ITALI- Ministri italian i Punëve të Jashtme, Paolo Gentiloni, në krye të q1everisë së re italiane duke zëvendësuar kështu Mateo Renzin. Gentiloni ka pranuar të formojë qeverinë e re. Ai ishte favoriti kryesor për të zëvendësuar Matteo Renzin, i dorëhequr pas rezultateve të referendumit në Itali dhe sot në mesditë Gentiloni ka patur një takim me presidentin Sergio Mattarella.

Ka qenë presidenti italian që i ka kërkuar ministrit të jashtëm të krijojë një ekip të ri qeveritar para se të marrë votëbesimin që mund të kryhet të mërkurën.

Presidenti i Këshillit i sapo ngarkuar për të formuar qeverinë e re, ka deklaruar se ka ndërmend të lehtësojë rrugën e forcave parlamentare për të përcaktuar rregullat e reja elektorale. Gentiloni menjëherë pas takimit me presidentin Matarella shprehu respektin për Renzin dhe vendimin e tij për të mos pranuar një ricaktim duke mbajtur kështu premtimin e dhënë.

“Falënderoj presidentin për detyrën e rëndësishme që më ngarkoi. Do ta përmbush detyrën me përgjegjësi. Rndërtimi i vendit pas tërmetit, është prioritet”, deklaroi Gentiloni.

62-vjeçari do të përballet me një nga ngërçet më delikate të politikës italiane, miratimin e ligjit të ri elektoral, i cili do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2018.

Situata me ligjin elektoral është bërë shkak edhe i kërkesës së Renzit për referendumin që i dha atij dorëheqjen nga kreu i qeverise.

Aktualisht të dy dhomat, ajo e senatit dhe e deputeteve, kanë secila nga një ligj të ndryshëm elektoral.

Detyra e Gentilionit është pikërisht arritja e një marrëveshjeje mes palëve për të paraqitur një ligj të unifikuar mbi reformën elektorale.

Shefi i shtetit Sergio Matarella, arbitër i situatës, kishte deklaruar të shtunën në mbrëmje se do të shpallë në orët e fundit një zgjidhje ndaj krizës politike të krijuar në Itali, pas “jo”-së masive të italianëve për referendumin kushtetues para një jave.

Besnik i Matteo Renzit, Paolo Gentiloni, ishte ministër i Punëve të Jashtme që prej nëntorit 2014 kur zëvendësoi Federica Mogherinin, e cila u emërua shefe e diplomacisë evropiane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb