Izraeli ka kryer sulmin më të madh në Gaza kundër militantëve të Hamasit që prej luftës në vitin 2014, ka bërë të ditur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Sulmet erdhën si kundërpërgjigje ndaj raketave që u hodhën në Izrael, ka shtuar më tej Netanyahu. Hamasi ka bërë të ditur se është rënë dakord për një armëpushim, por ka raportime se sulmet kanë vijuar.

Zyrtarët palestinezë janë shprehur se armëpushimi është rënë dakord falë përpjekjeve ndërkombëtare, veçanërisht egjiptiane.

Ndërsa Izraeli nuk ka komentuar ende lidhur me këtë. Autoritetet palestineze janë shprehur se dy persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror në Gaza të shtunën. Ndërsa një izraelit është plagosur pas mbi 90 raketa që u hodhën në Izrael.

Forcat izraelite të mbrojtjes janë shprehur se kanë sulmuar objekte ushtarake dhe ka paralajmëruar civilët në Gaza që të mbajnë distancë nga disa pjesë të qytetit.

Konflikti nisi të premten për shkak të hedhjes së disa bombave molotov nga palestinezët në kufirin me Izraelin, në shenjë proteste kundër planit izraelit për të shkatërruar një fshat në Bregun Perëndimor. Sulmet erdhën mes përshkallëzimit të dhunës në rajon gjatë muajve të fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb