NGA ORNELA MANJANI

Personat që nuk kanë asnjë vit të mbuluar nga sigurimet për shkak se s’kanë punuar ose gjatë kohës që kanë punuar kanë qenë të pasiguruar, kanë shanse për të marrë pension pleqërie. Ata mund të përfitojnë nga dy vendime qeverie, VKM nr. 77, datë 28.01.2015 dhe VKM nr. 653, datë 22.07.2015. Qytetarët e interesuar mund të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi, por duhet të plotësojë dy kushte. E para, duhet të kenë tokë bujqësore dhe të banojnë në të njëjtin rreth ku ndodhet toka në pronësi ose në përdorim dhe të zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale.

E dyta, personi duhet të banojë në fshat dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale, edhe nëse ka tokë në pronësi ose në përdorim me vendndodhje në rrethin fqinj. Burime zyrtare nga Instituti i Sigurimeve bëjnë të ditur se masa e kontributit vjetor për sigurimet shoqërore është 38.400 lekë, nëse banoni në zonë fushore, dhe 29.400 lekë nëse banoni në zonë malore (Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë). Për të plotësuar vitet e pasiguruara ato mund të plotësohen si i vetëpunësuar në bujqësi, duke paguar kontributet për këto periudha, sipas masës së mësipërme të kontributit vjetor për sigurimet shoqërore.

Kushtet për t’u siguruar
Sipas ligjit për sigurimet shoqërore, personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte: Të ketë mbushur moshën 16 vjeç; të jetë i/e aftë për punë; çdo person mund të sigurohet deri në mbushjen e moshës për pension; nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë. Sipas ligjit, i vetëpunësuari në bujqësi duhet: Të banojë në të njëjtin nënqark ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale dhe të banojë në fshat, megjithëse tokën mund ta ketë në nënqarkun fqinj.

Dokumentet
I vetëpunësuari në bujqësi paraqet tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi të sigurimeve shoqërore këto dokumente: Certifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile; vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme të komunës ose bashkisë ose akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (p.sh, qiramarrje).

Sipas ligjit, në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korrent si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari bujqësore/blegtorale. Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi, plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”. Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare.

Me kryerjen e pagesës, zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese. Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” personi paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”.

Këto dokumente, në asnjë rast nuk duhet t’u dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: