ITALI- Një tragjedi ka ndodhur në Napoli, ku prindërit dhe djali i tyre 11 vjeçar kanë rënë në kraterin e një vullkani, ndërsa djali i tyre 7-vjeçar ka mundur të mbijetojë. Ngjarja e tmerrshme ndodhi në një zonë të ndaluar në Solfatara pranë Napolit.

Fillimisht ishte djali 11-vjeçar, i cili është futur në zonën e ndaluar ndërsa më pas prindërit nxituan për ta shpëtuar, por fatkeqësisht krateri u shemb dhe të tre kanë rënë në një gropë të thellë.

Autoritetet kanë thënë se shkak i vdekjes dyshohet asfiksia nga gazrat e nxehtë, por pritet autopsia për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes.

Fatmirësisht djali 7-vjeçar qëndroi larg tyre dhe mundi të mbijetonte. Më pas, ishin të qarat e fëmijës së vetmuar jashtë në zonën e sigurisë, të cilët afruan në zonë disa persona që mësuan për tragjedinë.

“Dëgjova fëmijën duke qarë dhe u afrova, por kurrë nuk e mendova se do të përballesha me tragjedinë më të keqe në jetën time”, u shpreh një prej dëshmitarëve.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb