BERAT- Kreu i LSI-së së fshatin Gjoroven të Beratit Krenar Shehu është dhunuar ditën e sotme dhe është kërcënuar nga disa persona, të identifikuar prej vetë atij.

“BalkanWeb” mëson se Shehu ka bërë denoncim në Policinë e Beratit ku ka rrëfyer se autorët i kanë vënë pistoletën tek koka dhe e kanë kërcënuar me jetë dhe familjen.

“Më vunë pistoletën tek koka. Më thanë se jeta e familjarëve të tu, vlen sa një fishek”, ka rrëfyer Shehu.

DËSHMIA
“Më kanë dalë përpara në lagjen Uznovë 3 kriminelët më famëkeq të Beratit, Gazmend Mahmutaj, i dënuar me 25 vjet burg për prostitucion dhe trafik droge, Gramoz Toto i dënuar me 18 vjet për prostitucion dhe Ramazan Toto i dënuar me 18 vjet. Ditën për diell më kanë ndaluar me forcë, të shoqëruar nga shumë persona të tjerë dhe të armatosur me automatik dhe pistoleta më kanë shkatërruar makinën”, ka deklaruar drejtuesi i LSI-së në polici.

Ai ka thënë se më pas agresorët e kanë dhunuar dhe nxjerrë nga makina duke e kërcënuar se nëse LSI del forcë e parë në Velabisht do t’i zhdukin familjen.

“Më nxorën me forcë nga makina dhe më kërcënuan se do të vrasim dhe zhdukin mua dhe familjen nëse në njësinë Velabisht, LSI del forcë e parë. Më ka goditur Gazment Mahmutaj dhe më tha se nga ky moment s’duhet të bëja asnjë lëvizje për LSI-në”, ka treguar më tej Krenar Shehu.

Ai thotë se personat e tjerë i kanë vënë pistoletën në kokë dhe kanë vijuar ta kërcënojnë.
“Iu thashe se i kam miq kandidatët e LSI-së dhe se do vazhdoja t’i ndihmoja. Më pas Gramoz Toto ka drejtuar pistoletën duke më bërë presion dhe ma ka vënë në kokë. Më tha se jeta jote dhe e familjarëve të tu vlen vetëm një fishek”, ka thënë në polici, kreu i LSI-së së fshatit Gjoroven.
Lidhur me ngjarjen policia ka nisur hetimet por ende nuk ka një njoftim zyrtar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: