TIRANE- Autoritetet shqiptare ngritën dyshime të mëdha mbi shtetasin izraelit Yoram Frig të cilin e ndaluan në aeroportin e Rinasit ditën e premte me një pajisje të dyshimtë që mbante me vete.

Ndonëse Frig deklaroi për autoritetet se ishte i punësuar nga një biznesmen shqiptar dhe se me pajisjen që zbulon çimkat, ka kontrolluar zyrën dhe makinën e biznesmenit, Tom Doshi, prokuroria ka ngritur dy akuza për të dhe pritet të ekzaminojë nga afër pajisjen. TV Klan mëson se pajisja do të ekzaminohet nga ekspertët në fillim të kësaj jave.

Burime nga organi i akuzës thanë se aparatura që dyshohet se ka lidhje me çështje të përgjimit, gjendet në duart e prokurorëve dhe pritet të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore të hënën. Prokuroria kërkon një ekzaminim shkencor të saj për të parë se për çfarë është përdorur ajo në Shqipëri.

Ky ekspertim teknik pritet të përcaktojë në mënyrë të saktë jo vetëm funksionin, por dhe përmbajtjen e aparaturës. Për këtë qëllim prokurorët e çështjes Ndini Tavani dhe Gjergji Tako, pritet të përgatisnin një sërë pyetjesh dhe kërkësash, mbi të cilat do të operojnë ekspertët kriminialistë dhe të inxhinierisë së inovacionit në Policinë e Shtetit.

Gjatë marrjes në pyetje në prokurori, 51-vjeçari Yoram Frig, ka pranuar se valixhja që ngjalli dyshime te policia e Rinasit ishte një pajisje kompjuterike, por sipas tij, ajo është një kontrolluese dhe jo përgjuese, e cila zbulon çipat e përgjimit në ambiente të ndryshme. Poseduesi i saj, po qëndron ende në kryqytet, pasi autoritetet i bllokuan pasaportën.

“BalkanWeb” raportoi se hetimi për izraelitin nisi për dy vepra penale, konkretisht atë të “përgjimit të jashtëligjshëm i të dhënave kompjuterike”, si edhe për “shpërdorim të detyrës”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: