Laurent Perpere, ish-presidenti i PSG-së, vizitoi dje ambientet e Fabrikës “Birra Korça”. Ai është pritur nga vetë presidenti i “IHB GROUP”, Irfan Hysenbelliu. Bashkë edhe me pjesëtarë të tjerë të stafit të fabrikës, ish-presidenti i klubit francez është shoqëruar në të gjitha ambientet e kësaj fabrike, e cila i përket një teknologjie bashkëkohore dhe mjaft të avancuar.

Më tej, Perpere ka shijuar edhe festën dhe në veçanti birrën që mban emrin e këtij qyteti. “Birra ‘Korça’ është e një cilësie të lartë dhe më pëlqen shumë”, u shpreh ndër të tjera ish-presidenti i PSG-së, Laurent Perpere. Ai shprehu konsideratë mjaft të lartë edhe sa i përket fabrikës, e cila sipas tij ka një teknologji bashkëkohore.

Më pas, ai ka shijuar festën dhe qytetin e Korçës në tërësi, pasi për të ishte vizita e parë. Laurent Perpere, ish-presidenti i deleguar i Paris SG, njihet në botën e futbollit për trofeun e shpejtë dhe befasues që i dhuroi klubit parisien në një nga momentet e tij më të vështira.

Në vitin 1999, Perpere mori përsipër të menaxhonte klubin më të rëndësishëm të kryeqytetit francez, i cili në atë periudhë ndodhej në një krizë financiare për shkak të humbjeve të mëdha. Perpere zëvendësoi ish-presidentin Sharl Bietri, i cili kish dhënë dorëheqjen.

Perpere u përpoq maksimalisht të reduktonte humbjet financiare, por ndërkohë edhe skuadra të kishte sukses. Kur thuajse të gjithë mendonin se ishte e pamundur që në atë periudhë PSG-ja të merrte trofe, klubi francez mundi të fitonte trofeun e Kupës Intertoto në vitin 2000.

Po atë vit, PSG-ja shkoi në finalen e Kupës së Francës, duke mos e ndier ngërçin financiar në të cilin notonte prej vitesh. Falë administrimit të Perpere u reduktuan ndjeshëm humbjet, ndonëse ai nuk mundi të shpëtojë plotësisht klubin për shkak edhe të problemeve të brendshme që ekzistonin asokohe në skuadrën franceze.

Perpere, një njeri studioz dhe i aftë në ekonomi, ka lindur në vitin 1951 në Francë dhe pasi ishte diplomuar fillimisht për Letërsi, ai studioi edhe për Ekonomi. Në vitin 1981 ai u emërua inspektor i parë i financave dhe e mbajti këtë detyrë deri në vitin 1985.

Më pas kaloi në sektorin privat dhe aty ra në sy për punën që bëri te kompania “Rhône-Poulenc”. Në karrierën e tij ai ka drejtuar edhe të përditshmen “Le Provençal” dhe në vitin 1993 iu bashkua televizionit “Canal +”, ku u mor ekskluzivisht me financat./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb