Ndeshjet e sotme të Serisë B nuk kanë qenë aspak pozitive për futbollistët e përfaqësueses shqiptare. Asnjë prej atyre që ka zbritur në fushën e lojës nuk u është gëzuar fitoreve, ndërsa ka pasur paraqitje që nuk kanë bindur aspak. E tillë mund të cilësohet pa frikë ajo e Berat Gjimshitit, Avelinoja e të cilit është mundur me rezultatin e thellë 5­0 në shtëpi nga Peruxhia.

Pas tre golave të shënuar nga Di Karmine, mbrojtësi shqiptar ka dashur ta ndalojë të shënojë të katërtin me një ndërhyrje të parregullt, duke merituar kartonin e kuq direkt. Kjo ia bëri më të thjeshtë punën Peruxhias që realizoi dy gola të tjerë për të afruar më shumë Avelinon më zonën e ftohtë të klasifikimit. Për futbollistin shqiptar, mediat italiane rezervuan notën 4. Me humbje ka dalë nga fusha e lojës edhe Migjen Basha, pasi Bari u mposht me shifrat 2­0 nga Entela.

Mesfushori luajti gjatë 90 minutave por nuk la shenjë, si në takimet e mëparshme, duke marrë notën 5. Piza e treshes së shqiptarëve ka arritur të merrte të paktën një barazi, 1­1 ndaj kryesuesve të SPAL, por edhe në këtë rast, problemet nuk mungojnë. Rei Manaj i la fushën e lojës Edgar Çanit pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, pas disa problemeve në kofshë dhe pritet të mësohet se sa do të jenë afatet e riaftësimit të sulmuesit të ri shqiptar. /panorama

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: