Reforma e Shërbimeve Administrative ka dhënë efektin e parë për të gjtihë qytetarët që përballeshin me radhët e gjata në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për të cilët është reduktuar ndjeshëm numri i dokumenteve të kërkuara.

46 dokumente më pak kërkohen nga qytetarët pas ndryshimeve në ZVRPP, duke eliminuar radhët e gjata të pritjes në sportele.

Qytetarët që aplikojnë për dokumente në zyrat e ALUIZNI-t, apo Agjencisë së Trajtimit të Pronave, tashmë do të kursejnë shumë kohë në përgatitjen e dosjes së tyre. Për 17 shërbime të ofruara nga ZVRPP-të, 51 dokumente janë dokumente identifikuese dhe 48 dokumente janë dokumente pronësie, të cilat mund të merren tashmë pa asnjë kosto shtesë.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Teuta Vodo, vlerësoi se ulja e numrit të dokumenteve të kërkuara nuk është qëllim në vetvete, por ajo shoqërohet me rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe eliminimin e burokracisë.

“Ky është një angazhim që do të prekë të gjitha institucionet e varësisë të Ministrisë së Drejtësisë”, tha ajo.

Duke theksuar angazhimin e kësaj ministrie dhe institucioneve të varësisë në reformën e deregulimit, Vodo tha se “tashmë të gjitha institucionet shtetërore kërkojnë vetë në sistem dëshmitë e penalitetit në regjistrin elektronik, duke çliruar qytetarët”.

“Ky është një hap i madh që solli si rezultat që institucionet shtetërore të mos kërkojnë më certifikata penaliteti. Një gjë e tillë shmang radhët, por shmang edhe çdo lloj akti tjetër korruptiv”, tha Vodo.

Reforma e deregulimit, sipas saj, “është një nga hapat vendimtarë për zhdukjen e korrupsionit në organet e administratës”. Synimi ynë është që t’i japim fund njëherë e mirë të gjitha procedurave burokratike, shtoi ajo.

Ndërsa zv/kryeministrja Senida Mesi vlerësoi se reforma për shërbimet administrative, 4-5 muajt e fundit arriti në një fazë tjetër me shkurtimin e të gjitha procedurave të administratës publike.

“Për ne, kjo është vetëm faza e parë e procesit të deregulimit dhe lehtësimit të procedurave. Reforma në shërbimet administrative do të jetë sukses kur të ndryshojë perceptimi i qytetarëve dhe sipërmarrësve për administratën dhe shërbimet”, tha ajo. /atsh/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: