Shtëpia botuese “Samizdat B92” në Serbi ka botuar së fundmi librin më të ri të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, me tregime të shkurtra, që titullohet “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”.

Libri me rreth 150 faqe është përkthyer në gjuhën serbe nga Shkëlzen Maliqi me të njëjtin titull “Razgovor O Brilijantima Jednog Decembarskog Popodneva” dhe është shoqëruar në faqen zyrtare të botuesit me një koment të mbushur me vlerësime të shumta për shkrimtarin e madh shqiptar, shkruan “ata”.

Botimi në serbisht i “Brilanteve” është një përmbledhje e 11 tregimeve dhe novelave, të cilat autori i ka shkruar deri në vitin 2008. Mes tyre ka nga ato që nuk janë botuar kurrë më parë, por edhe nga ato që janë botuar dhe i rivijnë lexuesit në variantin e tyre të parë… Të gjitha mbartin nga një histori të veçantë.

Që kur shkroi “Në dheun e panjohur” Kadare e quan këtë tregim si gurin e parë kilometrik, pas së cilit do të niste krijimtaria e tij e vërtetë, për të vazhduar me grimca apo pjesë romanesh, si “Dosja e Orfeut”, një fragment i shkëputur nga “E Penguara-Rekuiem për Linda B.”

Çdo tregim dhe novelë në këtë libër ka historinë e vet për krijimin dhe vështirësitë kur kujtojmë mos botimin e veprës së parë letrare të Kadaresë me titull “Një vend i panjohur”, të cilin ai e përshkruan si një moment historik që shënon kilometra të distancës letrare të mbuluara që atëherë. Disa prej tregimeve të shkurtra u bënë më pas kapituj të një romani. Disa prej tregimeve janë ndryshuar për t’u përshtatur gjatë regjimit shqiptar në kohën kur shkruante Kadare”, komentojnë botuesit.

Për botuesin serb tregimet e Kadaresë marrin një rëndësi të veçantë, sepse sipas shënimeve rreth librit “Brilante e pasdites së dhjetorit” i ngjajnë një përzgjedhjeje të miniaturave të veprave të mëdha letrare të Kadaresë që përshkruajnë frymën e të gjithë korpusit të tyre”.

Së fundi “Samizdat B92” shkruan se “Ismail Kadare është një shkrimtar që krijon hartë të tërë kulturore, me historitë, me pasionet, me folklorin, politikën dhe katastrofat e saj. Ai është shkrimtar universal me një traditë narrative që ka origjinën e saj nga Homeri”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: