TIRANE- E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, ish-ministrja e Integrimit dhe deputetja e LSI, Klajda Gjosha ka folur për strategjinë e Zgjerimit të BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjosha tha se Shqipëria duhet të ishte pjesë e strategjisë për vitin 2025, por sipas saj KE do rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ish-ministrja ka dhe një apel për qeverinë teksa tha se hapja e negociatave për anëtarësimin në BE nuk duhet të përdoret si triumf.

“Strategjia e BE për Ballkanin Perëndimor ishte një nga strategjitë më të rëndësishme dhe po shkojmë drejt një perspektive të qartë të zgjerimit. BE kërkon të zgjerojë influencën e saj në rajon dhe kjo strategji rikthen vëmendjen tek rajoni. Mund t’ju them se Strategjia e BE për Ballkanin për herë të parë ka afate. Shqipëria duhet të ishte pjesë e strategjisë për vitin 2025, por unë besoj se KE do rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Unë kam një apel që Qeveria nuk duhet ta përdorë këtë si triumf. Reforma në drejtësi dhe vettingu kane qenë kushtet nga KE për negociatat.
Faza kryesore është qershori dhe unë doja t’ju them se ne kemi shumë probleme me imazhin në botë. Para se të flasim për standarde pozitive ne duhet të flasim për problematikat që ekzistojnë. Nuk kemi asnjë raportim për 5 prioritet kryesore. Për t’u çelur negociatat me BE duhet të zbatohet reforma në drejtësi dhe vettingu. Ligjet e reformës kanë probleme me implementimin. Çështja e kanabisit është një nga plagët e Shqipërisë. Qeveria t’i harrojë negociatat nëse nuk merr seriozisht plotësimin e kushteve”,-tha Gjosha.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: