SHBA- Një grup ligjvënësish republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve i kanë paraqitur Kongresit amerikan një rezolutë, ku shprehet pakënaqësia me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi njohjen nga SHBA të Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit, rezolutë e cila u mbështet edhe nga Shqipëria.

Ligjvënësit amerikanë kanë shprehur mbështetjen për vendimin e Presidentit amerikan për njohjen e Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen atje të ambasadës amerikane duke kujtuar se që në vitin 1995, Kongresi ka miratuar me shumicë dërrmuese aktin e zhvendosjes së ambasadës amerikane në Izrael, jo më vonë se 31 maji 1999.
Në projekt rezolute, nënvizohet se Dhoma e Përfaqësuesve mbështet fuqishëm vendimin e Presidentit Donald Trump dhe i kërkon atij të udhëzojë Sekretarin e Shtetit t’i paraqesë Kongresit një raport mbi statusin e asistencës që SHBA u ofron vendeve që votuan në favor të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Më 6 dhjetor, Presidenti amerikan Donald Trump firmosi vendimin që e njihte Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit dhe udhëzoi Departamentin e Shtetit të përgatisë zhvendosjen e Ambasadës nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Ky vendim u pasua nga reagime të shumta kundër të komunitetit ndërkombëtar, ndërsa më 21 dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara miratoi me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime një rezolutë ku dënohej njohja nga ana e SHBA të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Ligjvënësit amerikanë, nënvizojnë në projekt-rezolutë se SHBA është një shtet sovran dhe ka të drejtë të vendosë vetë se ku do t’i vendosë ambasadat e saj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb