Të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme dhe dieta e përditshme, padyshim që luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën sesi fuksionon organizmi ynë. Për të patur një shëndet të plotë është e nevojshme që përmes ushqime që konsumojmë, të sigurojmë edhe vitaminat për të cilat trupi ynë ka nevojë.

Kur organizmit i mungojnë këto vitamina, ai na dërgon sinjale nga më të ndryshmet, të cilat mund t’i kuptojmë edhe vetë, dhe në njëfarë mënyre të përpiqemi t’i rregullojmë përmes ushqimeve, e kryesisht frutave dhe perimeve.

Ja si ta dini nëse ju mungon ndonjë vitaminë:

A: Mungesën e vitaminës A e sinjalizon lëkura e thatë dhe e irrituar, humbja e oreksit, lodhja, floku pa shkëlqim, thonjtë e thyeshëm, aknet, ndërsa ekspertët theksojnë që deficiti i saj më së shumti pasqyrohet në ndryshimet në sy.

B1: Problemet neurologjike, konvulsioni i muskujve, humbja e kujtesës, oreksit, nervozizmi dhe tretja e keqe, janë simptomat më të shpeshta të mungesës së vitaminës B1.

B2: Kur plagët shërohen me vështirësi, alergjitë shpeshtohen, ndërsa sytë janë të irrituar dhe shumë të ndjeshme në dritë, flasin për mungesë të B2. Mungesa e kësaj vitamine vihet re në cepat e buzëve, rreth së cilave shpesh shfaqen plagë.

B3: Treguesit më të shpeshtë të mungesës së B3 janë dobësia e muskujve, lodhja, humbja e oreksit, tretja problematike dhe lëkura. Për shkak të mungesës së kësaj vitamine mund të shfaqet sëmundja pelagra, e cila më së shpeshti shfaqet si çrregullim në sistemin nervor dhe dermatitisi. Vitamina B3 është e domosdoshme dhe do ta gjeni në gjoks pule, mëlci, vezë, qumësht, peshk, patate, perime të gjelbra, drithëra integrale, fruta arrore dhe në gjalpin e kikirikut.

B6: Sëmundjet e veshkave, ngërçet në duar dhe këmbë, pagjumësia, anemia, nervozizmi… tregojnë për mungesën e kësaj vitamine e cila ndikon në ndryshimin e gjendjes sonë. B6 më së shumti u mungon diabetikëve, personave më të moshuar, femrave shtatzëna dhe nënave që ushqejnë fëmijët me gji.

B7: Kjo vitaminë është e rëndësishme për lëkurën e shëndoshë, flokët dhe thonjtë, dhe kur nuk gjendet në sasi të mjaftueshme në organizëm lëkura fillon të ketë zbokth, të skuqet, flokët fillojnë të bien, ndërsa shfaqet lodhja dhe humbja e oreksit.

B9: Vitamina B9 ose acidi folik kryesisht u mungon femrave shtatzëna, femrave që pinë kontraceptivë, alkoolistëve. Do ta gjeni në spinaq, lakër Brukseli, shparg, të gjitha llojet e fasules, bizele, portokaj, avokado.

B12: Kjo vitaminë po ashtu u mungon femrave shtatzëna, femrave që ushqejnë me gji, alkoolistëve, ndërsa mungesa e saj pasqyrohet në humbje të peshës, dhimbjet në shpinë, ndjesinë e shpimit të gjilpërës në duar dhe këmbë. Vitamina B12, përveçse te mëlçitë, mund të gjendet tek midhjet, haviari, salmoni i kuq, drithërat, peshku ton, qumështit dhe nënproduktet e tij.

C: Konsumimi i pamjaftueshëm i vitaminës C çon deri infeksione, vena të theksuara, mavijosje, gjakderdhje të shpeshta. Në rastin e mungesës së jashtëzakonshme krijohet skorbuti. Pasi bëhet fjalë për vitaminën e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për punën e sistemit imunitar dhe luftën kundër baktereve. Ndaj duhet të hani më shumë fruta dhe perime të pasura me këtë vitaminë.

D: Shëndeti i eshtrave varet nga kjo vitaminë. Kur nuk është në sasi të mjaftueshme indi eshtëror vuan, dhe te fëmijët shfaqet rakiti, ndërsa tek të rriturit osteoporoza. Vitamina D gjendet te veza dhe peshku.

E: Pafuqia, të qenit të dobët, djersitja e shpejtuar, janë simptoma të mungesës së kësaj vitamine, por deficiti nuk është aq i dukshëm nga jashtë, sesa në pasqyrën e analizë së gjakut. Sasitë më të mëdha gjenden në vajrat e farërave, në arra, lajthi, fasule, sojë, etj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb