ITALI- Dy vëllezër binjakë, shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, pasi akuzohen se janë autorë të mbi 100 grabitjeve. Bëhet fjalë për Edmond e Eduard Trushi, përkatësisht nga 30 vjeç. Pamja e tyre identike ‘vuri’ shpesh herë në lojë policinë italiane, pasi ata mendonin se bëhej fjalë vetëm për një person.

Në kuadër të operacionit ‘Binjakët’ gjatë kontrollit në banesën e binjakëve, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale në kafazin e pëllumbave (vëllezërit ishin të pasionuar pas këtyre shpendëve) bizhuteri të vjedhura. Sakaq, në banesën e dy ‘skifterëve’ u gjetën dhe 25 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë.

Sipas hetuesve të çështjes, binjakët ishin duke u përgatitur për t’u kthyer në Shqipëri. Të njëjtat burime pohuan se dy shqiptarët dyshohet se kishin vjedhur në zonën e Venetos dhe Toskanës. Ndër të tjera, ata dyshohet të kenë kryer brenda një nate 7 grabitje banesash në Rifreddo.

Sipas ‘La Stapma’, dy vëllezërit ishin arrestuar një vit më parë, por kishin arritur ti shpëtonin karabinierëve. Nga gjurmët e gjakut të njërit prej binjakëve, të mbetura tek uniforma e punonjësit të policisë hetuesit arritën të idenfitikonin binjakët.

Ndërkaq, ata u lokalizuan sërish në zonën e Garda, teksa ishin duke u përgatitur për grabitjen e radhës. Duke qenë binjakët identik, policia e kishte të vështirë të hetonte lidhur me çështjen. Po ashtu, dhe nga analizat laboratorike të ADN-së, me shumë vështirësi u arrit në përfundim se pikat e gjakut ishin të Eduard Trushit. E vështirë për policinë ishte dhe fakti se në kamerat e sigurisë të bankave, dyqaneve, shfaqej e njëjta fytyrë, pavarësisht faktit se pas vjedhjeve fshiheshin dy persona, të cilët ishin identik.

Mësohet se vëllezërit përdornin metoda të veçanta për të komunikuar me njëri-tjetrit, pasi flisnin me numra telefoni që nuk ishin pjesë e BE-së, por nga Gambia, Mozambiku dhe Pakistani, pasi ishte e vështirë identifikimi me anë të tyre. Si fillim në pranga ra Eduardi dhe fill pas 24 orësh vëllai i tij, Edmondi. Dy vëllezërit akuzohen për veprën penale “Vjedhje”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: