Ish-i dënuari me 20 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, Ismet Haxhia rrëfen në librin e tij “Kronika e Dhimbjes” të shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, situatën e vështirë në vitet 1997-1999 në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë. Vetë Haxhia u lirua nga burgu në vitin 2016 dhe ju rikthye jetës normale. GSH.al po sjell sot pjesën e katërt nga “dosja Tropoja”, një rrëfim për rrëmbimin nga qelitë e policisë dhe vrasjen e pensionistit Ago Imerit vetëm pse thirri “rroftë PS!”.

“KOMISARIATI I POLICISE TROPOJE, ÇERDHE KRIMINELESH”
Në fillim të vitit 1999, në qendër të qytetit Bajram Curri, ndodh një incident i rëndë që tërhoqi vëmendjen e mjaft qytetarëve kalimtarë. Njëkohësisht ky incident do të ndikonte në prishjen e marrëdhënieve mes protagonisteve të kësaj ngjarjeje, si dhe do të dëmtonte edhe më shumë imazhin e keq që kishte policia në atë qytet. Policia në atë kohë ndodhej në vështirësi të mëdha logjistike. Mjetet ishin të pakta në numër, por edhe ato që përmbante inventari ynë ishin tejet të amortizuara. Më tepër se kushdo, këto mangësi po i vuante sektori i policisë kufitare, të cilit i duhej të menaxhonte situatën në kufirin e trazuar nga situata në Kosovë.

Duke parë këto nevoja, OSBE i dhuron Ministrisë së Rendit Publik një të re tip “Land Rover”, me qëllimin e vetëm që makina t’i jepej komisariatit të policies Tropojë, për policinë kufitare. Jonuz Hyka, ish-shefi i komisariatit, i shkarkuar për dobësi në punë pak muaj më parë, çuditërisht emërohet në detyrën e drejtorit të policisë së qarkut të Kukësit. Ai, duke e pretenduar për vete makinën i thotë, ministrit që makinën të mos e çoj në Tropojë se do e vjedhin vetë policët. I ndikuar nga ky fakt, ministri ia jep makinën drejtorit të policisë, Kukës. Rrugën e parë që drejtori do të bënte në B. Curri, ku edhe banonte familja e tij, ndodhi incidenti. Shefi i policisë së Tropojës, i del para makinës në sheshin kryesor të qytetit dhe i kërkon ta dorëzojë atë.

Ai e kundërshton me sa mundet furinë e shefit, por pasi ai i ven në kokë pistoletën, ulet me shpejtësi në tokë. Edhe shoferi e liron makinën, pasi shefi përdor të njëjtën mënyrë si pak më parë. Më njoftuan shpejt. Shefi ishte zhdukur me gjithë mjetin. Një polic i trafikut më thotë së ai ishte nisur drejt banesës së tij. U nisa edhe unë me makinën time në atë drejtim.

Pasi u sigurova së shefi kishte shkuar në banesën e tij nga patrulla e qarkullimit rrugor në Dunravë, u nisa edhe unë për atje. E takova pak metra pasi kishte dale nga banesa i tij, ku kishte parkuar makinën. Ju luta që t’ia kthente makinën drejtorit, gjë që nuk e pranoi, me pretekstin se makina kishte ardhur për komisariatin tonë. Unë i shpjegova se mënyra se si ai kishte vepruar do e komprometonte rëndë atë dhe se veprimi do të ngjyrosej ndryshe. Pas shumë përpjekjesh,iu mbush mendja që të sillte makinën në komisariat, me qëllim që ajo të mbyllej aty deri sa të sqaroheshin gjërat.

Shefi këtë e zbatoi vetëm për dy-tri orë. Makina qarkulloi vetëm rreth një javë në Tropojë e më pas përfundoi në linjën e trafikut të Malit të Zi, ku duhet të jetë edhe sot. Për ketë problem askush nuk foli më, por mllefi i madh i drejtorit do të shfryhej në mënyra të ndryshme kriminale, derisa edhe vetë, një ditë të tetorit 1999, do të ngelte viktimë e tyre.

***
Kapakun e turpit në të gjithë këtë veprimtari kriminale, policia e Tropojës do ia vinte me vrasjen e Ago Imerit më datë 28 prill 1999. Unë kisha dy javë që isha transferuar në Durrës, por duke qenë se akoma nuk isha sistemuar në shërbim të rregullt, u ndodha në Tropojë për të pushuar pak ditë pranë familjes, gjë që nuk kishte ndodhur gjatë gjithë kohës që po punoja në polici. Ago Imerin unë e njihja që prej shumë vitesh kur punonim në minierë. Ai kishte vite që kishte dalë në pension, por takoheshim thuajse çdo ditë bashkë.

Disa e çmonin si të tronditur psikik e shumë të tjerë, supersticiozë e njihnin si njeri të mirë. Ishte një burrë në moshë të thyer dhe shumë i varfër.

Rrëfimin e plotë mund ta lexoni sot në Gsh.al duke klikuar në linkun http://www.gsh.al/2017/03/24/ismet-haxhia-thirri-rrofte-ps-shoferi-i-kreut-te-pd-i-zbrazi-karikatorin-pensionistit-ago-imeri/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb