TIRANË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shqipëri, vuri kurorë lulesh pranë monumentit “Nënë Shqipëri” dhe më pas edhe një kurorë me lule pranë bustit të heroit të Kosovës, komandantit legjendar Adem Jashari që ndodhet në Tiranë.

Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, presidentja kosovare vizitoi edhe BunkArt, e shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Jahjaga vijoi vizitën në qytetin e Beratit, ku e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Berat, Petrit Sina, vizitoi Muzeumin Ikonografik “Onufri”. Jahjaga theksoi se përfshirja e Kosovës në UNESCO do të jetë privilegj por edhe përgjegjësi.

Pasi ka vizituar nga afër muzeun dhe ka shkruar në librin e përshtypjeve mendimet e saj për këtë vend, presidentja Jahjaga është shprehur se ndonëse UNESCO merr nën mbrojtjen e saj monumentet e trashëgimisë, përfshirja në të është edhe një përgjegjësi e madhe sepse vlerat duhet të ruhen në bazë të standardeve. “Unë gjithmonë jam mrekulluar me bukuritë e jashtëzakonshme që ka Shqipëria,- ka thënë Jahjaga,- por ardhja në këtë muze ishte një përvojë jashtëzakonisht e veçantë për mua dhe për delegacionin tim dhe dua t’u përgëzoj që keni mundur ta ruani këtë trashëgimi kulturore, duke e përcjellë gjeneratë pas gjenerate”, tha Presidentja e Kosovës gjatë vizitës në Berat.

Ndërkohë Jahjaga ka qenë edhe në Shkodër, ku është pritur me nderime nga drejtuesit vendorë. Gjatë kësaj vizite ajo ka shprehur mirënjohje për pritjen, ndërsa deklaroi se Shqipëria e Kosova meritojnë të jenë në Evropë.

“Mbeta e mahnitur nga mikpritja. Shqipëria dhe Kosova meritojnë të jenë në Evropë”, tha Jahjaga nga Shkodra.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: