Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Iu dogj makina në Vlorë, biznesmeni: Ja ç’më treguan dëshmitarët (Video)

Eduard Alikaj 2

VLORE- “Automjetin ma kanë djegur qëllimisht”. Kështu deklaroi biznesmeni Edi Alikaj, mjeti i të cilit u dogj makina mesnatën e së dielës në qendër të Vlorës.

Në një prononcim për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Alikaj tha se pas dëshmive të personave që kishin qëlluar rastësisht në vendin e ngjarjes, autori pasi i kishte vënë zjarrin makinës, ishte larguar me biçikletë. Mes të tjerash biznesmeni pohoi se nuk kishte konflikte me asnjë person.

“Nuk kam konflikte me asnjë person. Dyshoj se lidhet me denoncimet që kam bërë në Facebook. Nuk kam pasur kërcënime, dua të di pse e kanë bërë. I ofroj autorit që e ka bërë, 10-fishin e shumës që i kanë ofruar”, tha Alikaj.

Paraprakisht dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme, por ende nuk dihen autorët dhe motivet. Sakaq, policia po heton lidhur me ngjarjen.


NGJARJA
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të së hënës në qendër të Vlorës, ndërsa automjeti tip “Benz” me targa AA777KP në pronësi të Eduard Alikajt, u përfshi nga flakët. Gazetari Enrik Mehmeti duke iu referuar burimeve nga policia, raporton për “BalkanWeb” se kamerat e sigurisë në objektet pranë vendit të ngjarjes kanë kapur momentin kur një person i maskuar në biçikletë largohet nga zona. “Më datë 12.02.2018, rreth ora 01:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në vendin e quajtur Xhamia, është djegur pjesërisht, automjeti tip “Benz” , në pronësi të shtetasit E.A. Mjeti ka qenë i parkuar. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e plotë të shkaqeve të djegies së mjetit”,- sqaroi policia.

HETIMET E POLICISE
Hetimet e policisë së Vlorës, për makinën e djegur pas mesnate të biznesmentit Eduard Alikaj janë përqendruar në dy pista. E para, siç raporton për “BalkanWeb” gazetari Enrik Mehmeti është ajo e një konflikti të ndodhur në dhjetor të 2016-ës, ku Alikaj u përfshi në një sherr me punonjësit e një parkingu dhe përfundoi në pranga.

Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me një status të publikuar në profilin e tij në Facebook pak orë para se t’i digjej mjeti. Me anë të këtij statusi biznesmeni denoncon ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit dhe thotë se për shkak të lidhjeve të ngushta nga xhepat e popullit janë vjedhur plot 26 milion euro. Kujtojmë që Alikaj është një person mjaft aktiv në rrjetet sociale sidomos për çështje të aktualitetit.
(ed.me/BalkanWeb)