ITALI – Një shqiptar i italianizuar me emrin Sandro jetonte mbi mundësitë e tij ekonomike. Ky fakt u vu re nga autoritetet italiane që e ndiqnin prej kohësh stilin e jetesës së shqiptarit Sandër Marku, 24 vjeç. Policia italiane njofton se ai flinte ditën dhe netët i kalonte nëpër klube të ndryshme në komunën e Fanos në Itali.

Ndërsa në Facebook-un e tij kishte mijëra miq dhe selfie të panumërta me shishe shampanje. Pikërisht për këtë arsye e tërhoqi vëmendjen e karabinierëve. Çdo mbrëmje kontaktonte me një numër të madh personash, dhe asnjëri nuk ishte kontakt telefonik por ballë për ballë. Miqtë e tij dinin ku ta gjenin, në të njëjtat vende në të njëjtat orare, shkruajnë mediat italiane.

Karabinierët e vëzhguan për një kohë të gjatë për të kuptuar  se ku 24-vjeçari shqiptar fshihte drogën. Më pas ata hynë në aksion duke ndërhyrë në momentin e duhur: bllokuan atë dhe klientin e tij në flagrancë teksa shqiptari i jepte dozën e kokainës.

Gjatë bastisjes së policisë në banesën e tij, iu sekuestruan 50 gramë kokainë, para cash, mjete për prerjen e drogës. Marku gjendet në burg momentalisht në pritje të dënimit të tij.

 

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: