TIRANE- Në kuadër të veprimtarisë “Java e Fëmijëve Jetimë” që zhvillohet nën kujdesin e Presidentit, Ilir Meta, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, zv/ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Bai Yunbin vizitoi sot ekspozitën e hapur me këtë rast pranë Institucionit të Presidencës.

Në aktivitetin ku merrnin pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare “Hillary Klinton” dhe “100 Vjetori i Pavarësisë”, si edhe nxënës të gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz, zv/ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, shprehu solidaritetin e tij me fëmijët pa kujdes prindëror në Shqipëri. Në emër të popullit kinez, ai ndau edhe disa dhurata e ndihma materiale për fëmijët jetimë të Bashkisë Kamëz.

“Është kënaqësi për ne në Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës që të japim kontributin shumë modest për fëmijë kaq të bukur e të dalluar. Në emër të Ambasadës duam të vlerësojmë nismën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për këtë çështje. Shpresojmë që në të ardhmen ju të keni më shumë njohuri edhe për Kinën. Ju uroj një jetë sa më të këndshme dhe suksese në mësime”, theksoi zv/ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Bai Yunbin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb