TIRANE– Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka e ka cilësuar një premtim të mbajtur të qeverisë, shpërndarjen e kësteve për ish-të përndjekurit politikë. Nga studio e emisionit “Njerëz në Fokus” me gazetaren Ola Bruko në “News24”, ministrja Xhaçka tha se aktualisht po vijohet me shpërndarjen e këstit të 7.

Teksa u shpreh se qeveria parashikon të përmbyllë edhe këstin e 8, ministrja theksoi se brenda këtij mandati qeverisës synohet shlyerja e të gjitha kësteve për ish-të përndjekurit.

“Tashmë jemi duke vijuar me këstin e 7. Do të thoja se kemi ecur mirë në këtë drejtim. E them me plot gojën se ky është një premtim i mbajtur i kësaj qeverie. Presim të përmbyllim edhe këstin e 8. Brenda mandatit shlyejmë të gjitha këstet”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja sqaroi edhe për të gjithë ata persona që duhet të plotësojnë dosjen, apo edhe ata që nuk e kanë bërë deri më tani, të dorëzojnë dokumentacionin e duhur në Ministrinë e Drejtësisë brenda dhjetorit 2017.

“Kemi ecur me ritme shumë të mira. Për ata që nuk kanë përfituar këste, që janë pjesë e dosjeve të vonuara apo të paplotësuara mirë. Deri në dhjetor të 2017 mund të dorëzojnë dosjen pranë Ministrisë së Drejtësisë, dhe do të përfitojnë të gjitha këstet”, u shpreh ministrja Olta Xhaçka.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb