FRANCE– Ismail Kadareja ka marrë zyrtarisht titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, në Francë. Kolosi i letrave shqipe u nderua në një ceremoni në pallatin presidencial “Élysée” nga presidenti Francois Hollande. I pranishëm ka qenë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “France TV” shkruan se “Hollande i dorëzoi të hënën titullin e ‘Komandantit të Legjionit të Nderit’ shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, 80 vjeç. Presidenti përshëndeti me këtë rast ‘autorin e mrekullueshëm të historisë së Ballkanit’”

“France TV” shkruan më tej duke cituar Hollande se: “Ju jeni një avokat i apasionuar i kulturës së Evropës dhe i thashë kryeministrit: për fat të mirë ka evropianë që nuk i përkasin Evropës dhe që e duan Evropën”, ka thënë kreu i shtetit, disi ironik, në një ceremoni të ndjekur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Ju jeni shqiptar e francez, me zemër evropian dhe me shpirt universal”, vazhdoi Francois Hollande, duke e përshkruar Ismail Kadarenë si “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”.
“Autori i veprave si ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ (1963) apo ‘Prilli i thyer’, vepra e tij jep historinë e Shqipërisë dhe denoncimin e totalitarizmit, që ka pasur një ndikim të rëndësishëm ndërkombëtar. “Autor i romaneve, eseve e poezive, Kadareja është autori shqiptar më i lexuar jashtë vendit. Veprat e tij janë përkthyer në 29 gjuhë dhe është cituar në mënyrë të përsëritur si pretendent i çmimit Nobel. Shkrimet e tij kanë qenë shpesh kundër regjimit komunist, që zgjati nga viti 1944 deri më 1991-shin, kohë kur Ismail Kadareja u ndje i kërcënuar dhe la vendin. Ai mori azil politik në Francë në tetor të vitit 1990. Sot 80 vjeç, ai ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë”, shkruan “France TV”.

Ceremonia ka qenë një ngjarje e rrallë, pasi shkrimtarit shqiptar ia ka dhënë titullin vetë presidenti Francois Hollande. Ditën e djeshme, ministrja Mirela Kumbaro në një intervistë në “TV5 Monde” tha: “Nga pikëpamja kulturore (Shqipëria) është një vend shumë i fuqishëm, përderisa edhe Kadareja ka dalë nga ky vend, Inva Mula, sporanoja që luan çdo javë; javën e ardhshme do të jetë edhe Ermonela Jaho. Pra ajo që ne eksportojmë si shqiptarë është kultura. Nuk ka nevojë për përkthim të kulturës”. “Komandant i Legjionit të Nderit” është Urdhri apo nderimi më i lartë kombëtar në Francë, i krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802, dhe deri më sot mbahet nga 93 mijë anëtarë.

(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: