Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Ish-zyrtarët e zbulimit kritikojnë Presidentin Trump: Po përdoret nga udhëheqësit e huaj

A3392BA4-7549-4D2D-9546-9E0603A1E691_w1023_r1_s

Dy ish zyrtarë të zbulimit amerikan e kritikuan Presidentin Trump të dielën për thëniet e tij se ai beson se presidenti rus Vladimir Putin “ka ndjesinë se ai dhe Rusia nuk ishin përzjerë” në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ish drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA John Brennan dhe ish drejtori i zbulimit kombëtar James Clapper, thanë për rrjetin televiziv CNN se sugjerimi fillestar i zotit Trump se ai e besonte Putinin tregon se “Donald Trump mund të përdoret nga udhëheqësit e huaj që përkëdhelin egon e tij dhe përpiqen të përdorin pasiguritë e tij, gjë që është shumë shqetësuese nga pikëpamja e sigurisë kombëtare.”

Zoti Clapper tha se Rusia përbën një kërcënim të dukshëm ndaj Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump u pyet të shtunën nëse çështja e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar ishte diskutuar në bisedat me zotin Putin në Vietnam, ku udhëheqësit po marrin pjesë në takimin e nivelit të larë të Azi-Paqësorit. Zoti Trump u përgjigj, “ai tha se nuk ishte përzjerë, ai tha se nuk kishte ndërhyrë. E pyeta përsëri. Nuk mund të pyesësh më shumë.” Zoti Trump shtoi se, “gjithçka ishte kurdisur nga demokratët” – një kritikë e drejtpërdrejt për ish udhëheqësit e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Brennan dhe Clapper.

“Këta janë vegla politike. Po pastaj shikon Brennan dhe Clapper dhe pastaj James Comey. Comey është provuar që është gënjeshtar dhe rrjedhës informatash”, tha zoti Trump duke iu referuar ish drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve, FBI, i cili u pushua në fillim të presidencës së zotit Trump mes polemikave të shumta. “Në njërën anë kemi këto zhvillime. Dhe nga ana tjetër Presidenti Putin e thotë me forcë që nuk ka të bëjë fare me këtë”, tha zoti Trump.

Vërejtjet e Presidentit Trump nxitën kritika të menjëhershme të shtunën. Përmes një deklerare, senatori republikan John McCAin, një kritik i shpeshtë i presidentit, tha, “Kjo nuk është të vësh Amerikën përpara kur i beson fjalës së një koloneli të KGB-së në vend të komunitetit të zbulimit amerikan…..Vladimir Putin nuk ka në zemër interesin e Amerikës. Të besosh të kundërtën jo vetëm që është naivitet por vë në rrezik sigurinë tonë kombëtare.”

Por ligjvënësi demokrat Adam Schiff, me Komisionin e Përhershëm të Kongresit për Zbulimin, tha se presidenti e kupton të vërtetën rreth ndërhyrjes ruse, dhe thjesht ai po zgjedh të “pranojë” mohimin e Putinit “përkundrejt dëshmive solide të agjencive tona të zbulimit”./Voa
(i.ç/BalkanWeb)





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.