Ardhja e izraelitit Yoram Frig në Shqipëri ka ngritur shumë dyshime për autoritet shqiptare të cilat e ndaluan në aeroport. Shkak u bë pajisja e dyshimtë që ai mbante.

Mësohet se Frig tha për autoritet se ishte i punësuar nga një biznesmen shqiptar dhe se me pajisjen që zbulon çimkat, ka kontrolluar zyrën dhe makinën e biznesmenit. “Panorama” mëson se ai eshte Tom Doshi. Ish-­deputeti i PS­-së ka qenë personi i fundit që i ka paguar vetëm 2 mijë euro për shërbimet e tij izraelitit.

Prokuroria e Tiranës ka ngritur 2 akuza ndaj Frig megjithëse ai është lënë i lirë pas mesnate dhe do të ndiqet në gjendje të lirë.

Prokuroria e regjistroi dje një procedim penal kryesisht në lidhje me rastin. Një ditë më parë, “BalkanWeb” raportoi se procedimi penal është bazuar në informacione të publikuara në media ditën e djeshme.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, hetimi nisi për dy vepra penale, konkretisht atë të “përgjimit të jashtëligjshëm i të dhënave kompjuterike”, si edhe për “shpërdorim të detyrës”.

Hetimi i mëtejshëm do të provojë nëse elementë të këtyre dy veprave penale janë konsumuar nga izraeliti Frig apo punonjësit e Policisë të Rinasit, që kanë lejuar hyrjen në Shqipëri të një pajisjeje të tillë.

Sakaq, pajisja elektronike që iu gjet dhe sekuestrua shtetasit izraelit do t’i nënshtrohet një ekzaminimi teknik të specializuar, i cili do të zbulojë shërbimet që mund të realizojë pajisja.

Gjatë marrjes në pyetje në prokurori, 51-vjeçari Yoram Frig, ka pranuar se valixhja që ngjalli dyshime te policia e Rinasit ishte një pajisje kompjuterike, por sipas tij ajo është një kontrolluese dhe jo përgjuese, e cila zbulon çipat e përgjimit në ambiente të ndryshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb