruan, kurse ti (iu drejtua shoferit) merri paratë dhe valixhet.

(Më kishte dërguar djali im refugjat nga Bari plaçka dhe 2500 dollarë). Në këtë moment vjen një maqinë tjetër. I dola përpara. Sa s’më shtypi. Fatmirësisht brenda Zukut ishte edhe një polic. Zbret. Dy veturat e Krujës largohen me urgjencë. Nga maqina kishte arritur të zbriste dhe njëri fëmijë. Tjetri ishte brenda. Sakaq, Zuku dhe polici u vunë në ndjekje të veturave. Edhe unë rendja me vrap. Kot së koti, duke qarë, duke lajthitur për djalin e vogël. Pas afro 200 metrave ato e kishin hedhur djalin nga vetura e tyre në anë të rrugës. Ishte goditur paksa në shtyllën kurrizore. Shpëtuam pa rënë në kthetrat e mafiozëve. Zuku më solli deri në Milot. Isha i hutuar. As emrin nuk ia arrita t’ia mësoj atij policit, i cili më shpëtoi jetën, nderin, dhe fëmijët. Ndaj, po e botoj në këtë faqe gazete, që në e lexoftë, t’ia dijë për faleminderit. Atë natë s’arrita ta falënderoj. I kam borxh jetën”.

Këtë periudhë, sipas njoftimeve të gazetës sipërcituar, qyteti i Laçit ishte përfshirë mes flakëve shkatërrimtare, aq sa gazetarët e cilësuan periudha e “ankthit për jetën”, ku “kërcisnin automatikët dhe revolverët”, ku “flakëronte qielli nga zjarri në depot, magazinat, çerdhet, shkollat”, ku ishin përballë njëra-tjetrës “Policia dhe Mafia e re shqiptare”, të cilët në përballjet e tyre kishin “dy të vrarë e disa të plagosur”. Po kjo gazetë shkroi se policët në shërbim, në qytetin e Lezhës, sulmohen me dinamit nga nxënësi Leonard P.Marku, vitlindja 1975, ndërsa ish-speciali, tashmë në krye të degës së rendit publik, në Lezhë, Vladimir Nano, qetësoi qytetarët teksa deklaroi: “Policia do të jetë fanatike në zbatimin e ligjit”.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb