Presidenti maqedonas, George Ivanov ka shtruar një darkë për nder të homologut të tij, Ilir Meta që vizitoi sot Shkupin. Burime konfidenciale nga delegacionet bënë të ditur për Panorama se Ivanov ka ngritur një dolli në shqip për nder të Metës, duke i uruar mirëseardhjen, ndërkohë që si përgjigje ka marrë dollinë e Presidentit shqiptar, i cili ka thënë “unë jam nga vendi i dollive”.

Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se Meta gjatë fjalës së tij në këtë darkë të shtruar nga Ivanov ka vënë theksin te fakti se shqiptarët dhe maqedonasit nuk e kanë me njeri- tjetrin konkurrencën. “As luftën as konkurrencën nuk e kemi me njeri tjetrin, luftën e kemi shume energji pozitive”, mësohet të ketë thënë Meta gjatë darkës zyrtare në Shkup.

Panorama mëson gjithashtu se darka është shtruar në një nga rezidencat presidenciale, Vila Vodno në kodrat e Shkupit. Përveç dy delegacioneve merrnin pjesë edhe përfaqësues të biznesit maqedonas. Pjesë e kësaj darke ishte gjithashtu edhe nënkryetari i Bashkisë se Shkupit, Enver Maliqi, i pari nënkryetar shqiptar ne bashkinë e kryeqytetit maqedonas.

Meta pritet nga homologu Ivanov, bën kërkesën e fortë për “Kumanovën”
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta pas takimit me homologun e tij maqedonas, Gjorge Ivanov, tha se të dyja vendet më tepër duhet të shpenzojnë kohë për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar të ardhmen se sa të gjykojmë njëri tjetrin.

“Në këtë drejtim unë besoj që Shqipëria dhe Maqedonia mund të jenë një shembull për të gjithë bashkëpunimin rajonal. Do të shpreh kënaqësinë që faktori politik shqiptarë është i orientuar qartë drejt stabiliteti dhe bashkëjetesës dhe drejt integrimit në BE dhe NATO. Si president i Shqipërisë jam krenar për pakicën maqedonase që kemi në Shqipëri dhe vlerat që jep vendit tonë”, tha presidenti Ilir Meta.

Çështja Kumanova
I pyetur për “Grupin Kumanova”, kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta deklaroi se nuk mund të bëjë deklarata për çështje të brendshme të Maqedonisë sa i përket çështjes Kumanova. Në fjalën e tij, presidenti shqiptar theksoi se pret nga autoritetet maqedonase që të respektojnë standardet europiane në gjykim. “Nuk mund të ndërhyj në çështje konkrete që kanë të bëjnë me funksionimin e drejtësisë dhe ligjit në Maqedoni, por shpresoj, dëshiroj dhe inkurajoj që fazat e tjera të këtij procesi gjykimi të jenë sa më transparente dhe sipas standardeve europiane”, tha Presidenti.
Burimi:http://www.panorama.com.al/ivanov-ngre-dolli-per-meten-ne-shkup-ja-si-i-pergjigjet-presidenti-shqiptar/

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb