(Rrëfimi: Ne nuk dinim asgjë rreth kësaj thashethemnaje të rrezikshme, por të pasnesërmen, daja i viktimës, me të cilin rrija shpesh, më fton për kafe. Ai me buzët që i dridheshin më thotë: “Nuk e dija se do të pinim më kafe bashkë…)

Ish-i dënuari me 20 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, Ismet Haxhia rrëfen në librin e tij “Kronika e Dhimbjes” të shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, situatën e vështirë në vitet 1997-1999 në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë. Vetë Haxhia u lirua nga burgu në vitin 2016 dhe ju rikthye jetës normale. GSH.al po sjell sot pjesën e pestë nga “dosja Tropoja”, një rrëfim për vrasjen e Skënder Nezës, ngjarje për të cilën Ismeti thotë se thashethemet bënin përgjegjës atë vetë dhe vëllain e tij, Izet Haxhinë.

“KOMISARIATI I POLICISE TROPOJE, ÇERDHE KRIMINELESH”

Fillimi i vitit 1999, me dyndjen e kosovarëve nga eksodi i dytë masiv,më i madhi dhe përfundimtari i shënuar në ato kohëra lufte, kishte tërhequr vëmendjen e të gjitha strukturave shtetërore. Kjo klimë e krijuar ndikoi shumë në krijimin e situatës kriminale në zonën verilindore të Shqipërisë. Shpesh dëgjohej të flitej për lloj-lloj grabitjesh në këtë zonë, por zakonisht më të bujshmet vazhdonin të ishin ato që kryheshin nga policët e komisariatit tonë, gjë që për shumë për atë pjesë të inkriminuar nuk do të përbënte ndonjë lajm të keq. Në njërën nga këto ditë, një polic i komisariatit tonë, në bashkëpunim edhe me një person tjetër, kontingjent i policisë, grabisin makinën e një punonjësi të OSBE-së, teksa po udhëtonte në qytetin e Fierzës.

Punonjësi njofton menjëherë qendrën e tij në Tiranë për rastin. Këta të fundit, vetëm në pak minuta njoftuan ministrin e Rendit Publik. Në Tiranë ishin vënë në alarm, pasi grabitja e makinave të huaja ishte bërë shumë shqetësuese. Ne na urdhëruan nga ministria që me çdo kusht të bllokohej mjeti i grabitur, si dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të ndaloheshin nga policia. Ne njoftuam menjëherë komisariatet e policisë së Pukës dhe Hasit për të ngritur postblloqe për këtë qëllim, të paktën në rrugët kryesore.

Thirrëm shpejt disa forca policore, te të cilat kishim pak besim dhe ngritëm postblloqe në të gjithë linjat e brendshme të rrethit. Policët i porositëm që të armatoseshin mirë,pasi grabitësit na ishte thënë se ishin të armatosur. Unë së bashku me një polic të qarkullimit rrugor u vendosëm në qendrën e Rragamit, 10 km nga qyteti, pasi sipas informacionit që morëm, grabitësit ishin futur në disa rrugë rurale, nga fshati Pla, rrugë të cilat të nxirrnin në Komunën e Pacit. Pas rreth dy orësh me njoftojnë me radio policie se e kishin parë makinën të vinte me shpejtësi nga drejtimi Pac-B.Curri. Makina pritej të kalonte aty ku isha vendosur unë, nëse grabitësit nuk ishin njoftuar për vendndodhjen time.

 

Rrëfimin e plotë mund ta lexoni në Gsh.al duke klikuar në linkun: http://www.gsh.al/2017/03/25/ismet-haxhia-si-me-akuzuan-mua-dhe-izetin-per-vrasjen-e-skender-nezes-ne-tropoje/

 

(e.f/ BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb