TIRANË- E dashura e Izet Haxhisë ka publikuar sot një mesazh për ata që e kanë kërcënuar apo e kanë këshilluar të mbajë pozicionin e kukullës dhe të mos e përkrah të dashurin e saj politikisht.

Në një status në profilin e “Facebook” të Izet Haxhisë, partnerja e tij tregon se është kërcënuar e fyer por se ajo e përkrah totalisht edhe politikisht pas një reflektimi dhe analize.

Ajo tregon se vjen nga një familje e masakruar nga komunizmi por se u zhgënjye nga pseudo demokracia. Sipas saj zbardhja e çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit duhet t’i interesojë demokratëve e familjarëve por se këtë gjë nuk po e tregojnë. Partnerja e Haxhisë thotë se Izeti është mirë dhe po përgatitet për betejën që e pret.

STATUSI I PLOTË
Miq të dashur të Izetit!
Më duhet të publikoj një përgjigjen time personale, mbas disa “këshillash miqësore” dhe mesazhesh kërcënuese që kam marrë këto kohë… Më këshillojnë me fjalë të ndryshme, nga më filozofiket deri tek ato më fyeset, që të mos prononcohem dhe mos përkrah Izet Haxhinë, nga ana politike! Sepse do ishte e rrezikshme për mua konkretisht, teknikisht, etj, etj…Sepse duhet të mbaj pozicionin e “kukullës” dhe kaq…
Dua të bëj diçka të qartë, përfundimisht, dhe pa asnjë keqinterpretim! Izet Haxhia është dashuria ime e madhe, kjo është e padiskutueshme e s’do mund ta ndryshojë asnjë e asgjë! Por, kjo dashuri është jeta jonë private, dhe s’më bën mua aspak, të pavetëdijshme politikisht, as më verbon, e as më influencon logjikën!
Përkrahja ime totale ndaj tij, edhe politikisht, ka ardhur mbas një reflektimi dhe studimi vetjak faktesh, mbas një analize që bëra në mendjen time, pa u influencuar nga dashuria që kam për të!
Vij nga një familje e masakruar nga komunizmi, nga një familje, që ashtu si shumë shqiptare, ishim plot ideale, plot shpresë e plot entuziazëm për demokracinë aq të ëndërruar! Por fjala “zhgënjim” është shumë e varfër dhe e paplotë për të shprehur, atë që përjetuam nga pseudo-demokracia në të cilën plot romantizëm, i besuam ëndrrat tona! Nëse komunizmi na vrau e internoi, “demokracia e PD” na flaku në rrugë, na hoqi çdo të drejtë ankesë, çdo derë u mbyll, sepse nuk ishim as të pasur, as mafiozë, as “të fortë”.
E vërteta mbi vrasjen e Azemit, më shumë duhet t’ju interesojë pikërisht këtyre” të djathtëve” që e adhuronin… Ajo çka do dëshmojë Izet Haxhia, duhet në radhë të parë t’i interesojë familjes dhe miqve të Azemit…Por, jo…! Konstatoj komplet të kundërtën… Pakëz më shumë se e çuditshme, apo jo? Askush prej tyre, nuk do të ngrihet tapeti e të dalin pluhurat dhe pisllëqet që janë mbuluar aty prej vitesh!
E pra, unë jam një shtetase e thjeshtë, që kam të drejtën time legjitime, të përkrah atë çka më duket e drejtë, e vërtetë, atë çka më duket bindëse!
Nuk jam e ndikuar as nga dashuria për Izetin, as nga kërcënimet (që nëpërmjet meje, synojnë mbylljen e gojës së Izet Haxhisë) dhe as nga “këshillat miqësore”…
E dua vendin tim, dhe dua ta ngremë atë tapet të pisët, e të pastrojmë me rrënjë gjithçka!
Ndryshe, edhe varret do të na rrinë të ngushtë kur të na vijë ora e fundit, edhe Zoti vetë do na kthejë krahët, sepse e vërteta, qëndron mbi gjithçka!!
Është detyra, e drejta dhe përgjegjësia jonë, ta kërkojmë atë!
Nëse një prej të vërtetave, vjen nga Izeti, ashtu si unë jam komplet e bindur, aq më mirë, aq më krenare ndjehem për dashurinë time!!!
Dhe një të fundit: do të flas për dashurinë tonë sa herë që ta ndjejmë të nevojshme të shprehemi, dhe do të flas për politike a për drejtësi sa herë që të dua, sepse është e drejta ime, si shtetase shqiptare, si qytetare, si njeri i lirë në shpirt e në zemër!!!Pikë!!!
Ju që kërcënoni e “këshilloni”, keni gjetur personin e gabuar… Jo më kot, duhemi me Izet Haxhinë, kemi secili një kokë të fortë e një personalitet pakëz të vështirë për ta trembur…?
Ju faleminderit!
Ps: Izeti ju përshëndet të gjithëve, është mirë dhe po përgatitet për betejën që e pret, me kurajë dhe forcë!!!
Ditë të mbarë të gjithëve!

Izet Haxhia fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: