TIRANE-Ish shefi i zyrës së Interpol Tiranës, Artan Bajraktari kërkon hapjen e hetimeve për bllokimin e udhërit të arrestimit për deputetin e mazhorancës, Mark Frrokun, të lëshuar nga autoritetet belge. Bajraktari ka paraqitur një kërkesë në Gjykatë.

Ai kërkon zbardhjen e të vërtetës. Bajraktari u arrestua në fund të muajit mars dhe u pezullua nga detyra me udhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Artan Didi, i cili u dorëhoq edhe vetë pas daljes në dritë të skalndalit të bllokimit të udhër –arrestit për Mark Frrokun. Bajraktari e fitoi gjyqin dhe gjykata i dha të drejtën e rikthimit në detyrë. Ai tha gjatë procesit se kishte zbatuar ligjin duke vënë në dijeni Drejtorin e Përgjithshëm Artan Didin.

Por hetimet nuk nxorrën përgjegjësitë për këtë çështje ndaj Bajraktari kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjeve që çuan në bllokimin e urdhërit të interpolit belg dhe në vonimin e arrestimit të deputetit të mazhorancës, Mark Frroku, i cili akuzohet në Belgjikë për vrasjen e emigrantit shqiptar, Aleksandër Kurti, më 5 mars të vitit 1999, në stacionin e trenit në Bruksel.

Më 24 korrik, akuza kryeqytetase pushoi hetimet ndaj Artan Bajraktarit dhe Loreta Alles, specialiste në Interpol Tirana, me argumentin se ka pasur vetëm shkelje administrative për sa i përket ekstradimit të Mark Frrokut, i cili akuzohet për vrasje në Belgjikë.

Pak muaj më parë, në një aksion-blic, pas mesnatës, Alla dhe Bajraktari u vunë në pranga nga Kontrolli i Brendshëm i policisë, porse pa u mbushur 24 orë nga arresti, Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e menjëhershëm të tyre. Pa kaluar shumë orë nga këto zhvillime të vrullshme, në mënyrë të befasishme dha dorëheqjen ish-kryepolici Artan Didi. Ky i fundit tha se nuk kishte arritur ta parandalonte fshehjen e kërkesës për ekstradim të Frrokut, ndaj largohej nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit. Nga ana e tij, pasi u lirua Bajraktari tha se arrestimi i tij ishte veprim emocional.

Në argumentimin e prokurorisë thuhej se veprimet e Allës dhe Bajraktarit bien në kundërshtim me një nen të marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale. Interpoli, kur merr një urdhër-ndërkombëtar arresti, nga një shtet i huaj, brenda pesë ditëve duhet t’ia përcjellë Ministrisë së Drejtësisë. Nga hetimi rezultoi se kjo vonesë në përcjelljen e praktikës së organeve kompetente nuk është bërë me dashje nga dy punonjësit e Interpol Tiranës, por për një shkak objektiv që kishte të bënte me verifikimin e dy email-eve, të datës 8 janar 2015 dhe 23 janar 2015, në sistemin e brendshëm dhe komunikimit me qendrën e Interpolit në Lion të Francës.

Meqenëse ky verifikim kërkonte kohë, praktika është bërë e mundur të përcillet disa ditë (katër ditë) jashtë afatit ligjor, pikërisht me datë 27 mars 2015, një ditë pas dhënies së autorizimit për arrestimin nga Kuvendi i Shqipërisë për deputetin Mark Frroku, i dyshuar për vepra penale të kryera brenda territorit shqiptar. Gjithashtu, si rezultat i këtij mosveprimi në afatin ligjor, dy personat nën hetim nuk kanë pasur për qëllim të favorizojnë interesat personale apo të të tretëve, por prioritet ka qenë saktësimi i informacionit të përcjellë nga Interpol Brukseli drejt Interpol Tiranës.

Siç rezulton, veprimet e mosveprimet e personave nën hetim, Loreta Alla e Artan Bajraktari janë kryer në shkelje të dispozitave ligjore të shpërmendura, pra përbëjnë shkelje të ligjit, por duke pasur parasysh natyrën e shkeljes të evidentuar më lart, organi i akuzës arrin në konkluzionin se kjo shkelje me karakter administrativ.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb