JAPONI – Një kompani hekurudhore ka kërkuar ndjesë publikisht për një ngjarje që me sa duket nuk kishte ndodhur kurre më parë. Nuk është fjala për ndonjë aksident, apo për shërbime të kontestuara nga pasagjerët.

Ndjesa publike u bë sepse një prej trenave të saj u nis 20 sekonda më herët. Menaxheri i linjës “Tsukuba Express” për linjën Tokio-Tsukuba është shprehur se kërkon sinqersht të falur për shqetësimin e krijuar shkruan BBC.

Përmes një deklarate, kompania në fjalë tha se treni duhej të nisej në orën 9:44:40, por gabimisht u nis 9:44:20. Shumë përdorues në mediat sociale u befasuan nga një lajm i tillë dhe reaguan me habi duke mos munguar këtu edhe komplimentet për kompaninë. “Gabimi ndodhi për shkak se stafi nuk e kishte kontrolluar saktësisht orarin”- njoftoi kompania.

Megjithatë ajo shtoi se asnjë pasagjer nuk u ankua për këtë. Linja e trenave “Tsukuba Express” i çon pasagjerët nga Akihabara në lindje të Tokios deri në Tsukuba për 45 minuta. Në Japoni, ku ndodhen ndër linjat hekurudhore më të sigurta në botë, ndodh rrallë që një tren të niset ndryshe nga orari i vendosur, madje edhe 20 sekonda për japonezët bëjnë ndryshimin.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb