Itali- Lëvizja e Pesë Yjeve, partia kryesore e opozitës, po u bën thirrje mbështetësve të votojnë “jo” në referendumin e 4 dhjetorit, duke thënë se reformat e kryeministrit Matteo Renzi do të sjellin kaos në vend. Referendumi ka të bëjë me planet e Renzi për zëvendësimin e dhomës së sipërme të parlamentit, Senatit, me një dhomë të përfaqësuesve rajonalë, që do të kishin shumë më pak kompetenca. Kryeministri ka premtuar se do të japë dorëheqjen nëse humbet në referendum.

Lëvizja e Pesë Yjeve u shfaq vrullshëm në skenën politike të vendit në vitin 2013, kur fitoi më shumë se 25 për qind të votave, duke dalë menjëherë pas Partisë Demokratike të  Renzi.

Komediani Beppe Grillo, është bashkëthemelues i lëvizjes, e cila ka në bazë luftën kundër korrupsionit që ka njollosur politikën italiane prej dekadash.

Sondazhet parashikojnë humbjen e Renzi. Nëse ndodh, kjo do të ishte revolta e tretë e votuesve në një vend të madh perëndimor, pas votimit të papritur të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhjes së zotit Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: