Nga: Julian Zyla
Bileta e sjellshme e kryeministrit Rama për zgjidhje të përbashkët me opozitën të çështjes së Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, por brenda shinave të dispozitave kalimtare ligjore për prokurorinë, dihet që nuk do ta sjellin opozitën në atë tren. Është një lëvizje e mirë e kryeministrit dhe një refuzim i detyruar i z. Basha. Partia Demokratike ka zgjedhur të lundrojë me Kushtetutën si mjetin e saj. Kushtetuta është një traget i sigurt. Por a mund të lundrohet me të lumenjve të ngushtë të politikës? Në një nga përgjigjet për komentuesit, kryeministri Rama apo dikush në stafin e tij shkruante: “prokurori i përkohshëm që po zgjedhim…”. Shumica socialiste nuk e ka vënë ndonjëherë në dyshim se do të vazhdojë të ndjekë dispozitat ligjore (duke mos u limituar te Kushtetuta) për këtë çështje, por naturaliteti i shprehjes “që po zgjedhim” heq edhe merakun më të fundit të ndokujt që mendon se deklaratat e opozitës do të mund të kenë ndonjë ndikim.

Kryeministri bën mirë që përpiqet ta legjitimojë procesin politikisht duke mbetur i hapur për përfshirjen e opozitës në procesin e zgjedhur prej shumicës dhe ndërkombëtarëve. Opozita bën mirë që nuk ia jep këtë bonus politik. Çfarë do të ndodhë dhe çfarë presin të dyja palët nga situata mund të kuptohet. Mbetet për t’u parë: a i kanë në rregull llogaritjet e tyre politike?

Fillimisht, çfarë do të ishte dashur juridikisht që kjo situatë të ishte shmangur? Në një deklaratë të para disa muajve përgjigjen e jepte Adriatik Llalla. Kryeprokurori bënte thirrje për dispozita kalimtare kushtetuese. Dispozitat që po përdoren nga shumica për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm janë në nivel ligji (edhe pse i miratuar me shumicë të cilësuar), por jo në nivelin e normave kushtetuese. Ky është argumenti i opozitës, e cila vendos përballë Kushtetutën, që nuk sanksionon asgjë në një rast si ky, me fuqinë më të vogël të ligjit për prokurorinë, i cili merr përsipër të zgjidhë situatën në fjalë. Nëse dispozitat kalimtare do të ishin parashikuar brenda Kushtetutës nuk do të kishte asnjë diskutim. Natyrisht, atëherë është zgjedhur që një çështje kaq delikate politikisht të mos bëhej pengesë për procesin më të gjerë të reformës. Tani po paguhen pasojat politike të natyrshme, meqenëse nuk kishte pasur marrëveshje në nivel kushtetues, kur miratimi ishte unanim. Pra kjo gjë pritej, dhe po ndodh.

Pra, shumica do të vazhdojë me ftesat e saj për trenin e “Kryeprokurorit të përkohshëm që po zgjedhim” dhe do të zgjedhë një nga shtatë kandidaturat e zyrtarizuara. A ka llogaritur çdo rrjedhojë politike, duke pranuar që ato mund të mos jenë më të rëndësishmet për të? Ndoshta për Partinë Socialiste më e rëndësishme është të mos ketë më një Kryeprokuror që është akuzuar politikisht për afrimitet me forca të tjera, por nëse “po zgjedhim” një Kryeprokuror të përkohshëm pa bekimin e Kushtetutës, bekimi i OPDAT, EURALIUS, SHBA dhe BE, me gjithë akronimet mund të mos mjaftojë politikisht. Opozita do të protestojë deri në fund, por Kryeprokurori i përkohshëm do të zgjidhet. Pas zgjedhjes së tij, opozita do të akuzojë shumicën se shkeli Kushtetutën dhe se tashmë ka në dorë dhe një pjesë të mirë të pushtetit gjyqësor që duhet të jetë i pavarur. Opozita do të vazhdojë të thotë se Ramës i duhej të merrte prokurorinë për të mbrojtur Tahirin, Habilajt, etj. Kjo është kostoja që do të paguajë PS.

Por a i mjafton kjo Partisë Demokratike?
Nuk do të jetë e vështirë që vetë PD të mund të akuzohet se i kishte të gjitha mjetet juridike për të denoncuar ligjin e prokurorisë si antikushtetues. A nuk është kjo juridikisht më e logjikshme se të denoncosh parlamentin pse po zbaton një ligj, që nuk është deklaruar antikushtetues? Mbi të gjitha, Partia Demokratike do të arrijë të dëmtojë disi shumicën me protestat e saj kundër zgjerimit të pushtetit dhe kapjes, sipas saj, të drejtësisë, por lëvizja e shigjetës politike mund të jetë minimale. Çështja e Kryeprokurorit të përkohshëm nuk është aq politike sa mund të duket. Gjithashtu, njerëzit kanë besim te procedurat legjislative. Kur ato ndiqen, është e vështirë të binden se diçka e dalë nga parlamenti është e jashtëligjshme. Së fundmi, Partia Socialiste do të ketë edhe strategjinë e saj të kundërpërgjigjes, e cila do të përfshijë patjetër edhe ftesat që po i bëhen opozitës për të qenë pjesë e procesit.

Nëse po fillon të duket si rreth vicioz, pra një cikël i mbyllur, ashtu është. Çdo gjë është e parashikueshme: Veprimet së bashku me pritshmëritë e palëve nga kjo çështje. Ajo që mbetet për t’u rishikuar është efekti politik i strategjive të tyre. Shpesh, priremi të mbivlerësojmë planet tona, duke mos llogaritur si duhet efektin e tyre te njerëzit. Dispozitat kalimtare të ligjit të prokurorisë do të zbatohen. Një nga shtatë emrat e kandidatëve zyrtarë për Kryeprokuror të përkohshëm do të marrë bekimin e OPDAT, EURALIUS, SHBA, BE dhe parlamentit. Opozita do të protestojë. Njerëzit dëgjojnë dhe peshojnë./GSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: